/ATSH/.- Në Kumanovë sot situata është e qetë dhe Ministria e Brendshme ka vazhduar masat e sigurisë me bllokimin e një rruge kryesore, në të cilën gjenden të gjitha institucionet.
Lëvizja nuk lejohet vetëm për makina, ndërsa kalimtarët mund të lëvizin lirshëm nëpër këtë rrugë, informon agjencia maqedonase e lajmeve INA. Ministria e Punëve të Brendshme deklaroi mbrëmë se janë ndërmarrë masa shtesë sigurie në Kumanovë, por duke mos dhënë detaje.
Kryetari i komunës së Kumanovës, Zoran Damjanovski, theksoi se bllokimi i këtyre rrugëve nuk duhet të shërbejë si qëllim për panikë dhe spekulime.
Një javë më parë, në Kumanovë ndodhi sulmi i policisë në lagjen e Trimave kundër një grupi të armatosur, që më pas shpërtheu në përleshje dhe dorëzim vullnetar të grupit të armatosur, pas një negociimi të organizuar.
Në këto përleshje deri tani rezulton të jenë të vrarë 8 policë dhe ka 37 të plagosur, ndërsa nga ana e grupit të armatosur, sipas policisë, deri tani janë identifikuar 10 të vrarë. Ndërsa policia arrestoi 28 pjestarë të grupit të armatosur, prej tyre 23 shtetas të Kosovës.