Marku ishte 15 vjeç, kur e internuan në kampin e Tepelenës. Me babanë e vrarë, një vëlla të pushkatuar dhe tjetrin të arratisur, ai me nënën dhe dy motrat e vogla duhet të mbijetonin në kampin e vdekjes. Por për Markun gjithçka kishte ndodhur deri atëherë ishte vetëm prologu. Ai duhej të përballej më pas me tortura dhe presione të vazhdueshme nga Sigurimi i Shtetit, derisa një ditë i kishte dhënë fund jetës duke u varur në litar. Pse Sigurimi i Shtetit hetonte pas vdekjes së Markut? Si e përjetoi familja vetvrasjen e tij?

Ishte vitit 1949. Në kampin e Tepelëns, në ish kapanonet e ushtrisë italiane, të përshtatura si vendizolimi për të internuarit, kryesisht familje të të arratisurve antikomunistë, mbërrin edhe familja e Çun Qehajasë.  Dalina, nënë me 3 fëmijë të mitur veç dhimbjes për djalin e pushkatuar Ukën, për burrin e vrarë po ashtu dhe djalin e madh Gjeloshin të arratisur, duhej t’i bënte ballë jetës së re në këtë kamp ferr, ku vdekja bënte rojë orë e çast. Marku, djali i saj i tretë, i vetmi që i kishte mbetur pranë, ishte 15 vjeç, Prenda ishte 12 dhe e vogla, ende nuk i kishte mbushur 5 vjetët.

Aty në atë kamp, ku për çdo ditë merrnin lajme të kobshme për fëmijë të vdekur prej urisë apo sëmundjeve, për të tjetrë fëmijë e  pleq që lëngonin në shtratin e vdekjes, aty, Dalina duhej të bëhej e fortë e të mbante gjallë veten dhe tre fëmijët e saj.  A do të dilnin të gjallë nga ai kamp? Si do rridhte filli i jetës së tyre nën persekutim. Ai ishte mbyllur kalvari i tragjedive në kullën e tyre?

 Prenda, njëra prej fëmijëve të Dalinës, në atë kohë ishte rreth 12 vjeç. Ajo dhe i vëllai Marku, 15 vjeç ishin një garanci për Dalinën  në kamp. Duke jua besuar atyre  vajzën e vogël që ende si kishte mbushur 5 vjeç, Dalina mund të shkonte e të punonte jashtë kampit nëpër familjet e grave tepelenase, të cilat i çmonin punët e saj të dorës. 

Fakti se i shoqi, pra babai i Prendës ishte Hero i Popullit e kishte ndihmuar Dalinën për të pasur këtë mundësi mbijetese.

Prenda thotë se ajo dilte për çdo mëngjes nga kampi për të punuar e duhej të kthehej me doemos në kamp në mbrëmje, kur bëhej apeli, aty ku e prisnin fëmijët e mitur. Kjo ishte e vetmja rrugë për të mbijetuar, thotë Prenda, pasi ata nuk kishin asnjë ndihmë tjetër nga të afërm apo familjarë. Me fitimet e Dalinës mbijetonin katër vetë ajo dhe 3 fëmijët.

Prenda Niklekaj: “Punonim nëpër shtëpitë e grave, ishte punëtore nëna ime, punonte në vegj. Ngarkohej plot, e ua çonte, ua shpërndante. E bënte për t;u shpëtuar jetën fëmijëve....Skishte rrugë tjetër. Pasha Zotin, njeri i gjallë mbi këtë tokë, nuk na ka ra pas. S’kishte kush të na ndihmonte. Motrat e mia s’mund të vinin në Tepelenë”,  - tregon Prenda ndërsa shton më tej:

“Kërkuan pastaj edhe gratë e tjera që të dilnin e të punonin. Po shkojmë me Dalinën. Po askujt nuk i dhanë leje. Nuk i lejonin me dalë. Nënës i thoshin do të dalësh në mëngjes e do të kthehesh në mbrëmje. Se ishin ushtria rresht aty”.

