Në fjalën e tij përshëndetëse, Ministri Bushati u shpreh se “25 vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Shtetin e Vatikanit, i cili përkon me fillimin e pluralizmit dhe ndërtimin e demokracisë, është tregues i marrëdhënieve të reja diplomatike midis Shtetit të Vatikanit dhe Shqipërisë, por lidhjet shpirtërore midis nesh datojnë shekuj përpara aq sa sot katolicizmi është pjesë e rëndësishme e kulturës tonë kombëtare”.
“Historiku i 25 viteve të marrëdhënieve diplomatike është një histori suksesi, kulmi i së cilës përkon me dy vizitat e Papëve: Vizita në Shqipëri e Papës Gjon Pali II, më 25 prill 1993 dhe e Papë Françeskut më 21 shtator 2014. Roli i Selisë së Shenjtë dhe Kishës për jetësimin e nismave dhe projekteve në arsim, shëndetësi, ndihmë sociale gjatë periudhës së tranzicionit në vendin tonë i jep gjithashtu një dimension të veçantë marrëdhënieve tona dypalëshe” – nënvizoi Ministri Bushati në fjalën e tij.
I Dërguari i Posaçëm i Selisë së Shenjtë, Mons. Diego Causero, i Ngarkuari i Parë me Punë në Nunciaturën Apostolike në Tiranë, duke përshëndetur këtë ngjarje vuri në dukje se “Vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Selisë së Shejtë i hapi rrugën bashkëpunimit në fusha të ndryshme në të mirë të të dy vendeve”. Ai e vuri theksin në faktin se “Shqipëria është e pashembullt në marrëdhëniet e vlerësimit reciprok dhe bashkëpunimit kordial që ekziston mes tre besimeve fetare”
Mons. Causero u shpreh se viti 2016 ishte viti i Shqipërisë i cili u kurorëzua me shenjtërimin e bijës shqiptare Nënë Tereza, lumturimin e 38 martirëve të periudhës së komunizmit dhe dhënien e titullit Kardinal, Don Ernest Troshanit, tre fakte të cilat përbëjnë burim krenarie për të gjithë popullin shqiptar”.
Ne emër të Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë pëshëndeti dhe Presidenti i saj, Imzot Angelo Massafra, Arqipeshkev Metropolit i Shkodër-Pultit.
Kjo konferencë u zhvillua në mbyllje të vitit 2016, i cili është një vit i shënuar me ngjarje shpirtërore për Shqipërinë. 25-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Republikës së Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë përkoi me shenjtërimin e shqiptares së madhe, bamirëses së mbarë botës, Nënë Tereza, me lumturimin e 38 martirëve të Kishës katolike dhe me emërimin nga Papa Francesku të një Kardinali tjetër shqiptar, Don Ernest Troshani, në nderim të vuajtjes dhe martirizimit të popullit shqiptar.
Gajtë konferencës u shfaq një ekspozitë fotografike kushtuar jetës dhe veprës së Shënjtores Nënë Tereza, si edhe një ekspoze historike me pasuritë arkivore të MPJ-së mbi vëndosjen e marrëdhënieve diplomatike të shtetit shqiptar me shtetin e Vatikanit
Gjatë kësaj konference u mbajt edhe kumtesa e Dr. Dom NikëUkgjini “Reflektime nga historia e marredhenieve diplomatike Shqipëri-Vatikan”, të cilën po e botojmë të plotë.
Populli shqiptar si pasardhës i Ilirëve pati fatin, si asnjë popull tjetër, të jetë i lidhur ngushtë me mësimet e krishtërimit nga koha e Shën Palit, kur përshkoi Ilirinë në vitin 66 dhe emërimi i ipeshkvit të parë në Durrës në vitin 58 i Shën Caesarit.
Historia dëshmon se marrëdhëniet në mes popullit shqiptar dhe Selisë së Shenjtë, ka qenë e vazhdueshme, qoftë edhe në mënyrë virtuale gjatë pushtimeve osmane.
