VLORE - Një drejtues taksie i cili bënte linjën Vlorë-Himarë, ka mbetur i plagosur mbrëmjen e sotme në fshatin Palasë të Himarës, pasi është tentuar të grabitet. 

B.G., 70 vjeç është qëlluar me armë sportive në krah nga dy persona të cilët kanë qenë pasagjerë në automjetin taksi. Policia po heton pistën e tentativës së grabitjes së taksistit dhe ka ngritur pika kontrolli me qëllim kapjen e autorëve. 

Njoftimi i policisë:
Më datë 19.12.2017, Salla Operative Himarë është njoftuar nga një telefonatë se në aksin rrugor Himarë - Llogara, në fshatin Palasë është plagosur me armë zjarri një shtetas. Shërbimet e Policisë shkuan menjëherë pranë vendit të ngjarjes dhe kanë konstatuar se në fshatin Palasë shtetasi B.G., 70 vjeç, (shofer taxie), është qëlluar me armë zjarri dhe ka mbetur i plagosur në krahë prej dy shtetasve të tjerë të cilët ishin pasagjerë.

Shtetasi B.G., është transportuar në Spital për të marrë mjekimin e nevojshëm, aktualisht jashtë rrezikut për jetën. Policia ka ngritur pika të shumta kontrolli me qëllim kapjen e autorëve. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com