Deputeti i Partisë Socialiste, Ulsi Manja, është shprehur se mazhoranca nuk i ka ulur kurrë pagat e magjistratëve, por sipas tij, ‘përplasjet’ në Gjykatën Kushtetuese kanë qenë vetëm për masën e rritjes së pagave të gjyqtarëve e prokurorëve.

Teksa e cilësoi të rëndësishme pavarësinë financiare të sistemit të Drejtësisë, Manja tha gjithashtu se e rëndësishme është edhe menaxhimi i financave publike për Kuvendin.

“Nisma të tilla që prekin buxhetin e shtetit kërkojnë mendimin e Këshillit të Ministrave. Ka një pretendim këtu se nisma që do votojmë këtu është tërësisht e ndryshme nga varianti fillestar i depozituar nga nismëtarët. Jo të nderuar kolegë. Kjo që ju bëni këtu se ju qan shpirti për pagat e gjyqtarëve e prokurorëve, është politikë. Është e vërtetë se pas miratimit në vitin 2016 kemi shkuar disa herë në Kushtetuese, por asnjëherë nuk kemi shkuar si një përplasje mes legjislativit e gjyqërorit, por për masën e rritjes së pagave e prokurorëve. Mazhoranca nuk ka bërë ulje të pagave për magjistratët. Pavarësia financiare e sistemit të Drejtësisë është e rëndësishme, por edhe përgjegjësia e menaxhimit të financave publike është shumë e rëndësishme për Kuvendin e Shqipërisë”, tha mes të tjerash Manja.


Lajmi kryesor:

Kuvend/ Pagat e magjistratëve, PS propozon rritje sa 2% e pagës së Presidentit! Bardhi: Puç kushtetues, votojmë kundër! Malaj: Si u kërcënuan punonjësit e Thesarit nga prokurori