TIRANË- Ministria e Arsimit ka reaguar duke e quajtur “Situatë të papranueshme” lidhur me gabimin te teksti “Gjuha Shqipe 2” ku konstatohet se në hartë nuk figuron shteti i Kosovës dhe emri i shtetit të Austrisë është shkruar Australi.
 
MAS gjithashtu sqaron se kjo situatë qëndron për tirazhin e shtypur deri në vitin 2013-të, duke filluar prej vitit të miratimit si tekst në vitin 2011-të, pasi ekzemplari ku është konstatuar problemi i takon sasive të prodhuara para vitit 2014-të.

Këto dëshmi librash e tekstesh të miratuar nga “Komisioni për Miratimin e Teksteve Shkollore” pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës në vitin 2011-të, si dhe gjetjet e deritanishme nga MAS, përforcojnë dhe më shumë pozicionin e Qeverisë shqiptare se alterteksti ishte një dështim. Në këtë kuadër Ministria  po zbaton gjithë reformën e nevojshme për tekstet shkollore.
 
Deklarata e plotë e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit
Nisur nga një imazh i përcjellë mbrëmjen e djeshme në median vizive, në lidhje me tekstin “Gjuha shqipe 2” të shtëpisë botuese “Morava” ku konstatohet problematika për përmbajtjen e një faqe që ka për ilustrim një hartë pjesore të Evropës (Ballkani dhe pjesa rrethuese e tij), MAS informon publikun si më poshtë:

Problemi i ngritur është se në hartë nuk figuron shteti i Kosovës dhe emri i shtetit të Austrisë është shkruar Australi. Një situatë kjo e papranueshme!
 
MAS thekson se kjo situatë qëndron për tirazhin e shtypur deri në vitin 2013-të, duke filluar prej vitit të miratimit si tekst në vitin 2011-të. Ekzemplari ku është konstatuar problemi i takon sasive të prodhuara para vitit 2014-të.
 
Që prej shtatorit të vitit 2013-të, MAS ndërmori një proces të gjerë konsultimesh me përfaqësues të shoqërisë civile, Avokatin e Popullit, mësues, Akademinë e Shkencave, median dhe aktorë të tjerë të fushës për të diskutuar rreth problematikave të teksteve shkollore. Reflektimet e mbledhura nga ky proces ju përcollën nga MAS të gjitha shtëpive botuese, të cilat pasi bënë korrigjimet finale të teksteve konstatuan 120 tekste shkollor me probleme të cilat u hoqën nga katalogu.
Pjesë e korrigjimeve për katalogun ishte edhe ky tekst, ku nga Ministria e Arsimit dhe Sportit iu kërkua shtëpisë botuese “Morava”, korrigjimi dhe zëvendësimi i tekstit me probleme pa pagesë nga ana e nxënësit. Kjo edhe për rastet kur libri është i ripërdorur.
 
Ndaj ritheksojmë se tirazhi i shtypur në vitin 2014-të është i korrigjuar. Kjo pasqyrohet në faqen 83-të të ekzemplarëve. Harta e përdorur është me shkallë zvogëlimi më të vogël dhe duket qartë, me kufij dhe me shkrim, shteti i Kosovës. Njëkohësisht, në këtë hartë nuk figuron shteti i Austrisë.

Këto dëshmi librash e tekstesh të miratuar nga “Komisioni për Miratimin e Teksteve Shkollore” pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës në vitin 2011-të, si dhe gjetjet e deritanishme nga MAS, përforcojnë dhe më shumë pozicionin e Qeverisë shqiptare se alterteksti ishte një dështim. Në këtë kuadër Ministria  po zbaton gjithë reformën e nevojshme për tekstet shkollore.

Ndërkohë, prej disa kohësh MAS ka krijuar një adresë të posaçme elektronike: [email protected] ku ftojmë të gjithë nxënësit, mësuesit dhe prindërit të dërgojnë foto të teksteve me probleme në përmbajtje të së cilës të jenë të shënuara dhe titulli i tekstit, emri i autorit dhe numri i faqes së tekstit ku konstatohen këto probleme. Secili prej këtyre rasteve do të ndiqet me seriozitetin maksimal nga MAS.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)