Tetë persona u vranë dhe shumë të plagosur vetëm në muajin mars. Nisi me masakrën e Dan Hutrës, 3 gra të vrara e tre të tjera të plagosura, vazhdoi me  atentatin në “Don Bosko”, dhe sulmin me armë ndaj televizionit  Top Channell.

Muajt e fundit në izolim ndikuan në mllefin gjithnjë në shtim të Dan Hutrës për të përgatitur një plan ogurzi që kurrë nuk ishte parë më herët. 44-vjeçari hodhi hapin e parë jashtë qelisë në 16 shkurt, ditë që nisi përgatitjet për masakrën që nuk do të vononte, me 3 viktima e 3 të plagosur. Kështu nisi marsi këtë vit, me ngjarjen që tronditi opinionin publik. Dan Hutra në fillim plagosi me thikë Marjana Gurakuqin, me pretekstin se i fshehu paratë që i la për t’i ruajtur. Më pas shkoi drejt shtëpisë ku jetonte bashkëjetuesja e tij në “Paskuqan”, Elena Hysa, për të cilën dyshonte se djali që lindi nuk ishte i tij. Atë e plagosi bashkë me të ëmën, Kujtimen, por breshëria e kallashit vrau vajzën e familjes Mevlute Hysa, dhe nusen e vëllait Hasime Dafku. Nga aty Hutra u nis për Kamëz dhe shtiu me kallash Etleva Kurtin, motrën e Vladimir Kurtit, me të cilin kishte nisur probleme në qeli. Plani i tij ishte të vriste edhe një të katërt, por u kap disa orë më vonë në Sharr.

Pas tyre një tjetër vrasje. Krenar Brisku, 54 vjeç, po vidhte pula në pronën e Bjorni Shusharit në një fshat të Kuçovës. Por ky e pa dhe e rrahu barbarisht. Burri vdiq më vonë në spital. Mbrëmja e vonë e 12 marsit do të mbetet gjithë jetën në memorien e Rea Pajës, vetëm 10 vjeçe.

Në një lokal në “Don Bosko” ku punonte gjyshja e saj, Mimoza Paja, u shkrehën kallashnikovët. Gruaja mbeti e vdekur në vend, e mitura u dëmtua nga ciflat e xhamit dhe 5 të tjerë u plagosën. Atentati dyshohet se kishte shënjestër Fatjon Muratin, që disa orë para ishte larguar në Prishtinë e prej aty në Turqi.  Ai ishte në “arrest shtëpie” nën akuzën e trafikimit të armëve, të cilën e theu. Ngjarja dyshohet për konflikte me grupin e Ervis Martinajt.

Nuk kaloi shumë dhe kryeqyteti u trondit sërish. Top Channel në Kashar u qëllua nga një makinë, që autorët e dogjën pas ngjarjes, 50 km më larg. Roja i sigurisë Pal Kola humbi jetën. Policia akoma është larg zbardhjes së ngjarjes së rëndë. Në Kavajë. Sali Rexha dhe Armand Gosa vranë njëri-tjetrin për “pse me sheh” dhe “O kuksian ik nga këtu”.

Në Tepelenë burri goditi me thikë gruan dhe më pas veten. Të dy ndodhen rëndë në spital. Një tjetër grua u sulmua me armë zjarri, kësaj here në Lushnjë. Autorët thuhet se Iizunë prit sapo doli nga gjyqi për pronën.