Por edhe pse fatlumë për këtë fakt, që nëna mund të punonte e tu sillte ushqim, sërish në kampin me tela me gjemba dhe roja të armatosura, fëmijët e Dalinës përballeshin me rreziqe të pafund, një prej tyre sëmundjet ngjitëse që në dy tre raste ishin shndërruar në epidemi aty në kamp dhe kishin  shkaktuar qindra viktima. 

Prenda thotë se në këto kushte jeta ne kampin e Tepelenes, ishte një ferr i vërtetë, sidomos për ata që nuk mund të punonin dhe as kishin ndihma nga familja. Ajo thotë se askush nuk mund ta imagjinojë si ndihej një fëmijë aty, që torturohej 24 orë rresht prej urisë.

Prenda Niklekaj:“Ka qenë tmerr, buka ishte kaq e trashë, misri, brenda s’e kishin pjekur hiç, sa e theknin pak sipër, vdisje urie. Fëmijët u sëmurën. Në dorë të shna Ndout! Shkuan të vdisnin të gjithë.

Atëherë erdhën Çamërit...O Zot, të uritur. E i dhanë, e bëri nëna ime me kova hekuri në dorë, e çonte ua shpërndante fëmijëve. Se i kishte kapur tifoja e vdisnin edhe ata. Bëri sa mundi...”

Prenda kujton se ajo periudhë që ata vuajtën internimin në kampin e Tepelëns përkon me kulmin epidemisë së tifos që kishte rënë në kamp. Ajo tregon se vdekjet ishin aq të shpeshta në kamp sa ulërimat dhe vajtimet nuk rreshtnin për asnjë moment. Por humbja e fëmijëve dhe e të afërmve ishte vetëm njëra pjesë e dhimbjes. Pjesa tjetër dhe që rëndonte më shumë ishte humbja e varreve, pasi komanda e kampit i kishte ndryshuar vendvarrimet dy apo tre herë derisa më në fund i varrosnin buzë lumit dhe sa herë ujrat fryheshin, eshtrat përfundonin në Vjosë duke humbur çdo gjurmë...

E pyes Prendën a ishte e vështirë të mbijetoje në ato kushte sidomos për vajzën e vogël.

Prenda Niklekaj:“Po si s’ishte, po për të gjithë fëmijët. Ata shkuan, i kanë vendos në një vend, e i kanë nxjerrë te Vjosa e Tepelenës e të gjithë i ka marrë Vjosa e Tepelenës....eh motër!!!!”

Deri ditën që do vinte fleta e lirimit për ta, Dalina dhe tre fëmijët e saj do të përballeshin përditë me ankthin e vdekjes. Por edhe kur ajo ditë mbërriti, sërish nuk mund të iknin prej aty. Prenda thotë se për mungesë të mjetëve të transportit, ju desh të qëndronin aty në kamp edhe 5 javë të tjera pas lirimit.

Prenda Niklekaj:“Na ka dalë lirimi. O Zot, 5 javë, s’kishim me çfarë të vinim. Kemi mbetur të liruar.

Po s’mund të niseshim në këmbë. A mund të ecte motra, 5 vjeçe? Kur ka ardhur makina e ushtrisë, me thasë vinin. Skishte makina të tjera, kanë qenë veç ata të ushtrisë. Na ka marrë nëntogeri, na ka hipur  sipër, në ato thasët e miellit. Kemi ikur e na kanë nxjerrë në Lezhë. S’mund ta harroj atë natë, te ura e Lezhë, na kanë çuar në një tunel, shi e borë e stuhi. Si nuk vdiqëm. Të gjithë siç ishim. Në mëngjes, po në këmbë se s’kishte makinë askund. Bënte edhe Lezha tregun në Shkodër, erdhën karrocat në mëngjes.

Doli drita e pushoi shiu e bora, kemi dalë në rrugë. Ka thënë një burrë, tha: dilni aty se vijnë karrocat. Ata vinin për me shit gjë e mall, e ka dalë nëna ime. I tha nënës: po hajdeni, por jeni shumë. Na kanë marrë ato karrocat. Kurrë s’e harroj. Na kanë nxjerrë në Shkodër. Kemi shkuar për 3 ditë, e kemi bërë rrugën në këmbë...”

