Marrëveshja paszgjedhore PD-LSI, që ëndërron kthimin e ''tepsisë'' në një qeveri pa timon  

Marrëveshja paszgjedhore PD-LSI, që ëndërron kthimin e ''tepsisë'' në një qeveri pa timon  

Marrëveshja paszgjedhore PD-LSI, midis Monika Kryemadhit dhe Lulzim Bashës, e nënshkruar pardje nën ritmin e himnit kombëtar, vë në pikëpyetje të gjithë fushatën elektorale të zhvilluar deri më sot nga Pd dhe LSI dhe dhjetëra premtime elektorale të bëra nga Lulzim Basha për votuesit. Si në çdo koalicion, në fakt, është programi politik i koalicionit që dikton agjendën e qeverisë së ardhshme, dhe jo ëndrrat pak a shumë realiste të shprehura nga partitë që janë pjesë e tij. Basha ka prezantuar shumë angazhime të programit të tij deri më sot si për shembull taksa e sheshtë me 9%, ulje e sigurimeve shoqërore, rritje pensionesh, reformë shëndetësore, reforma e ligjit për ish pronarët, mbështetje për ish të përndjekurit politikë, etj. Por ato zhduken në 11 angazhimet që Basha dhe Kryemadhi janë zotuar se do t'i kryejnë së bashku.

Duke lexuar marrëveshjen PD-LSI, bëhet e qartë se as nënshkruesit e saj nuk besojnë në mundësinë e fitimit të zgjedhjeve. Pavarësisht se kanë qenë së bashku për më shumë se dy vjet në lëvizjen e opozitës së bashkuar dhe pavarësisht se ndanë bashkë të gjitha vendimet për të tentuar shkatërrimin e qeverisë aktuale, ajo platformë tregon në fakt se dy forcat kryesore të opozitës nuk kanë harxhuar as edhe një orë për të vendosur së bashku se çfarë të ndërtojmë për të ardhmen e vendit. Marrëveshja PD-LSI është vetëm një fletë letre e shkruar pa asnjë besim në përdorimin e saj të vërtetë dhe që ka një funksion të vetëm: të lejojë Ilir Metën, pas votimit të 25 Prillit, të jetë në gjendje të caktojë Lulzim Bashën të krijojë qeverinë në koalicion me gruan e tij Monikën, në supozimin se Partia Socialiste, megjithëse është forca e parë politike, nuk do të ketë të paktën 71 mandate. Prandaj, kjo marrëveshje është arma që presidenti do të përdorë për të interpretuar në favor të tij boshllëkun që Kushtetuta lë në këtë pikë dhe i mohon Edi Ramës mundësinë e negocimit të një mazhorance të re paszgjedhore. Edi Rama, i bindur për kapërcimin e 71 mandateve, nuk i kushton vëmendje këtij aspekti, por opozita padyshim që po mendon për këtë.

Nëse koalicioni i udhëhequr nga PD dhe LSI do të arrijë të paktën 71 mandate së bashku, do të ishte normale që ata të merrnin mandatin për të krijuar qeverinë e re, edhe pse asnjë prej tyre individualisht nuk ka marre shumica të mandateve. Problemi dhe përplasja e mundshme, do të shpërthente në vend nëse asnjëri nga të dy grupet, as PD dhe LSI së bashku, as PS vetëm, nuk do të arrinin një shumicë absolute. Kë do të caktojë Ilir Meta për të negociuar një koalicione qeveritare paszgjedhore? Marrëveshja e nënshkruar dje u konceptua gjithashtu me këtë perspektivë në mendje, domethënë, për të lidhur LSI dhe PD me të njëjtin fat dhe për të parandaluar që LSI ose PD të bëjnë vetëm negociata me Partinë Socialiste. Më shumë sesa konfirmimi i unitetit të tyre, kjo marrëveshje duket se është provë e mosbesimit që ndan dy forcat kryesore të opozitës.

Por cila linjë politike do të mbizotërojë një qeverie të mundshme midis PD dhe LSI? Sondazhet parazgjedhore, por edhe historia elektorale e Partisë Demokratike në 30 vjet pluralizëm dhe shfuqizimi i koalicioneve me listat përbërëse të votuar nga Partia Socialiste falë braktisjes së parlamentit nga kundërshtarët, konfirmojnë se nuk ka asnjë mundesi që Lulzim Basha me koalicionin e tij të jetë në gjendje të arrijë 71 mandatet e nevojshme për të qeverisur. Shansi i vetëm që ai të bëhet kryeministër është që Monika Kryemadhi të arrijë të ndalojë kolapsin që pritet për partinë e saj dhe të marrë një numër mandatesh që, shtuar me ato të fituara nga Basha, arrijnë të paktën 71. Paradoksi i kësaj historie është se Lulzim Basha nuk do të jetë kurrë në gjendje të marrë timonin i vetëm, të fituar nga Edi Rama në 2017, dhe se në vend të kësaj, ai do të trashëgojë tepsinë që Rama e pat refuzuar.

Kjo shpjegon pse 11 pikat e përfshira në marrëveshje janë të vetmet që mbajnë PD dhe LSI së bashku, dhe se pikërisht për këtë arsye, ato janë argumente gjenerike dhe pa asnjë angazhim konkret. Në ato 11 pika nuk përmendet asnjë nga pikat kryesore të debatit politik, të zhvillimit ekonomik të vendit, se si ata do të luftojnë papunësinë, çfarë do të bëjnë me reformën në drejtësi, si do të përballen me Covid, si do të vazhdojë rindërtimin pas tërmetit., si do ta ndalojnë emigracionin, si do të luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar. Asnjë angazhim, vetëm flluska sapuni. Të dy forcat politike, të dënuara për të fituar ose humbur së bashku, janë të vetëdijshme se asnjë nga premtimet e bëra deri më tani nuk mund të mbahen dhe ata e dinë mirë që nuk bien dakord për asgjë në mënyrë që të jenë në gjendje të propozojnë të reja. Skuadra e deputetëve të LSI do të kushtëzojë çdo zgjedhje të deputetëve të PD dhe anasjelltas. Kjo është arsyeja pse është e qartë për të gjithë që ajo qeveri, nëse do të lindte ndonjëherë, në të vërtetë do të jetë qeveria e Berishës dhe Metës, të dy të stërvitur tashmë në tetë vitet e qeverive të mëparshme, për të bashkëjetuar mes kompromiseve. Asnjë shpresë për ndryshim, pra, por vetëm një kthim i trishtuar në të kaluarën

xy/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ben: 04/03/2021 03:49

    Kur thone partite politika ne Shqiperi,kemi programin,programi yne, keshtu e ashtu,do zbatojme programin etj etj,me vjen per t'vjellë.Futja kot,si gjithmone,biles Pd-ja e ka bo me specialistet me t'mire gjermon-thote-programin.Pastaj dalin ekonomisto deputeto budallenj ta mbrojn,promovojn etj.P.sh. e mbron Albana Vokshi,e kuptoni ku jemi?Kur kemi tipa si Albana,Gjuzi & Co, deputet,jemi ne rregull fort.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale