SHKUP - Gjithnjë e më shumë po rritet kërkesa për mësimin e gjuhës amtare për fëmijët e emigrantëve që jetojnë jashtë vendit. Ministria e Arsimit dhe e Shkencës e Maqedonisë po punon për sigurimin e mësuesve.

Sipas disa të dhënave që i publikojnë shoqatat nga diaspora, numri i fëmijëve të emigranteve gjithnjë e më shumë kanë vështirësi për të komunikuar në gjuhën e prindërve të tyre.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës për vitin 2013 -2014 do të vazhdojë të organizojë mësim në gjuhën amtare për nxënësit nga Maqedonia, që qëndrojnë përkohësisht në vendet e jashtme, raporton DW.

Sipas ministrit të Arsimit, Spiro Ristovski, për momentin janë angazhuar 16 mësimdhënës, ku 13 prej tyre paguhen nga ministria, ndërsa të tjerët janë në procedurën e sigurimit të dokumentacionit, apo vizës përkatëse për qëndrim në ato vende ku do të punojnë.

“Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka për detyrë të organizojë mësim në gjuhën e tyre amtare për fëmijët e qytetarëve të Maqedonisë të cilët përkohësisht qëndrojnë në shtetet e jashtme. Për këtë qëllim përmes konkursit publik zgjidhen arsimtarë, të cilët realizojnë veprimtarinë edukativo- arsimore në Maqedoni në shtetet e tjera, sipas programit arsimor të përpiluar nga Byroja për zhvillim të arsimit”, thotë ministri Ristonski.

Siç raporton DW, në listën e arsimtarëve vetëm në Gjermani janë siguruar 7 mësimdhënës, ku 4 prej tyre janë për gjuhën maqedonase, ndërsa 3 janë të angazhuar për mësimin e gjuhës shqipe.

Në Zvicër figurojnë 3 mësimdhënës, në Suedi nga viti 1981 mësimin në vazhdimësi e mban një arsimtar në gjuhën maqedonase dhe turke, nga një arsimtar që realizon mësim në maqedonisht ka në Francë, Slloveni dhe Turqi.

Në të gjitha këto shtete, mësimin në gjuhën amtare e ndjekin 1.500 nxënës  nga Maqedonia që jetojnë në shtetet perëndimore, prej të cilëve 1150 janë fëmijë, ndërsa 350 janë të moshuar.

Në Gjermani aktualisht vijojnë mësimin 140 nxënës shqiptarë. Shoqatat e mërgimtarëve vlerësojnë se numri i mësuesve shqiptarë duhet të rritet, sepse interesimi për të mësuar gjuhën amtare nga fëmijët e emigrantëve është në rritje e sipër.

Ministria e Arsimit është e gatshme tu përgjigjet të gjitha kërkesave nga ana e diasporës, thotë zëvendësministri i Arsimit, Safet Neziri duke shpjeguar procedurat përkatëse.

“Diaspora po punon në drejtimin e çështjeve procedurale të mbledhjes së nënshkrimeve nga ana e prindërve për arsimin fillor në gjuhën shqipe. Kërkesa u dorëzohet klubeve shqiptare të cilat janë të regjistruara në ato shtete ku jetojnë dhe veprojnë punëtorët tanë. Të njëjtat i dorëzojnë në ambasada, ambasada pastaj i përcjell në Ministrinë e Jashtme të Maqedonisë dhe prej aty vijnë tek ne në Ministrinë e Arsimit. Normalisht në çdo kërkesë të diasporës shqiptare, ne mundohemi të përgjigjemi pozitivisht”, sqaron Neziri.

Me angazhimin e klubeve dhe shoqatave nga diaspora për vitin shkollor 2013-2014 pritet të rritet edhe numri i fëmijëve shqiptarë, që mësojnë në klasat në gjuhën shqipe.

Për të vijuar mësimin në gjuhën amëtare duhet të shfaqin interes vetë familjet, prindërit, pasi nxënësit janë të mitur, shprehet ministri Spiro Ristovski.

 Sipas tij qytetarët e interesuar për vijimin e mësimit në gjuhën amtare duhet patjetër të paraqiten në përfaqësitë diplomatike në shtetin përkatës.

“Në bashkëpunim me përfaqësitë diplomatike qytetarët mund të shfaqin interesimin dhe në bazë të këtij interesimi formohem paralele të cilët ne i përzgjedhim në konkurs pubik që shpallet çdo vit”, shprehet ministri.

SHQIPTARËT NUK I ÇOJNË FËMIJËT TË MËSOJNË SHQIPEN
Mësuesit e fëmijëve shqiptarë në diasporë thonë se kanë vështirësi për të mbledhur një numër sa më të madh të fëmijëve.

Jusuf Bajraktari është arsimtar në Suedi, thotë se në vendin ku punon ka 6 mijë fëmijë shqiptarë nga Shqipëria e Kosova, por fëmijët e familjeve nga Maqedonia janë shumë pak të interesuar për të mësuar gjuhën shqipe.

E njëjta situatë është edhe në Danimarkë, ku madje ka disa fshatra të tëra me shqiptarë nga Maqedonia, por interesimi për mësimin e shqipes është shumë i ulët.

Bajraktari u bënë thirje kryetarëve të komunave në Maqedoni, që të paktën gjatë periudhës së verës, kur mërgimtarët qëndrojnë në vendlindje të informojnë mërgimtarët se në vendet ku ata jetojnë ekzistojnë shkolla për mësimin e gjuhës amtare.

“Mësimi i gjuhës amtare nga fëmijët e familjeve nga Maqedonia është tejet i mangët. Mërgimtarët duhet të alarmohen për rezikun e mosnjohjes së gjuhës amtare”, thotë Jusuf Bajraktari, arsimtar në Suedi.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës e ndjek punën e arsimtarëve në diasporë përmes raporteve mujore, që duhet të dorëzohen në përfaqësitë diplomatike-konsulare. Nxënësit, të cilët vijojnë mësimin në gjuhën amtare, pajisen me dëftesa në përfaqësitë diplomatike-konsulare.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)