Marrëveshja e njoftuar nga kryeministri Rama dhe homologia italiane Meloni për emigrantët, është komentuar për herë të parë nga Partia Socialiste. I pyetur nga mediat, kryetari i Komisionit të Sigurisë Nasip Naço thotë se ajo do të kalojë në parlament dhe për diskutim në komisionet parlamentare.

‘Besoj se ju e dini mirë që në bazë të kushtetutës por edhe rregullores se Kuvendit të gjitha marrëveshjet ratifikohen në Kuvend dhe do të kalojë dhe tek komisioni i Sigurisë dhe tek Komisioni i Jashtëm dhe të jeni të bindur do të keni edhe qëndrimin tim zyrtar.’- tha Naço.

Një ditë më parë (6 nëntor) Shqipëria dhe Italia nënshkruan një memorandum shumë të rëndësishëm mirëkuptimi në menaxhimin e flukseve migratore. Kjo u bë me dije nga në një konferencë të përbashkët për media, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni.

Marrëveshja ka tre objektiva: të luftojë trafikimin e paligjshëm, parandalimin e flukseve të parregullta dhe mirëpritjen e atyre që kanë vërtet të drejtën e mbrojtjes. Shqipëria do të japë mundësinë e përdorimit të dy zonave në portin e Shëngjinit dhe në Gjadër, në të cilat Italia do të mund të krijojë dy qendra për menaxhimin e emigrantëve të paligjshëm me shpenzimet e saj dhe nën juridiksionin e saj.