Me emrin Bleta Shqiptare, ky forum ka mbledhur intelektuale të angazhuar në lëvizjet e dhjetorit 90, por jo vetëm, me një mision të qartë , të zgjojnë vetëdijen qytetare për shtetin dhe rëndësinë e tij.
Shenasi Rama e Grid Rroji prezantuan këtë platformë për të mos lejuar siç thanë ata skllavërimin e shqiptarëve. Akuzat ishin të forta në drejtim të klasës politike që ka qeverisur pas rrëzimit të regjimit komunist, duke I cilësuar ata si pari që i ka shërbyer vetëm vetes së tyre e madje me politika antishqiptare.
“Shteti ynë ka dështuar, nuk kemi strukturat e duhura për të mbrojtur këtë shtet. Asnjë nga parametrat e sovranitetit të brendshëm nuk plotësohet. Institucionet e shtetit kontrollohet nga interesa të jashtme”, u shpreh Rroji.
Politikanët tha Grid Rroji bëjnë miliarda e më pas tallen me shqiptaret duke u thënë se i kanë fituar me rrogë. Kjo duhet të marrë fund tha Shenasi Rama i cili nënvizoi se ky forum nuk është parti politike por është një përpjekje për zgjimin e shpresës.
"Shteti i kësaj parti nuk i do shqiptarët, madje i urren. Nuk punon aspak për ta. I ka shndërruar shqiptarët në sklevër modern. Vendi është pushtuar nga korrupsioni’ ka deklaruar Grid Rroji.
Manifesti politik në misionin e të cilit ka pikëpyetje se përse ne shqiptarët nuk duhet të mbetemi skllevër, është një ftesë e hapur për t’iu bashkuar për cilindo intelektual apo qytetar si një mundësi për ruajtjen e vlerave kombëtare.
Manifesti
Manifesti politik synon ndryshimin e gjendjes politike, ekonomike dhe sociale në Shqipëri. “Ky manifest ka pikërisht këtë qëllim të parashtrojë një trajtim ndryshe të gjendjes, të ofrojë një zgjidhje të nevojshme, të përvijojë një mundësi që nuk duhet humbur, dhe të piketojë atë që, sipas bindjes sonë, është rrugëdalja e vetme nga qorrsokaku ku na mbajnë mbyllur ata që na duan skllevër. Nuk do të nisim duke gjykuar të shkuarën; nuk presim të dënojmë njerëz e klane; nuk synojmë të hedhim poshtë të mirat që mund të jenë bërë.
Por duke besuar se me kohë përgjegjësia do të shkojë tek ata që e meritojnë, qëllimi i ynë është me dhënë një pamje të asaj të ardhmeje e cila, me punë e me mund, do të na drejtojë në rrugën e bashkëkohësisë dhe të vlerave të shtet-kombeve normale”, parashikon manifesti.
Zgjedhja
Sipas tre veprimtarëve shqiptarë në SHBA rrugët për shqiptarët janë dy. “Nga një anë, ose do të vazhdojmë në këtë rrugë ku jemi e do të bëhemi skllevër të të tjerëve e të mendësive jo shqiptare dhe të jetojmë si të huaj në shtetin tonë.
Nga ana tjetër, do të duhet që me mundim e me sakrifica, të ndjekim rrugën e duhur, të bëjmë shtetin tonë në shërbim të shqiptarëve edhe përkundër të gjithë armiqve që i kemi të shumtë, që i kemi edhe midis nesh, që shtohen dhe që bëjnë çdo gjë të mundshme që të na mbajnë si skllevër dhe që më shumë se çdo gjë e kanë frikë bashkimin e shqiptarëve në një shtet-komb normal.
Rruga është e vështirë e nuk dihet ku do të dalë, por nuk ka asnjë rrugë tjetër që na kthen tek një jetë e sigurt, me nder, me dinjitet, me respektin që meritojmë, me të ardhme për fëmijët e brezat që vijnë, dhe me një shtet që do të na shërbejë ne shqiptarëve e jo të huajve dhe veglave të tyre shumetnike e shqiptarurrejtëse që sundojnë shtetin shqiptar”, thuhet në manifest.
Paradoksi
Manifesti bën një analizë të gjendjes aktuale. “Në të gjitha shtetet në të cilat jetojmë ne shqiptarët ka një paradoks: ata që na sundojnë ne janë gjithmonë në një gjendje shumë të mirë se sa të gjithë ne shqiptarët.
Kjo ndodh me grekët, me serbët, maqedonasit e malazezët, me pakicat në Kosovë si dhe me parinë tonë shumëetnike të Tiranës në shtetin shqiptar. Ne si komb, jemi të përfshirë në një krizë të thellë dhe të gjithanshme, e cila po thellohet e përkeqësohet nga dita më ditë.
Edhe pse në pjesën tjetër në vazhdim do të ketë shpjegimin e duhur sepse jemi këtu e çfarë duhet të bëjmë, për momentin do të ndalemi në rastin e shtetit të gjymtuar shqiptar.
E bëjmë këtë sepse qëllimet afatgjata mund e duhet të jenë mbarëkombëtare, por politika bëhet në një sistem politik të caktuar e të ndarë, me rregullat e dallueshme e të veçanta të tij dhe prandaj duhet punuar në gjendjen e në kushtet në të cilën ndodhet ai shtet”, thuhet në tekstin e manifestit politik.
dy.b/shqiptarja.com