Gjatë mesjetës, marrëdhëniet e shqiptarëve me Selinë e Shenjtë u intensifikuan duke njohur kulmin e tyre në kohën e heroit, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Ai që shpallur Atlet i Krishtit dhe u hartua plani për kurorëzimin e tij në vitin 1464, nga papa Pio II.
Me rënien e trevave shqiptare nen Perandorinë osmane, për shkak të pushtimeve të egra, marrëdhëniet e drejtpërdrejta vërtet kanë qenë të ndërprera, por, populli në mënyrë indirekte ka vazhduar të jenë i lidhur ngushtë me Selinë shpirtërore, Romën. Këtë rol ndërlidhje, e kanë luajtur relatorët të ndryshëm të kryedioqezesë së Tivarit, si primat të Serbisë dhe përgjegjës për të gjitha trevat shqiptare si: Marin Bici, (1608-1624), Pjeter Mazreku, (1628-1634), Gjergj Bardhi (1635-1644), Andria (1671-1694) dhe Vinçenz Zmajevich, (1701-1712), Lazer Vlladanji (1749-1788), Karol Potten (1855 - 1886) etj. Me ç’rast, relatorët informonin Propaganda Fide-n, përkatësisht Selinë e Shenjtë, për situatën në terren, ndërsa, nga Republika e Venedikut, në emër të Selisë se Shenjte, bëheshin presione politike dhe diplomatike ndaj Perandorisë osmane.
Në këtë kuadër është e drejtë të rikujtojmë ngjarjen më të rëndësishme në marrëdhëniet shpirtërore e diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe shqiptarëve, ardhjen në krye të Selisë së Shenjtë, në Shën Pjetër, të Papa Klementit XI, - papa Françesk Albani, (1700-1721). Ai, kujdesin atëror të jashtëzakonshëm ndaj shqiptarëve të robëruar nga Perandoria Osmane, e tregoi duke thirrur Kuvendin e Arbrit në vitin 1703 në Mërqi të Lezhës, nëpërmjet të deleguarit të tij, kryeipeshkvit të Tivarit, Imzot Vinçenc Zmajevich.
Me kontratën në Campo Fermio, në vitin 1797 dhe më pas në Vjenë në vitin 1815, në mes Selisë së Shenjte dhe Austro-Hungarisë, Vjena kishte marrë përsipër mbrojtjen e interesave të Kishës katolike në Ballkan. Kjo kontratë për trevat shqiptare filloi duke u materializua në vitin 1836, më rastin e takimit të Benjanin Albertinit, në Vjenë me Franc Jozefin. Në kuadrin e këtij protektoratit të kultit, ndërlidhjet diplomatike, fetare e kulturore të ipeshkvijve të dioqezave shqiptare me Propaganda Fide, në Romë, zhvilloheshin nëpërmjet Nuncit Apostolik në Vjenë dhe Konsullatës austriake në Shkodër. Gjatë protokultit Austro-Hungarez, shënohet një ringjallje e shqiptarëve, pa dallime besimi, në të gjitha fushatë e jetës.
Selia e Shenjtë luajti një rol të rëndësishëm diplomatik edhe me rastin e Konferencës së Londrës, me 1913, por dhe të Parisit, në vitin 1919, kur kërcënohej edhe matej copëtimi i trojeve shqiptare. Më këtë rast kryedelegati shqiptar, Imzot Luigj Bumçi dhe sekretari, Atë Gjergj Fishta, duke vizituar në dy raste, më 6 mars dhe më 28 dhjetor 1919, papa Benediktin e XV, u shpëtua Korça dhe Gjirokastra që do të aneksoheshin nga Greqia.
