TIRANE- I arrestuari nga prokuroria për vendosjen e tritolit poshtë makinës së prefektit të Vlorës, Besnik Dervishaj, i është drejtuar me një rekurs Gjykartës së Lartë, ku kërkon lirimin nga qelia. Marjon Mitro, pasi ka humbur betejën në shkallët e para të gjyqësorit ka vendosur të kundërshtojë vendimin e Apelit dhe atë të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, në Gjykatën e Lartë. Momentalisht dosja penale është rregjistruar në Gjykatën e Lartë dhe se relator i çështjes është zgjedhur Aleksandër Muskaj.

Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Mitro ka qënë njeriu që ka blerë dy herë bomba artizanale tek bashkëpuntori i drejtësisë Julian Sinanaj. Në dëshminë e tij, Sinanaj ka treguar se tritolin me telefon që ia ka shitur Mitros, e ka parë në televizor poshtë makinës së prefektit të Besnik Dervishi. Nga ana tjetër Mitro e quan trillim dëshminë e Julian Sinanaj duke pretenduar se ai nuk mund t’i bënte keq Dervishit, pasi me të kishte njohje.

Nga ana tjetër Dervishi ka mohuar njohjen me Mitron, duke e cilësuar atë si pjesë e klanit të bashkisë Vlorë. Në një mesazh disa ditë para se të arrestohej Mitro i drejtohet kështu Besnik Dervishit: ”Dua t’ju takoj për një problem. Marjon Mitro”. Ky është mesazhi telefonik që është dërguar në mesditën e 25 janarit, pikërisht ditën kur policia e kryeqytetit njoftoi arrestimin e vrasësit me pagesë Julian Sinanaj. Me sa duket Mitro, ka dashur t’i paraprijë situatës, duke kërkuar një takim urgjent me prefektin e Vlorës Besnik Dervishi, ku mendohet se ai ka dashur t’i rrëfejë të vërtetën e atentatit me tritol C4, që u arrit të zbulohet në oborrin e kryeministrisë nga një efektiv i Gardës së Republikës.

Ky mesazh dhe shumë të tjerë janë zbuluar nga ana e Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe se tashmë janë administruar si provë materiale në dosjen penale në ngarkim të 6 personave të proceduar penalisht. Hetuesit e çështjes kanë zbuluar dhe disa thirje telefonike në adresë të Dervishit, që ishin kryer nga numri telefonik i Marjon Mitros, por në fakt Mitro dhe Dervishi nuk kanë komunikuar.

Shkrimi u publikua sot (15.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)