Organi i akuzës ka përfunduar hetimet ndaj Frrokut që aktualisht ndodhet nën masën e sigurisë të "arrestit me burg", masë kjo e vendosur nga Gjykata e Lartë për shkak të postit të deputetit.
Referuar Kodit Penal dhe akuzave të ngritura ndaj Frrokut ai rrezikon 32 vite burg për akuzat përfshi atë me dënimin më të lartë që merr për vrasjen me plot 25 vite
Përmes një njoftimi zyrtar për mediat, Prokuroria e Përgjithshme jep detaje për akuzat e ngritura ndaj Frrokut.
Vrasja ne Belgjike
Akuzën e "vrasjes me paramendim të kryer në bashkë" organi i akuzës ia atribuon ngjarjes së vitit 1999 në Belgjikë ku mbeti i vrarë shqiptari Aleksandër Kurti. Sipas Prokurorisë, ka prova se Mark Frroku në bashkëpunim me tre persona të tjerë, kanë vrarë Kurtin gjatë një përleshje mes tyre, e cila ka shkak përplasjet në aktivitetin e paligjshëm të shfrytëzimit të prostitucionit në Bruksel. Autoritetet e drejtësisë belge e kanë kthyer për rigjykim cështjen ndaj Mark Frrokut, dhe për këtë arsye duke qenë se Frroku është shtetas shqiptar, i krijohet jhapësira prokurorisë sëhitpare të procedojë në të njëjtën kohë me autoritetet belge. Vendimi përfundimtar për Frrokun do të jetë vendimi i formës i asaj gjykate në Belgjikë apo në Shqipëri që do të marrë më shpejt në kohë vendimin.
Fshehja e pasurise
Fshehja e pasurisë është një tjetër vepër penale që rëndon mbi Frrokun, ku prokuroria nisi hetimet pas kallëzimit penal të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesave (ILDKPKI). Prokuroria e akuzon kristiandemokratin Frroku se nuk justifikon me burime të ligjshme pasurinë në vlerë mbi 2 milion dollarë
Pastrimi i parave
Prokuroria e Përgjithshme e akuzon Mark Frrokun se ka pastruar në Shqipëri para të fituara nga veprimtari kriminale, siç është trafiku i lëndëve narkotike për të cilën Frroku është dënuar me 3 vite burg nga autoritetet holandeze në vitin 2002. Në 9 vite, nga viti 1998 kur ka kërkuar azil politik në Belgjikë, deri në vitin 2013 kur u zgjodh deputet i Kuvendit të Shqipërisë, Frroku sipas Prokurorisë - rezulton se ka krijuar 210 milionë lekë të rinj pasuri me burime financiare të panjohura.
"Bazuar ne te dhënat hetimore ka rezultuar se nga viti 1998 deri ne vitin 2007 Mark Frroku ka krijuar pasur ne vlerën 73.863.722 lekë. Lidhur me këtë pasuri prej 73.863.722 lekë ka rezultuar se nuk justifikohet nga burime financiare te njohura. Ne vijim nga viti 2008 deri ne vitin 2013 shtetasi Mark Frroku ka krijuar pasuri ne vlerën 135.763.496 lekë e cila gjithashtu nuk justifikohet nga burime te njohura financiare. Për sa më sipër nga viti 1998, kohë kur shtetasi Mark Frroku ka kërkuar azil politik ne Belgjike dhe deri ne vitin 2013 kur ka bere deklarim pranë ILDKPKI para fillimit të detyrës si Deputet i Kuvendit të Shqipërisë ka rezultuar se ka krijuar një pasuri prej 209.627.218 lekë me burime te panjohura", - thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Ndertimi pa leje
Prokuroria e Përgjithshme e akuzon Frrokun edhe për ndërtim të paligjshëm të një kati shtesë për të cilin kishte aplikuar në ALUIZN-IN e Tiranës për legalizim në 24 nëntor 2014. Ky ndërtim pa leje - thotë organi i akuzës - është bërë mbi një godinë që Frroku ja kishte blerë deputetit Tom Doshi.
Në shtator të vitit 2014 Frroku i bleu Tom Doshit prona të paluajtshme me vlerë 740 milionë lekë të rinj ku përfshihen truall, apartamente, njësi biznesi, garazhe. Por në prill të 2015-ës policia zbuloi se mbi ndërtesën 4 katëshe të ish-Hotel Pensionit (plus një shtesë një kat në të gjithë sipërfaqen e ndërtimit), Frroku po kryente shtesë anësore një kat, pa leje nga organet kompetente.
Doreheqja nga mandati
Pak javë më parë Mark Frroku hoqi dorë nga mandati i deputetit. Nga qelia ai ju drejtua me një letër Kuvendit ku kërkoi që çështja e mandatit të tij të mos vijohej më në Gjykatën Kushtetuese, pasi ai hiqte vetë dorë nga mandati i deputetit. Ky vendim i Frrokut erdhi në të njëjtën ditë që Parlamenti i Shqipërisë diskutonte për projektligjin e dekriminalizimit, ku vetë Frroku tha se u bë "kurban" i këtij ligji.
Ceshtja ne Gjykaten e Tiranes
Çështja ndaj Frrokut do të gjykohet në Gjykatën e Tiranës, pasi me lënien e mandatit ai nuk gëzon më postin e deputetit. Pritet që Gjykata e Lartë të shpallë moskompetencë të gjykimit të çështjes "Frroku".
4 akuzat ndaj Frrokut
Vrasjes me paramendim, e kryer në bashkëpunim
Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive të personave të zgjedhur dhe nënpunësve publikë
Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale
Ndërtim i paligjshëm
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)