Teksa të enjten pritet që në Kuvend të votohet mbi çështjen e mandatit të Olta Xhaçkës, Gazment Bardhi i bëri thirrje deputetëve socialistë që ta dorëzojnë drejtësisë. Pas mbledhjes me deputetët e Rithemelimit, Bardhi tha mazhoranca duhet të tërhiqet nga porosia që u ka dhënë deputetëve socialistë për të mos zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Kulmi arriti dje ku në Konferencën e Kryetarëve, për llogari të Ramës, njeriut që ka firmosur investimin strategjik për Xhaçkën, sulmuan hapur anëtarët e GJK, duke shpallur madje atë që nuk është dëgjuar në 33 vite, se GJK nuk i imponohet dot Kuvendit.
Uroj shumë që deri të enjten ka orë para, mazhoranca të reflektojë. Të tërhiqet nga porosia që u ka dhënë deputetëve për të mos zbatuar vendimin e GJK dhe të dorëzojë para drejtësisë Olta Xhackën dhe më pas të gjithë zyrtarët publikë përfshirë edhe Edi Ramën, për grabitjen e pronave publike në bregdet”, tha Bardhi.
Sipas Bardhit, çdo deputet që do ngrejë kartonin e kuq për të refuzuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese kryen vepër penale.
“Çdo deputet që ngre kartonin për të refuzuar vendimin e GJK kryen krim penal. Ligji për GJK thotë se pengimi për të zbatuar vendimet e GJ dënohet sipas kodit penal. Cilido që pengon zbatimin e vendimit të GJ kryen krim. Pastaj është detyrë e drejtësisë që të na provojë se s’ka krim që kryhet në opinion publik që mbetet pa ndëshkuar”, u shpreh Bardhi.
Bardhi tha se nuk dolën me një vendim në Këshillin e Mandateve, pasi Rama nuk u kishte diktuar deputetëve se çfarë vendimi të marrin. Deputeti demokrat hedh akuza se edhe Rama ka shkelur ligjin duke shpallu investitor strategjik Artan Gaçin, bashkëshortin e ish-ministres Xhaçka.
“Na mblodhën në Këshill Mandatesh për të marr vendim, duke qenë se nuk i kishte thënë Edi Rama ca vendimi të marrin nuk morën vendimin. Rama ka shkelur dy herë më shumë se Xhaçka ligjim duke i dhënë statusin e investitorit strategjik në një pronë publike me dokumente të falsifikuara. Ka pasur përgjegjësi për të verifikuar, prandaj është Kadastra”, u shpreh Bardhi.
Ndërkohë, Bardhi hodhi akuza ndaj Ramës e kryebashkiakut Erion Veliaj se ushtrojnë presin ndaj drejtësisë.
"Shpreh shqetësimin për sulmin e mazhorancës ndaj institucioneve të drejtësisë. Nervozizmi i shtuar i kryeministrit në raport me hallet që e kanë zënë me drejtësinë për shkak të keqqeverisjes dhe korrupsioni, e ka kthyer nga njeriu që gjoja mbështeste drejtësinë në anatemuesin më të madh të këtyre institucioneve. Pamë sulm të koordinuar mes Veliaj dhe Ramës ndaj SPAK në lidhje me korrupsionin në bashkinë Tiranë", tha Bardhi.
Në Këshillin e Mandateve, PS dhe opozita vendosën që raporti për të dërguar në Gjykatën Kushtetuese mandatin e Olta Xhaçkës të votohet në seancën e ditës së enjte në Kuvend.
Gazment Bardhi ka komentuar mungesën e deputetëve të PS në Komisionin Hetimor të Shëndetësisë. Bardhit tha se ka njoftuar edhe partnerët ndërkombëtarë mbi këtë situatë.
"Kam njoftuar edhe partnerët tanë ndërkombëtarë që nxitën dialog mbi atë çfarë po ndodh me këtë Komision. Të jeni të sigurt që do t’i përgjigjemi me çdo mjet demokratik që lejon kushtetuta dhe rregullorja e Kuvendit për të mos lejuar asnjë pengim të hetimit parlamentar”, u shpreh Gazment Bardhi.
I pyetur nëse do t’i rikthehen aksionit opozitar, ai deklaroi se sa herë cenohen të drejtat e opozitës, do të këtë reagim.
“Sa i takon aksionit tonë në parlament, ishte një reagim i detyruar për mos iu nënshtruar një padrejtësie, Iu jemi rikthyer normalitet, për të mbajtur zotimin publik. Sa herë cenohen të drejtat e opozitës, do te këtë reagim”, shtoi ai.
Deputeti Gazment Bardhi ka ironizuar kreun e PD, Lulzim Basha pas akuzave të këtij të fundit se një pjesë e opozitës ushtron presione ndaj drejtësisë. Në një konferencë me gazetarët, Bardhi tha se për gazetaren e Report Tv Danjela Maloku se Bashën e kanë lënë të flasë me veten.
Ndërkohë, ai thotë se Basha nuk guxon të përmendë emrin e Erion Veliajt dhe Edi Ramës në denoncimit e tij publike.
“Nuk e kam ndjekur, nuk i kamë dhënë përgjigje, i kam dhënë përgjigje deklaratave të Bashës në foltore të Kuvendit, Këto bashkëbisedimet me vete i kam lënë ti zhvillojë në mënyrë permanente. Vendimi ynë politik është që kushdo që ka vendosur të bëjë opozitën e opozitës është të flasë me veten. Se kush flet me veten besoj e dini, ne i kemi lënë të flasin me veten. Do vazhdojnë të flasin me vete.
Opozita nuk ka asnjë gjë në dorë për të ushtruar presion ndaj institucioneve të drejtësisë. Ne nuk kemi as pushtet, nuk kontrollojmë as institucione shtetërore që të ushtrojmë opresion, i vetmi që ka mekanizma presioni është pushteti, është kryeministri. Ajo që kemi bërë ndryshe nga këta që flasin me vete, sa herë kemi pasur çështje që gjykojmë se duhet të jetë lëndë e drejtësisë, i jemi drejtuar drejtësisë. S’ka ndodhur kurrë që të dal para jush që të denoncoj një aferë korruptive dhe të mos i jem drejtuar institucioneve të drejtësisë. Kaq ka në dorë opozita, të tjerat janë hajde flasim me vete, bëjmë lajm. Themi ca gënjeshtra. Unë e dëgjova që tha përfiton nga amnistia ish-sekretarja e përgjithshme e ministrisë së Shëndetësisë. Pse duhet ti përgjigjem unë këtyre se ligji do zbatohet pas ca ditësh. Ai ishin këta që në akuzuan se po pengojmë amnistinë. S’kanë me ca merre dhe prodhojnë gënjeshtra. Kryeministrin se luftojnë dot, Veliajn se luftojnë. Flasin për hënën e diellin, por kur vjen puna për raste konkrete nuk guxojnë t’i përmendin emrin as Erion Veliajt dhe as Edi Ramës, këta luftëtarët e korrupsionit. Në reagimin publike të Bashës nuk guxon as t’iu përmendë emrin”, tha Bardhi.