Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, njëherësh dhe drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun e Lezhës, zhvilloi dje një takim me deputetët, kryetarët e bashkive dhe drejtuesit e strukturave të PS-së në qark.
Në fokus të takimit ishte koordinimi i punës së strukturave socialiste dhe adresimi i shqetësimeve të qytetarëve.
“Besimi nuk kërkohet, por fitohet çdo ditë. Prandaj jemi sot këtu në Lezhë së bashku me deputetët, kryetarët e Bashkive dhe kryetarët e partive nëpër rrethe për të diskutuar dhe për të çuar përpara të gjitha përgjegjësitë që ne kemi. Për ata qytetarë, të cilët presin nga të gjithë, ata që janë të mandatuar në pushtetin lokal apo pushtetin qendror për të kryer një detyrë shtetërore në shërbim të qytetarëve dhe në shërbim të të gjithë atyre, të cilët i kanë dhënë besimin Partisë Socialiste”, tha Nufi.
Sipas tij, përfaqësuesit e pushtetit lokal dhe qendror duhet të jenë pranë qytetarëve jo vetëm në takime të caktuara, por në mënyrë të vazhdueshme, duke reaguar ndaj shqetësimeve dhe kërkesave të tyre.
“Sot jemi të vendosur më shumë se kurrë për të dëgjuar hallet e qytetarëve, për të dëgjuar shqetësimet e tyre dhe për t’i adresuar ato në mënyrën më të duhur me përkushtim, me besim, me empati. Duke u siguruar që do të trajtohen në mënyrën më të shpejtë, më të saktë dhe më korrekte. Kjo është "Besa" dhe fjala që ne lidhim dhe angazhohemi me gjithësecilin prej tyre. Dhe kjo është “Prania Besnike” të jemi aty për ta çdo ditë jo vetëm, në takime të caktuara, por çdo ditë për të dëgjuar hallet dhe shqetësimet e tyre dhe për t’i adresuar ato”, theksoi ministri Nufi.
Ai u shpreh gjithashtu se, “Partia Socialiste dhe Qarku i Lezhës angazhohen plotësisht me gjithë funksionarët e vet, me gjithë simpatizantët e vet që të jetë pranë qytetarëve, pranë të gjithë atyre që besojnë për një Shqipëri moderne, për një Shqipëri 2030”.









Komente
Komento