 Ato tre ditë rrugëtim në këmbë nga Shkodra në Nikaj Mërtur, Prenda kujton se ankthi për çfarë i priste atje në fshat nuk i lëshoi për asnjë çast. Qindra pyetje vërtiteshin në mendjen e Dalinës. Ku do të strehoheshin? Kulla e tyre ishte djegur. Bagëtitë e gjithçka kishin, jua kishin marrë. Si do ta ndërtonin jetën nga e para?

Prenda Niklekaj:“Nuk kemi gjetur, as dy dhentë që i lamë, as 7 dhi e pesë keca, që i lamë ... i ka marrë shteti, thoshin. Se kush i kishte marrë, e di Zoti. Hajde lyp, askund.

Kishin  prerë mollët tona si e prisnin dushkun, e i kanë futur, kur i kam gjetur brenda në shtëpi. – Po këto si? – i ka thënë Mirash Ndout. – Po ç’të duhet? – tha Por e kanë hapur atë derën pastaj se u trembën.

Tush bala, kurrë se harroj, na e ka sjellë sjellë dhinë te shpia që të pinim një pikë qumësht.  E u bënë 7 copë dhi që na i sollën miq, e kumbarë, e kush ishte, e pastruam shtëpinë, na e lyen shtëpinë dhe hymë në shtëpinë tonë. E na sollën për të ngrënë, 12 muaj. S’harroj unë....”

Prenda kujton se jeta në fshat do të ishte e vështirë. Meraku për vëllanë e arratisur dhe fatin e tij atje do ti gërryente përbrenda. Dalina, do të jetonte gjithë jetën që pasoi me mungesën dhe mallin për të. Në atë mungesë e dëshpërim ajo të vijonte jetën me 3 fëmijët e tjerë dhe sërish fati do i sillte një tjetër goditje që nuk durohej.

Prenda Niklekaj: “Vëllai im i vogël, Marku, punoi me mish e me shpirt. Mua më morën nuse. Ishte nena, vëllai dhe  motra. 3 veta aty. E martoi nëna vëllanë, as i lindi djalë, as vajzë. Mirë boll. E kapi operativi. – Hajde, ta bënte spiun Markun. Çfarë ka vuajtur e di Zoti. E më ka thënë, më ka çuar fjalë e më ka thënë, se u lodh  e ishte bërë keq. I shkonte operativi, thirr në 12 të natës e në 12 të ditës, rrih e torturo. Operativi. Shqip.

Po, po, ta bënte spiun, t’i dilte dëshmitar filanit. – Jo, - tha, - unë nuk e turpëroj babën në varr, i paska thënë, bëje tënden kur të duash. Hajt se ta tregoj unë. Më ka çuar fjalë nëna, më ka thënë: hajde se e ke vëllanë sëmurë. Kam shkuar vetë. Më ka thënë burri im: hajde. Kur kam shkuar,  si beze e bardhë që i thonë, ishte bërë fytyra e tij.  Më thotë Prendë,  po ta lë amanet atë nënë. – Po çfarë nënën? Po a je këtu me gjithë gruan? – Jo, amanet po ta lë. Për Zotin, për 700 vite unë s’bëhem më të më torturojnë. Ma tha këtë jo në sy të nënës. Më thirri vetëm. – Mark, ku po shkon? Unë mendoja se po ikte. Po ti je në kufi more vëlla, se për nënën mos ki hall se e mbaj vetë. Tha: për Zotin jo, për 700 vite jo. Kam fjetur atë natë, e di Zoti se si kam fjetur e si kam ndenjur, kam ikur.

Ttë pasnesërmen vjen burrim im, se kishte qenë në Shkodër për tu vizituar, thotë: ka vdekur nëna, - thotë për nënën time.

Ka vdekur, mirë boll, - tha, - se boll vuajti Dalina tha burri im e vjehrra ime, - mos u mërzit. Jam ngritur e kam shkuar, më kanë treguar në rrugë, një grua, më tha: ti shëndoshë për vëllanë. Aty e kuptova, thashë: o qyqja. Ka qenë tmerr. Jam lëshuar, më kanë kapur, kur kam shkuar: dua të shoh vëllanë. Sigurimi  i Shtetit po hetonte pse e si ndodhi.  Merr nënën në pyetje, e merr të shoqen, më morën edhe mua. E di ti, pse u var? Shkoi ra në litar, iku, ra në litar...

