Marrëveshje me Italinë për emigrantët u miratua sot vetëm me votat e PS-së në komisonin e ligjeve dhe në Komisionine Jashtëm. Mbledhja u mbajt online.
Në Komisionin e Jashtëm ministri i Brendshëm Taulant Balla dha shpjegime në lidhje me marrëveshjen si dhe u ndal në disa nga elementet kyçe të saj siç janë numri i përgjithshëm i mundshëm i migrantëve, afati i qëndrimit dhe daljes përfundimtare nga qendra.
“Përmes këtij protokolli, theksoi ministri Balla - Shqipëria i jep në përdorim qeverisë italiane një sipërfaqe pasurie shtetërore për ngritjen e strukturave ku do të akomodohen emigrantët e parregullt që kërkojnë të shkojnë në Itali. Nuk bëhet fjalë për asnjë lloj forme të cedimit të territorit, pasi ato mbeten territore të Republikës së Shqipërisë, por ne japim të drejtën e përdorimit të përkohshëm të një sipërfaqeje të caktuar paraprakisht në marrëveshje”.
Duke shpjeguar çështjen e kostove financiare të marrëveshjes, Ministri Balla nënvizoi faktin që të gjitha shpenzimet për zbatimin e këtij protokolli i përkasin palës italiane e cila do të duhet të paguajë edhe çdo kosto tjetër që mund t’i vijë Shqipërisë si pasojë e zbatimit të tij, përmes procesesh gjyqësore nga migrantët që kërkojnë azil.
"Sqaroj që edhe për pjesën e sigurisë jashtë perimetrit, e cila do të mbulohet nga pala shqiptare, pra Policia e Shtetit, do të jetë pala italiane ajo që duhet të paguajë shpenzimet pranë kësaj qendre pritëse", tha Balla.
Ai sqaroi detaje të marrëveshjes që janë keqinterpretuar në publik që kanë të bëjnë me numrin e përgjithshëm të azilkërkuesve, periudhës së qëndrimit dhe afatit përfundimtar të daljes nga qendra.
“Sqaroj diçka, - tha Balla, - që mund të keqinterpretohet, numri i migrantëve në territorin shqiptar, nuk mund të kalojë shifrën 3,000 persona. Koha e shqyrtimit të kërkesës për azil është rreth 28 ditë dhe në përfundim, qoftë pozitive, qoftë negative, aplikanti kthehet mbrapsht në Itali ose vendin e origjinës, pra asnjë nuk mund të qëndrojë në Shqipëri. Edhe në rast se migranti ka nevojë për trajtim mjekësor në spitale shqiptare, shpenzimet mbulohen gjithashtu nga pala italiane dhe brenda periudhës së përcaktuar, pra brenda 1 muaji".
Marrëveshja me emigrantët për Italinë pritet që të miratohet në seancën e plenare të kësaj të enjtje, pra më datë 14 dhjetor.