Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të dielën se nafta që Shtetet e Bashkuara do të marrin nga marrëveshja e arritur së fundmi me Venezuelën do të përdoret për të rimbushur Rezervën Strategjike të Naftës, e cila është pakësuar ndjeshëm gjatë viteve të fundit për shkak të ndërhyrjeve për të përballuar problemet me furnizimin global dhe çmimet e larta të karburanteve.

Në një postim në rrjetet sociale, Trump tha se procesi për rimbushjen e rezervës do të nisë së shpejti, duke e cilësuar naftën venezueliane si një “dhuratë nga Venezuela për popullin e Shteteve të Bashkuara”.

Megjithatë, mbetet e paqartë se sa shpejt marrëveshja me Venezuelën mund të sigurojë naftë për rezervën strategjike dhe nëse ajo mund të sjellë përfitime të menjëhershme për drejtuesit e automjeteve në SHBA.

Marrëveshja, të cilën Trump e njoftoi të premten, synon të ringjallë industrinë e dëmtuar të naftës në Venezuelë. Megjithatë, përpara se prodhimi të mund të rritet ndjeshëm, do të nevojiten investime të konsiderueshme dhe ndërhyrje në infrastrukturë.

Më 21 gusht, Rezerva Strategjike e Naftës e SHBA-së kishte rreth 290 milionë fuçi, duke qenë pranë nivelit më të ulët të 44 viteve të fundit.

Shtetet e Bashkuara kanë përdorur sasi të konsiderueshme të rezervës si gjatë administratës Biden, ashtu edhe gjatë administratës Trump, për t'iu përgjigjur ndërprerjeve të furnizimit global, përfshirë ato të shkaktuara nga pushtimi rus i Ukrainës dhe konflikti me Iranin.