 Vari veten.  Për atë Zot, tha-  për 500 vjet nuk bie më në dorë të tyre, të Filat Malës, se ky ma ka bërë... veç amanet po ta lë nënën. 3 herë rresht. Kam shkuar e kam kërkua. Po e kontrollonin. E kemi varrosur.

Ka thënë kryetari i këshillit, tha: kallëzo, Dalinë, se erdhi operativi tjetër, me e zbulu, thotë: kallëzo Dalinë, çfarë pati? Ka qenë i sëmurë tha nëna. Jo s’ka qenë i sëmurë. Dhe më pyeti mua. Ti Prendë e di - më tha, mua - më kallëzo mua këtu. I tha burri im, O Zef,  se e kishte djalin e nipit të nënës së vet, vjehrrës sime. Tha: Zef, nuk ke pse i  pyet. Nuk ke pse i pyet. Ka qenë i sëmurë, kështu e kështu na e ka treguar, ne nuk dimë gjë tjetër. – Eh Nikë, - tha, - hajt, hajt, hajt, se është tjetër gjë.

E kemi varrosur, katundi, për atë Zot, sikur ti kishte pas vëllezërit aty krejt”.

Me Gjeloshin në arrati dhe tre burrat e shtëpisë nën tokë, Dalina i kaloi ditët e pleqërisë në një dhimbje që s’tregohet. Prenda thotë se dhimbja qe e madhe edhe për të. Me atë dhimbje dhe peshën e persekutimit të pandërprerë do të vijonte jetën në familjen e saj të re. Vitet do të kalonin. Prenda do të bëhej nënë, dhe çdo fëmijë i saj do të përballej po ashtu me regjimin, dhe me historinë e dhimbshme të familjes së saj. Seicilit prej tyre sa herë të mbërrinin moshën për të vijuar shkollën e lartë, do tju pritej rruga dhe do tu kujtonin se ata ishin nipërit e Ukë Çunit që regjimi e kishte pushkatuar në sy të vëllait. 

Prenda Niklekaj:“ Thuaj e prekur, të shtypur nga të gjtha anët. Për Zotin, shkoja në punët e kooperativës, s’i  celja fjalët, 3 herë njësoj. Veç vinin gratë e më rrethonin, më thoshin: mos bëj kështu. – Çfarë mos të bëj, - thashë.

M’u bë djali për të shkuar në shkollë.  Na thonë: ia japim bursën. Kur më thanë: jo, komunistët Pal Kola  me te tjerë, nuk mundemi, se u pushkatua Ukë Çuni. Është pushkatua në kodër të beg Selimit i vëllai. S’bën. Bërtit e ulërit. U çua e i tha Hysen Papa: po të çoj në punë. E çoi në minierë, në Kam. E djali prej klasës së tetë, s’ishme më shumë,  të shkonte, të hynte në Kam të punonte në minierë. E merr edhe shkollën, i thanë.  Po çfarë shkolle marr unë aty? – tha. Shkoi e ndenji 12 muaj e gjysmë...”.

Prenda thotë se të gjithë fëmijët e saj njëri pas tjetrit, do të përjetonin peshën e historisë së saj. Seicili prej tyre do të kishte pjesën e tij të persekutimit që lidhej me pushkatimin e Ukë Çunit dhe arratisjen në Amerikë të Gjeloshit.

Prenda Niklekaj:“Pastaj i  erdhi radha djalit të dytë, të tretë. U thonë: pasha Zotin, s’kemi. Thotë: jepjani more një shkollë këtij djali, - burri im. – A, Nik, ku e ke mikun? – Por ai ka shkuar more miku. Ai s’merret me mik as me. Një nënë e gjyshe ka, s’ka tjetër kend.

Erdhën e morën ushtar, në dorë të shenjtit Shna Ndou. Ndenji 3 muaj. Në krye të 3 muajve thoshin rrufeja, unë s’kam qenë aty, por thoshin shokët, ashtu e kanë gjetur, e 2 të tjerë rrëzuar, ai me kufje në dorë e ngrirë në këmbë, i vdekur. Vetë i treti ka qenë. I ka vrarë   rrufeja.

