Shqipëria do të përfitojë një kredi direkte prej 302 milionë dollarësh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në kuadër të programit të Financimit të Huaj Ushtarak. Marrëveshja synon të mbështesë modernizimin e Forcave të Armatosura shqiptare dhe rritjen e kontributit të vendit në sigurinë e përbashkët të NATO-s.

Lajmi është njoftuar nga Agjencia Amerikane e Bashkëpunimit për Sigurinë dhe Mbrojtjen, në bashkëpunim me Departamentin e Shtetit të SHBA-së. Sipas njoftimit zyrtar, financimi do t’i mundësojë Shqipërisë të investojë në pajisje dhe shërbime mbrojtëse të prodhuara nga industria amerikane e mbrojtjes.

Në deklaratën e saj, Agjencia Amerikane e Bashkëpunimit për Sigurinë dhe Mbrojtjen e cilëson Shqipërinë një partner të palëkundur të Shteteve të Bashkuara dhe aleat të NATO-s, duke theksuar rëndësinë e investimeve shqiptare në modernizimin e kapaciteteve mbrojtëse.

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, e ka cilësuar marrëveshjen si një dëshmi të mëtejshme të besimit amerikan ndaj Shqipërisë dhe rrugës së ndjekur për modernizimin e Forcave të Armatosura.

“Konfirmim edhe një herë i SHBA-së i besimit të tyre te Shqipëria, te Aleanca jonë dhe te rruga që kemi zgjedhur për modernizimin e Forcave të Armatosura.

Nga Angazhimi i Hagës te NATO 3.0, Shqipëria po e kthen vizionin në kapacitete konkrete. Ky është më shumë se financim. Është besim, partneritet strategjik dhe investim në sigurinë e së ardhmes”, tha Nufi

Programi i Financimit të Huaj Ushtarak është një instrument i administruar nga Departamenti i Shtetit dhe i zbatuar nga Agjencia Amerikane e Bashkëpunimit për Sigurinë dhe Mbrojtjen. Sipas palës amerikane, marrëveshja me Shqipërinë është në përputhje me politikat e SHBA-së për të forcuar bazën industriale të mbrojtjes dhe rritjen e kapaciteteve të aleatëve dhe partnerëve që investojnë në vetëmbrojtjen e tyre.