TIRANE- Ministria e Arsimit ka pezulluar nga detyra rektorin e Universitetit të Sporteve në Tiranë, . Vendimi është marrë me datë 6 maj 2014, pas raportit të audititit që ka monitoruar të gjithë veprimtarinë e këtij institucioni për periudhën janar 2012 deri në nëntor të vitit 2013.
 
Pezullimi nga detyra i rektorit Rizvanolli është bërë “Për shkak të shkeljeve të rënda të ligjit dhe akteve nënligjore në fuqi, gjatë ushtrimit të detyrës”.
 
Më konkretisht auditi i brendshëm i ministrisë së Arsimit ka zbuluar se 7 punonjës nuk janë emëruar sipas rregullores, pasi në procedurën e konkursit nuk është vendosur kriteri i diplomës, ndërsa tre pedagogë janë paguar për “Doktor Shkencash”, edhe pse nuk e mbanin atë gradë.
 
Po ashtu, rektori Rizvanolli ka shkarkuar pa procedurë dekanin Mehmet Spahiu dhe zv. Ferdinand Mara.
 
Madje sipas audititit të Ministrisë së Arsimit edhe vetë zgjedhja e tij në prill të 2013-ës, për të dytën herë, në krye të Universitetit të Sporteve është i pavlefshëm pasi e gjithë procedura e zgjedhjeve në këtë universitet është realizuar nga komisione të paligjshme, që kishin marrë ok-in e vetëm 4 anëtarëve të senatit, nga 9 anëtarë që ka senati.
 
Aktualisht universiteti i Sporteve po drejtohet nga zv.rektori Juel Jarani, deri në zgjedhjet e reja në këtë universitet.


faksimile Vejsell Rizvanolli

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)