Kërkoi atëherë burri im për djalin tjetër që e kam, të madhin. Thotë: jo Nik, s’ka, nuk ka. Thotë: po ti a e di që të është pushkatuar vëllai? Isha me burrin tim. – E di si të është pushkatuar vëllai në kodër të beg Selimit. – Më fal, - thashë, - që e di.

Nejse, më thonë çohu bjeri pas djalit, njerëzit, që më donin, shko në Tiranë. Ishte një ministër, sja kujtoj emrin,  Shkova i dola para. Ia dha për veteriner, jo për bujqësoren. Mirë, e mori, shkoi e bëri në Tropojë, në Kolgecaj. Pastaj vajza mësoi me të gjitha 10-ta. Unë s’kam parë tjetër vetëm fëmijët, e di Zoti. E di Zoti si ka shkuar kjo në shkollë.”

Prenda tregon se pak kohë më vonë i vdiq edhe i shoqi, duke ia lënë asaj gjthë barrën e shtëpisë. Ajo me 6 fëmijë të mitur duhet tja dilte vetë mbanë tashmë. Ajo kujton sakrificat e fëmijëve që dilnin të mblidhnin bimë mjekësore në mal.

Prenda Niklekaj:“Hyri fëmija, ai tjetri,  ishte më i madh, mblidh lule, zbathur e zhveshur,  malit, të fitonte librat e veta. A ka gjyq më të madh? E të harronte fisi?. A ka  zor më të madh mbi këtë tokë? S’ka. Unë e kam heq gjithë këtë histori”.

Kthimi i Gjeloshit pas 50 vitesh

Rrëfimin e saj Prenda e  Çun Qehajasë, e mbyll me fundin e dhimbshëm të jetës së vëllait të saj Gjeloshit. Pas  shumë dekadash të ndarë, pasi diktatura ra, ajo mundi ta shohë sërish vëllanë e arratisur.

Prenda Niklekaj:“Kur erdhi demokracia erdhi ai. erdhi por ishte  plakur. S’e kisha parë për 50 vite. Erdhi i lodhur, e kishte kapur mërzia. 

Erdhi pas 50 e ca vitesh. I kallëzuam pastaj gjithçka kishim hequr,  Por  çfarë, more Gjelosh, na kanë çuar 9 muaj në Tepelenë. Si more, 9 muaj, mos fol, më kallëzo të drejtën motër.  I thotë njëri: të kallëzoj unë. Se edhe mund të gënjejnë njerëzit. Thotë: këta kanë ardhur e kanë hyrë në një shtëpi, 3 vite, si kanë jetuar këta e di Zoti. E i tregoi arsyen tonë, të gjitha pikë për pikë. Ai atëherë u bë edhe më i sëmurë. Vdiq te shtëpia ime. Shkoi njëherë në Amerikë, por erdhi,  na thanë është në gradë të fundit, Gjeloshi. Atëherë erdhën në kufi, në Kosovë, që i kam djemtë e xhaxhait. Erdhën atje. Thotë: ma nxirrni te shtëpia ime në Kosovë ose nxirreni këtu në Lezhë. Ky kishte kërkur të vinte në Lezhë, në vendin e vet. Erdhi, 4 muaj i sëmurë, vdiq, e kemi çuar në vendin e tij. Ia dhanë fjalën djemtë e mi që do të çojmë te babai, te nëna, te vëllai”.

Sa mund të mbajë shpirti i një njeriu që ka përjetuar gjithë këto tragjedi në jetë.? Prenda është shembulli i një vajze që u rrit me dhimbje që s’rrëfehen, me humbje të mëdhea e persekutim, një grua që u maturua me plagë të tjera si nënë, dhe jetoi një rrugë jetësore që s’është e lehtë as ta tregosh e jo më ta jetosh. Ajo është shembulli, se si njeriu duhet t’i kalojë dramat e jetës me krenari e dinjitet dhe ta ruaj e ta përcjellë historinë e saj, si një gur themeli për të kuptuar historinë e dhimbshme të diktaturës.