Reflektime diplomatike pas pavarësisë së shtetit shqiptar
Shqipëria, e cila në fillim të shek. XX po përpiqej të konsolidohej si shtet, pati një përkrahje të madhe dhe një nxitje në fushën diplomatike me ardhjen në fronin papnor të Papa Bendiktit të XV. Papati, duke e kuptuar realitetin në Shqipëri, ndërmori hapa të nevojshëm për afrimin e dy shteteve, duke ngritur marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë në rangun e Delegatit Apostolik. Delegati i parë zyrtar i papatit pranë Shtetit Shqiptar ishte zgjedhur, më 12 dhjetor të vitit 1919, Ernesto Koci (Cozzi) (1920-1926), i cili duke punuar që në vitin 1904, si misionar në vendin tonë, shquhej si njohës i mirë i kulturës dhe politikës shqiptare. Më këtë veprim Selia e Shenjtë, cilësohej si vendi i parë që njohu shtetin e ri shqiptar. Koci, për t‘i përforcuar marrëdhëniet në mes dy shteteve, në vitin 1923, hartoi projekt konkordatin e ofruar Ahmet Zogut, i cili nga ky i fundit, nuk qe nënshkruar asnjë herë. Po i njëjtës linje politike qe dhe delegati pasues, Giovanni Della Pietra, (1927-1936), i cili prej shumë vitesh misionar në Shqipëri, shprehej se punoj “tërësisht për Shqipërinë “ (totius Albanie).
Si Della Pietra, po ashtu edhe pasuesi tij, Ildebrando Antoniutti (1936-1938), duke qenë diplomatë gjatë pushtetit të mbretit Zog, krahas vullnetit të mirë nga Selia e Shenjtë, nuk arritën të gjejnë gjuhen e përbashkët me të, rreth shkollave katolike dhe nënshkrimit të konkordatit që do të thoshte një përparim në marrëdhëniet në mes dy palëve.
Leone Giovanni Nigris (1938-1945), misionar dhe diplomat i pasionuar. Veproi gjatë kohës së regjimeve totalitar fashist dhe atij totalitar stalinist, kur Ballkani digjej e piqej. Veprimtaria e tij në Shqipëri, për shkak të dinamizmit të ngjarjeve, ishte shumë e gjallë, por edhe e mundimshme. Gjatë pushtimit gjerman, thekson Nigris, “mbajta marrëdhënie të mira qoftë më qeveritë e ndryshme ashtu dhe më Këshillin e Lartë të Regjencës duke ndërhyrë atëherë kur interesat e veçanta e kërkonin”. Gjithashtu thekson se, ka pasur kontakte normale dhe të vazhdueshme me çetat partizane, me kryeministrin dhe ministra të ndryshëm. Ai, luante politiken neutrale, vetëm e vetëm për të ruajtur jetë njerëzish. Në muajin mars të vitit 1945, me urdhrin e Enver Hoxhës, u dëbua nga Shqipëria, duke ia mbyllur dyert Selisë Apostolike për 45 vite me radhë, e cila aq shumë bëri për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Pas largimit të Nigris, rolin formal të delegatit Apostolik e luajti Imzot Frano Gjini, ipeshkëv i Abacisë së Mirditës, deri në pushkatimin e tij në zall të Kirit në vitin 1948, krahas dhjetëra e dhjetëra klerikëve martirë të pushkatuar nga regjimi gjakatar.
Gjatë viteve të diktaturës komuniste e sidomos pas vitit 1967, edhe pse çdo gjë fetare, etike ishte rrënuar, rrëgjimi ateist nuk kishte arritur asnjëherë, në aspektin shpirtërorë, ta shkëpusë popullin katolik nga Selia Apostolike si vatër e rëndësishme e jetës së tyre fetare e kulturore.
Ringritja e marrëdhënieve diplomatike
Me ndryshimet e mëdha që ndodhen me rënien e Murit të Berlinit, kjo erë e demokracisë në vitin 1990, përfshiu edhe Shqipërinë. Si rezultat i këtij fillimi të demokratizmit qe dhe celebrimi i Meshës së parë me 4 nëntor 1990, në varrezat e Rrëmajt në Shkodër, nga Mandela i kishës Shqiptare, Dom Simon Jubani.
