TIRANË- Lulzim Visha, postieri i vrarë në atentat të premten në Kamëz, dyshohet të ishte përfshirë në konflikte me Ervis Lamin, një personazh me të shkuar kriminale. Hetuesit janë duke gjurmuar këtë pistë, si motiv për vrasjen brenda makinës së postës private të 48-vjeçarit, shumë pranë banesës së tij, teksa nisej për në punë. Burime policore thonë për Report Tv, se konflikti i nisur pak muaj më parë lidhet me një pronë, por më shumë detaje janë duke u hetuar.
Ky konflikt i freskët i bindi blutë për një kontroll të detajuar në shtëpinë e Ervis Lamit, por nuk e gjeti aty. Në një ambient pranë shtëpisë së tij, gjeti një armë zjarri automatike me silenciator me 15 fishekë, një sëpatë, një thikë, një këllëf pistolete “Glok” dhe në oborrin e banesës u gjetën 4 gëzhoja arme. Për këto, policia e shpalli në kërkim 31 vjeçarin dhe arrestoi kushëririn e tij, Eduart Lami, pasi dyshohet se armët përdoreshin nga të dy. Armët u dërguan në laboratorin e Policisë Shkencore për ekspertizë, për të parë nëse janë përdorur në ngjarje kriminale.
Lulzim Visha u qëllua me pistoletë me silenciator, ndërsa makina Porsche e autorëve u gjet e djegur në Zall Herr, bashkë me armën e shkrumbuar.
Por kush është Ervis Lami, i dyshuari i policisë për atentatin?
Në 2013-ën Lami hodhi një granatë pranë Komisariatit të Korçës, truk ndaj policisë, që ndihmoi të arratisen nga burgu i Drenovës 7 të dënuar, përfshirë Admir Tafilin.
Në 2015-ën, Babai i Ervis Lamit, në atë kohë, efektiv i Komisariatit të Kamzës, vendosi bashkë me me një tjetër 500 gramë tritol në makinën e një kolegu polic, pasi i ndaloi të birin që udhëtonte në makinë pa dokumentacion. Makina e efektivit Shkurt Toplana u shkatërrua por për fat të mirë pa probleme për objektivin e sulmit.
Me gjithë hetimet që po orientohen drejt kësaj piste, efektivët konsiderojnë edhe një gjakmarrje të mundshme, pasi vëllai i të ndjerit, Besnik Visha vrau një polic në vitin e mbrapshtë, 1997.
Report Tv ka siguruar foton e 48-vjeçarit Lulzim Visha që u vra dje në atentat në Kamëz. Visha punonte si postier dhe në momentin kur është qëlluar po shkonte në punë.
Autorët i kanë zënë pritë me një mjet ‘Porsche’, të cilin e dogjën në Zall Herr dhe në të dyshohet se është gjetur edhe arma e krimit.
Policia e Tiranës ka reaguar pas kontrolleve që janë ushtruar në Kamëz pas vrasjes së postierit, Lulzim Visha. Siç raportoi edhe Report Tv, kontrolle janë ushtruar në banesën e Ervis Lamit, ku është gjetur një armë zjarri automatike me silenciator dhe municion luftarak, 15 copë fishekë luftarak, një sopatë, një thikë, një këllëf pistolete glok dhe në oborrin e banesës janë gjetur 4 gëzhoja armë. Në pranga është arrestuar djali i xhaxhait, Eduart Lami.
"Kontrolle intensive dhe punë profesionale hetimore për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve të vrasjes së 48-vjeçarit, mëngjesin e djeshëm në Kamëz. Në kuadër të kontrolleve bazuar në inteligjencën policore, Strukturat hetimore dhe operacionale të DVP Tiranë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Silenciatori”, goditën një rast të armëmbajtjes pa leje.
Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit Ervis Lami, në rrugën Paqësore, Zall Mner, Kamëz, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatike me silenciator dhe municion luftarak, 15 copë fishekë luftarak, një sopatë, një thikë, një këllëf pistolete glok dhe në oborrin e banesës janë gjetur 4 gëzhoja armë .
Në vijim të veprimeve hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Eduart Lami, 37 vjeç, banues në Kamëz, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armeve të ftohta”.
Po në kuadër të operacionit si rezultat i veprimeve hetimore u bë shpallja në kërkim dhe vijon puna për kapjen e shtetasit Ervis Lami, 31 vjeç.
Nga tërësia e veprimeve paraprake hetimore, administrimit të provave dhe fakteve, rezulton se banesa ku janë gjetur sendet e kundraligjshme është në posedim të shtetasit E.L dhe përdoret nga të dy shtetasi Eduart Lami 37 dhe Ervis Lami31 vjeç.
Arma e zjarrit, gëzhojat si dhe sendet e tjera të sekuestruara në banesë po dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore për ekzaminime të mëtejshme për të parë nëse kjo armë zjarri është përdor në ngjarje kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme", njofton policia.