ROME- Marrëveshja dypalëshe mes Shqipërisë dhe Italisë për strehimin e emigrantëve është aktivizuar përsëri, pas një ndërprerje mbi dy mujore.
Janë 49 migrantë të shpëtuar në det dhe të hipur në bordin e anijes 'Cassiopea' për t’u transferuar nga brigjet e Lampeduzës në kampin e Shëngjinit, ku do të nisin procedurat e pritjes, qëndrimit dhe vlerësimit të rasteve individuale.
Anija pritet të mbërrije në port mëngjesin e së martes, ndërsa autoritet shqiptare dhe italiane kanë marrë të gjitha masat për kryerjen me sukses të këtij operacioni, i cili është i treti i këtij lloji, raporton gazetari Elvis Hila.
Autoritet portuale në Shëngjin ishin njoftuar se mjeti lundrues do vinte diten e hënë të 27 janarit, por për shkak të fluksit të emigrantëve të cilët janë shpëtuar në det, proçedurat kanë sjellë vonesa. Emigrantet fillimisht do të zbarkojnë në qendren pritëse të Shëngjinit ku do ti nënshtrohen verifikimit dhe kontrollit mjekësor, e më pas do të tranferohen drejt kampit të Gjadrit.
Një fakt domethënës është se 53 migrantë të tjerë kanë dorëzuar vullnetarisht pasaportat e tyre për të shmangur transferimin drejt Shëngjinit, një rrethanë e rëndësishme që mundëson përshpejtimin e procedurave të verifikimit të statusit të tyre, edhe pa qëndrimin e detyruar, duke rritur mundësitë për riatdhesimin e atyre që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në BE, shkruan Corriere della Sera.
Operacionet në det
Anija 'Cassiopea' të cilës i është besuar monitorimi i detit pranë Lampeduzës vazhdon të qëndrojë në ujërat ndërkombëtare, rreth 20 milje në jug të Lampeduzës. Gjatë orëve të fundit, janë zhvilluar disa operacione për transferimin e migrantëve në bordin e Cassiopea-s. Janë ndaluar tetë varka të vogla në det të hapur dhe janë kontrolluar sipas protokollit Itali-Shqipëri. Të 49 migrantët vijnë nga vende të cilat qeveria italiane i ka përfshirë në listën e vendeve "të sigurta," kryesisht nga Egjipti dhe Bangladeshi. Në anije janë dhe 30 roje bregdetare dhe 19 përfaqësues të policisë financiare.
Roja bregdetare ndaloi një varkë me 46 persona (4 prej të cilëve u transferuan menjëherë në Lampedusa për arsye shëndetësore). Nga 42 të mbeturit, 6 u konsideruan të përshtatshëm dhe u dërguan në Cassiopea.
Në një varkë të dytë ishin 60 persona: 14 u ngarkuan në anijen e Marinës Ushtarake.
Në një varkë të tretë të shpëtuar ishin 41 persona, nga të cilët 2 u konsideruan të përshtatshëm.
Në një tjetër varkë ishin 35 persona, por asnjëri nuk u dërgua në Shqipëri.
Nga ana tjetër, policia financiare kontrolloi, 50 milje larg Lampeduzës, një anije me 61 persona, nga të cilët 3 u konsideruan të përshtatshëm;
Një tjetër grup me 48 migrantë (14 të përshtatshëm);
Një anije me 9 persona, të gjithë të zbarkuar në Lampedusa
Një varkë me 44 migrantë, nga të cilët 2 u konsideruan të përshtatshëm.
Rifillimi
Transferimi i emigrantëve në qendrat përtej Adriatikut për një riatdhesim më të shpejtë, për të cilin kryeministrja Meloni ka thënë disa herë se nuk dëshiron të heqë dorë. Pavarësisht se ende nuk është marrë vendimi nga Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian, i parashikuar për 25 shkurt, rifillimi i operacioneve nxitet nga shtimi i zbarkimeve: 1,264 mbërritje në gjashtë ditët e fundit.
Anija "Cassiopea" po përdoret për transferimin e tretë të azilkërkuesve në Shqipëri, pas dy të parëve në tetor dhe nëntor.
Protokolli është testuar. Anijet patrulluese të Gardës Bregdetare ose Guardia di Finanza përgjojnë varkat me emigrantë të drejtuar për në Itali në ujërat ndërkombëtare.
Meshkuj, të rritur, me shëndet të mirë dhe që vijnë nga vende të sigurta - transferohen në Cassiopeia, ku do të bëhet një kontroll fillestar. Mjeti patrullues do t'i çojë më pas në portin e Shëngjinit, ku është ngritur kampi 'italian' dhe do të kryhen procedurat e identifikimit.
Në të njëjtën ditë, azilkërkuesit do të transferohen në qendrën e afërt në Gjadër, ku do të mbahen në pritje të përfundimit të kërkesave të tyre. Ndalimi i urdhëruar nga komisariati i policisë megjithatë do të duhet të vërtetohet nga gjyqtarët e Gjykatës së Apelit.
Ka qenë anija "Libra'' në dy rastet e mëparshme, në tetor dhe nëntor, kur 20 azilkërkuesit e dërguar në qendrat e Shëngjinit dhe më pas të Gjaderit u liruan më pas me vendimet e gjyqtarëve të Gjykatës së Romës që refuzuan paraburgimet. Këtë herë qeveria shpreson për një rezultat më të mirë. Tani ata që do të vendosin nuk do të jenë më magjistratët e seksionit të emigracionit, por ata të Gjykatës së Apelit, siç parashikon ligji i ri i kërkuar nga ekzekutivi dhe që ka hyrë në fuqi më 11 janar.