Shqipëria e gjendur nen presionin e diplomacisë perëndimore për përshpejtimin e demokratizimit të vendit, e detyroi udhëheqësin komunist, Ramiz Alia, më 29 prill 1991, të dekretojë versionin e ri të Kushtetutës së përkohshme, ku neni 7, thoshte se: “Republika e Shqipërisë është shtet laik. Shteti respekton lirinë e besimit fetar dhe krijon kushte për ushtrimin e tij”.
Në vazhdën e hapjes ndaj shteteve perëndimore ku përfshihej dhe Selia e Shenjtë, delegacioni i parë zyrtar për në Shqipëri i dërguar nga papati, ishte me 20-23 mars në vitin 1991, i kryesuar nga imzot Claudio Celli. Ky delegacion, kishte si qëllim vëzhgimin e situatës nga afër të gjendjes së besimtarëve dhe krijimit të kushteve për rikthimin e marrëdhënieve diplomatike në mes dy vendeve, të braktisura që në vitin 1945.
Në kontekstin e përafrimit të kushteve për të bërë hapin final, me këtë qëllim më 5 korrik të vitit 1991, Kryeministri Ylli Bufi, viziton Vatikanin, duke biseduar me papa Gjon Palin e II. Si rezultat i këtij takimi, ishte vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shtetit të Vatikanit, më 7 shtator 1991, duke emëruar si ambasador ( Nunci Apostolik), Imzot Ivan Dias. Më vonë pasuan, Imzot Giovanni Bulaitis (1997-2008) dhe Imzot Ramiro Moliner Ingles ( 2008-2016). Ndërsa, ambasadori i parë i Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë në fund të vitit 1992, u emërua studiuesi, Ëilly Kamsi. Më pas, Pjeter Pepa, Jul Bushati, Zef Bushati, Rrok Logu dhe sot i ngarkuari më punë, poeti Visar Zhiti.
Ngjarjet, të cilat morën përmasa historike ishin: vizita e realizuar më 25 prill të vitit 1993, nga Papa Gjon Pali II në Shqipëri, me ç‘rast rikonstruktoi hierarkinë e re në ketë vend dhe vizita mbresëlënëse e Papa Françeskut më 21 shtator të vitit 2014 në Shqipëri. Vizitat shërbyen si nxitje e mëtejshme e jetës shpirtërore dhe vëllazërore në mes tri komuniteteve, por edhe të avancimit të marrëdhënieve të bashkëpunimit në fusha të ndryshme mes dy shteteve.
Pikë afrimi dhe vlerësim për vuajtje të Kishës në Shqipëri, të shkaktuara nga diktatura komuniste, ishte dhe zgjedhja më 30 tetor 1994, nga Papati, të Kardinalit të parë shqiptar pas rënies së rregjimit diktatorial në Shqipëri, dom Mikel Koliqit. Po kështu vlerësohet dhe kardinali tjetër, më 9 tetor, 2016, dom Ernest SimonTroshanit. Këto dy figura sa janë me peshë diplomatike, aq janë dhe honorike, për shkak të emërimit të tyre në moshë të thyer. (Sa për kujtesë, kardinalin e parë më nocion etnik shqiptare në vitin 1065, kemi Bonnnifatie Albanensis).
Shprehja e një vlerësimi të merituar për Kishën në Shqipëri është edhe shpallja të lumtur të 38 martirëve katolikë, më 5 nëntor 2016, në Shkodër.
Në fund, duke theksuar se rolin që ka luajtur Kisha katolike, në formimin e identitetit kombëtar, në ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës, letërsisë, kulturës dhe bashkimit të kombit, në lidhje me marrëdhëniet në mes dy palëve, mendoj së sot ka akoma hapësirë për t’i avancuar ato.
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com