Maqedoni e Veriut/ LSDM-ja miraton kandidatët për postet e ministrave

Maqedoni e Veriut/ LSDM-ja miraton kandidatët për postet e ministrave

Dimitar Kovaçevski

Në Maqedoninë e Veriut, Këshilli Ekzekutiv dhe ai Qendror i Lidhjes Social Demokrate, miratuan të hënën mbrëma propozimin e kryetarit të partisë dhe i mandatuar për formimin e qeverisë, Dimitar Kovaçevski, për kandidatët për ministra nga radhët e kësaj partie.

Në listë ndodhen emrat e disa prej kandidatëve të përfolur më herët në median lokale, ndërsa për disa syresh as shtypi i afërt me social-demokratët nuk kishte parashikuar se do të bartin poste ministrore.

Nikolla Tupançevski do të jetë kandidat për ministër të Drejtësisë. Ai është profesor universiteti dhe jurist i njohur. Kabineti i zotit Kovaçevski do të ketë katër gra në poste ministrash: Slavica Gërkovska do të marrë postin e Zëvendës-kryeministres e ngarkuar për luftën kundër korrupsionit dhe kriminalitetit. Ajo ka qenë deputete e partisë në një prej mandateve të kaluara.

Drejtorja e deritanishme e Inspektoratit të Punës, Jovana Trençevska, do ta drejtojë Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, ndërsa deputetes aktuale, Bisera Kostadinovska Sojçevska, i besohet Ministria e Kulturës. Zëvendës-ministrja e Rendit, Sllavjanka Petrovska, do të drejtojë Ministrinë e Mbrojtjes.

Ndërkohë, ministri aktual i Drejtësisë, Bojan Mariçiç, kalon në atë të Integrimeve Evropiane; zëvendës-kryeministri për çështjet e ekonomisë, Fatmir Bytyqi, vazhdon në postin e njëjtë, teksa Lupço Nikollovski kthehet në krye të Ministrisë së Bujqësisë ku kishte qenë para se ta ushtronte postin e Zëvendës-kryeministrit për luftën kundër korrupsionit. Edhe Oliver Spasovski, Bllagoj Boçvarski e Goran Milevski, do të vazhdojnë t’i mbajnë postet e ministrave të Punëve të Brendshme, përkatësisht të Transportit dhe të Pushtetit Lokal.

Kreu social-demokrat dhe i mandatuar për formimin e kabinetit qeveritar, Dimitar Kovaçevski tha se këta janë njerëz të dëshmuar dhe të miratuar njëzëshëm nga partia.

Ai do ta dorëzojë të martën në parlament propozimin me emrat e kandidatëve për ministra, ndërkohë që kryetari i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi pritet ta caktojë seancën për më 15 dhe 16 janar.

Bashkimi Demokratik për Integrim nuk ka bërë ndryshime të përfaqësuesve të tij në qeveri, përveç se ndërrimit të Ministrisë për Shoqërinë Informatike me atë të Arsimit, të cilën do ta drejtojë Jeton Shaqiri. Artan Grubi mbetet Zëvendës-kryeministër i parë; Bujar Osmani - Ministër i Jashtëm; Fatmir Besimi – i Financave, Kreshnik Bekteshi – i Ekonomisë, Naser Nuredini, Ministër i Ambientit jetësor.

Ndërkohë, partisë Alternativa i lihen ministria e Shëndetësisë, ajo e Shoqërisë Informatike dhe një ministër pa portofol, i cili më pas do të ngarkohet me çështjen e diasporës.

Shumica parlamentare ka 64 vota në parlament, të mjaftueshme për ta miratuar kabinetin e ri qeveritar.

Kovaçevski theksoi se qeveria e tij do të përqendrohet tek zbutja e krizës energjetike, përballja me pandeminë e koronavirusit dhe lufta kundër korrupsionit, ndërkohë që premtoi rritjen e pagave dhe pensioneve. Sikundër ishte zotuar edhe pararendësi i tij Zoran Zaev, edhe mandatari Kovaçevski tha se paga mesatare mujore do të jetë 500 euro./VOA/

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

‘Giro d’Italia 2025’ nis nga Shqipëria, jehonë në mediat e huaja

‘Giro d’Italia 2025’ nis nga Shqipëria, jehonë në mediat e huaja