Maqedoni e Veriut/ Tubimet e fushatës elektorale, Ali Ahmeti kërkon të mos përsëritet gabimi i vitit 2006

Maqedoni e Veriut/ Tubimet e fushatës elektorale, Ali Ahmeti kërkon të mos përsëritet gabimi i vitit 2006

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti

Qytetarët do të vendosin se kush do të jetë pjesë e Qeverisë në Maqedoninë e Veriut, tha lideri i BDI-së, Ali Ahmeti në tubimet partiake, duke iu përgjigjur kështu deklaratës së liderit të VMRO-DPMNE, se "është koha që BDI të zëvendësohet me parti që do të punojnë për një siguri dhe të ardhme për të gjithë qytetarët".

Pasi Hristijan Mickoski e përmendi koalicionin opozitar "Vlen” si partner potencial të VMRO-DPMNE-së në qeverisjen e ardhshme, BDI kujtoi gabimin e vitit 2006 kur në qeveri hyri partia e dytë e shqiptarëve dhe jo fituese.

"Opozita nuk duhet të bëjë gabimet që i ka bërë ish-kolegu im në vitin 2006 – partia e atëhershme e ka bërë këtë gabim dhe e ka paguar çmimin e lartë”, ka thënë Ahmeti në Dibër. Në vitin 2006, VMRO-DPMNE formoi një qeveri me PDSH-në, një parti që atëherë fitoi më pak vende se BDI.

"Ne shqiptarët nuk jemi përfaqësues të një pakice, ne jemi përfaqësues legjitimë të shumicës dërrmuese të shqiptarëve dhe tani Fronti përfshin komunitetin rom, turk dhe boshnjak. Populli vendos”, tha Ahmeti në Dibër.

Миckovski: Mos dërgoni emisarë

Mickoski, nga ana tjetër, beson se koha e BDI-së ka kaluar.

"BDI si parti politike erdhi në pushtet me një histori të të drejtave të njeriut dhe përfundoi si parti që ankohet për të drejtat e njeriut dhe vjedh si të vetët ashtu edhe të tjerët. Kjo është arsyeja pse në këto zgjedhje duhet thënë atyre - se koha e tyre ka kaluar! Është koha për përgjegjësi”, tha ai në tubimin e mbrëmshëm në Manastir.

Nga aty ai publikisht i ka dërguar mesazh BDI-së – të mos i dërgojnë asnjë emisar apo emisare.

"Këto ditë më kanë vërshuar mesazhet që më dërgojnë. Unë kam qenë gjithmonë i drejtpërdrejtë - mos më dërgoni nëpër kanale të ndryshme ata emisarët dhe korrierët që thonë - kam menduar të bëj koalicion pas zgjedhjeve. Nuk e di nëse e dini apo jo, por unë nuk jam Kovaçevski, as paraardhësi i tij. Me mua nuk ka pasur dhe nuk do të ketë marrëveshje të tilla në dëm të popullit dhe nën tavolinë”, tha Mickoski për BDI-në.

Ahmeti hedh poshtë pretendimet se ka dërguar emisarë. Ai thotë se në politikë ka hyrë si kryengritës dhe se populli e ka votuar për 22 vjet.

"Kam formuar një front me partitë politike shqiptare. Këtë front e kam bërë të pathyeshëm duke përfshirë komunitetet që ju i përbuzni, siç janë komuniteti turk, rom dhe boshnjak. Ne po mundohemi që kjo Kushtetutë, të cilën e bëmë edhe më afër qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, të përfshijë komunitetin bullgar, egjiptian, malazez dhe kroat. Marrëveshja e Ohrit dhe ndryshimi i statusit politiko-juridik të shqiptarëve nuk e shkatërroi Maqedoninë”, tha Ahmeti.

Ahmeti: UÇK-ja e shpëtoi Maqedoninë

Mickoski ka kritikuar edhe thirrjet e fundit të Ahmetit në sheshin e Shkupit "UÇK, UÇK...”, ndërsa në të njëjtën kohë BDI flet për Evropën dhe vlerat evropiane. "Ata fshihen pas perdes ‘Evropa'. E derisa kanë gojën plot me Evropë, dhe Kovaçevski i dëgjon me përulësi dhe gjunjëzohet para Ahmetit, ne i dëgjojmë ata në mes të Shkupit duke brohoritur UÇK, UÇK”, kritikoi kryetari i VMRO-DPMNE-së nga tubimi në Manastir.

Për Ahmetin, ajo brohoritje nuk është kontestuese, sepse UÇK-ja e shpëtoi Maqedoninë. Ai theksoi se së bashku duhet të ndërtojmë paqen, stabilitetin, standardet evropiane dhe të luftojmë krimin dhe korrupsionin.

"Ky shtet e ka vendin në Evropë dhe për këtë vend duhet të punojmë bashkë, maqedonas dhe shqiptarë, e të mos kthehemi në të kaluarën dhe të hidhërohemi pse unë i kam brohoritur "UÇK-së”. UÇK-ja është krenaria shqiptare, e UÇK-ja e shpëtoi Maqedoninë”, tha Ahmeti.

Kovaçevski: Kjo nuk është rruga për të shkuar në Evropë

Lideri i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, nga tubimi i mbrëmshëm në Krushevë, u drejtua me thirrjet se në mitingje duhet të jenë edhe flamujtë evropianë.

"Nuk mund ta quash veten Fronti Europian dhe të shesësh një ide të së ardhmes në Europë, e të mos kesh një flamur të vetëm europian në mitingje dhe të bërtasësh slogane që na kthejnë më shumë se 20 vjet në të kaluarën, të cilën e kemi varrosur dhe harruar. Të dashur maqedonas, shqiptarë dhe të gjitha bashkësitë e tjera etnike që jetoni në Maqedoni, jemi bashkë me të gjithë ju dhe ju bëjmë thirrje që të mos na lejoni që brenda natës ta shkatërrojmë bashkëjetesën multietnike për të cilën po punojmë shumë për ta ndërtuar për më shumë se tre dekada. Nuk kemi vend tjetër. Fëmijët tanë kanë lindur këtu, ata duhet ta ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu”, tha Kovaçevski.

Ai i bëri thirrje VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së që të ndalojnë përdorimin e parullave që mund të shkaktojnë intolerancë ndëretnike, vetëm për të fituar disa pikë më shumë politike./ DW

G.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë