Maqedoni e Veriut/ VMRO fitore të thellë në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale! Pritet qeveri me koalicion shqiptar! BDI forcë e dytë

Maqedoni e Veriut/ VMRO fitore të thellë në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale! Pritet qeveri me koalicion shqiptar! BDI forcë e dytë

Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski duke festuar

MAQEDONI E VERIUT- Partia opozitare VMRO-DPMNE ka siguruar një fitore të thellë në zgjedhjet e dyfishta në Maqedoninë e Veriut që u mbajtën më 8 maj, ato parlamentare dhe balotazhin për presidentin e vendit. VMRO-DPMNE ka fituar 58 vende nga 120 në total, një fitore që nuk e kishin parashikuar as vetë drejtuesit e saj. Për formimin qeverisë nevojiten 61 vende, ndërsa pritet të nisin negociatat me koalicion shqiptar ‘VLEN’ për formimin e qeverisë.

Edhe kandidatja e kësaj partie për postin e presidentit, Gordana Siljanovska Davkova, shënoi fitore të thellë në balotazhin e 8 majit. Ajo mori 560 mijë vota ose 65 për qind kundrejt 251 mijë votave apo 29 për qind sa fitoi kandidati social-demokrat, Stevo Pendarovski, i cili garoi për një mandat të dytë.

Pendarovski uroi fituesit, por pa e përmendur me emër zonjën Siljanovska – Davkova, ndërsa kritikoi “ata të cilët penguan mijëra qytetarë të marrin fletëvotimet për të votuar në balotazhin presidencial”, siç u shpreh, me gjasë duke aluduar për Bashkimin Demokratik për Integrim, i cili vlerësohet se bëri një bojkot në heshtje të balotazhit.

“Koncepti im për një Maqedoni multietnike, plotësisht të integruar në strukturat euroatlantike, fatkeqësisht nuk mori mbështetjen e shumicës nga qytetarët. Megjithatë, jam thellësisht i bindur se vetëm një Maqedoni e tillë mund të jetë një shtet i begatë dhe demokratik”, tha Pendarovski.

Në bllokun politik shqiptar festuan të dy koalicionet. Fronti Evropian në krye me Bashkimin Demokratik për Integrim mori 19 vende dhe kjo e bën këtë koalicion forcën e dytë më të madhe politike pas VMRO-së, që ndodh për herë të parë në historinë bashkëkohore të Maqedonisë së Veriut. Koalicioni “VLEN” ku bëjnë pjesë Lëvizja Besa, Lëvizja Demokratike, Alternativa dhe fraksioni i Aleancës për Shqiptarët, siguroi 13 vende në parlament. Por, drejtuesit e këtij koalicioni e cilësojnë si fitore bindëse dhe historike rezultatin e tyre në zgjedhjet e së mërkurës, mbase jo për shkak të numrave, por për faktin se presin të jenë pjesë e koalicionit të ri qeveritar. Fronti Evropian fitoi 137 mijë vota në të gjashtë zonat zgjedhore të vendit, ndërsa VLEN-i 107 mijë vota.

Koalicioni i udhëhequr nga Lidhja Social Demokrate, që aktualisht është në pushtet, konsiderohet edhe si humbësi më i madh, pasi sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve rezulton të ketë marrë 18 deputetë apo 144 mjë vota në të gjashtë njësitë zgjedhore të Maqedonisë së Veriut. Drejtuesi Social-demokrat, Dimitar Kovaçevski e pranoi humbjen dhe uroi kundërshtarët politikë për fitoren, ndërkohë që një pjesë e zyrtarëve të lartë të LSDM-së kanë paralajmëruar dorëheqjet nga postet e larta të partisë. Ky është rezultati më i keq që mbahet mend ndonjëherë për LSDM-në në zgjedhje, që nga pavarësia e vendit.

Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski tha se ka biseduar me drejtuesit e koalicionit VLEN, Arben Taravarin, Bilall Kasamin dhe Izet Mexhitin dhe sot do të nisë takimet për formimin e qeverisë së re. Mickovski akuzoi BDI-në për përpjekje për bojkotimin e balotazhit presidencial, por siç u shpreh ai: “qeveria ra dhe populli e shpëtoi shtetin”.

“Kriminaliteti, korrupsioni, paaftësia, vlerat e rreme, shteti i kapur, tenderat, nepotizmi, gjëra që bënë shtetin të vuajë dhe popullin të dëshpërohet, sonte u mundën”, tha zoti Mickovski, duke kërcënuar se, “100 persona të BDI-së dhe LSDM-së do të përgjigjen për bëmat e tyre”.

Fitorja e VMRO-së është e thellë dhe nuk pritet që ajo t’i ofrojë partisë shqiptare një numër të përafërt të ministrive siç kishte BDI-ja dhe Aleanca për Shqiptarët në qeverinë me LSDM-në.

Partia “Znam” e kryetarit të Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski ka siguruar 5 vende në parlament dhe ka gjasa të mëdha të hyjë në koalicioni e ri qeveritar. Nëse ndodh kjo, atëherë shumica e pritshme parlamentare do të ketë 77 ligjvënës, shumë afër numrit të dy të tretave. Partia nacionaliste “E Majta” fitoi 6 vende në parlament, që po ashtu vlerësohet një sukses për të, duke patur parasysh se në mandatin aktual ka vetëm dy ligjvënës.

Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, dalja në zgjedhjet parlamentare ishte 53.15 për qind, ndërsa qytetarët votuan për 17 parti dhe koalicione të cilat garonin për deputetë të Parlamentit të ri. Organet e rendit njoftuan për incidente të vogla nëpër disa komuna si ngjitje e pankartave dhe shpërndaje e fletëpalosjeve apo agjitim në Tetovë, Shkup, Kumanovë dhe në disa vendbanime të tjera.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:48
Zgjedhjet e dyfishta në Maqedoninë e Veriut, ministri Hasani: Përshëndes rezultatin historik të shqiptarëve

1709730498_iglihasani.jpg

Ministri i Jashtëm, Igli Hasani ka përshëndetur rezultatin e dy koalicioneve shqiptare në zgjedhjet e dyfishta në Maqedoninë e Veriut. Hasani shkruan se ky është një rezultat historik.

“Përshëndes rezultatin historik të shqiptarëve në zgjedhjet e 8 Majit 2024 në Maqedoninë e Veriut.

Për të gjithë ne, e tashmja ka vetëm një emërues të përbashkët: bashkëjetesën mes etnive, feve e kulturave në harmoni e respekt të ndërsjellë.

E ardhmja lëviz vetëm në një kah: drejt Bashkimit Europian dhe familjes së vendeve demokratike”, shkruan Hasani.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • arturi: 09/05/2024 10:24

    uroj qe shqiptaret te behen bashke dhe te mos percahen per disa karrige qeveritare por te punojne per zhvillimin e komunitetit shqiptare qe te mund te behet sa me qendror ne MV

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Të burgosur prej vitesh në Kinë, lirohen tre amerikanët e burgosur, marrëveshja e rrallë diplomatike me Pekinin

Të burgosur prej vitesh në Kinë, lirohen tre amerikanët e burgosur, marrëveshja e rrallë diplomatike me Pekinin