Pak ditë pas paralajmërimit se do të reduktojnë flotën e autobusëve me 30%, operatorët e transportit qytetas dhe ndërqytetas takohen sonte në orën 20.00 me ministren e Ekonomisë Delina Ibrahimaj për të diskutuar kërkesat e tyre për mbështetje financiare për sektorin. Ata kërkojnë subvencionim, pasi siç shprehen çmimi i lartë i naftës po i çon drejt falimentit.

Një javë më parë Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban dolën një deklaratë publike duke kërkuar nga institucionet përgjegjëse  heqjen e TVSH-së për transportin publik, rishikimin e barrës fiskale mbi karburantin dhe aplikimin e subvencioneve apo mekanizmave kompesues me qëllim vijim e njëjtë të ofrimit të shërbimit ndaj qytetarëve pa ndërhyrë në çmimin aktual të biletës.

Veç të tjerash kryetarët e shoqatave paralajmëruan reduktim me 30% të numrit të autobusëve nga e hëna, nëse qeveria dhe institucionet vendore nuk marrin masa për të kompensuar kompanitë e transportit.

Ndërkohë për të mbajtur nën kontroll çmimin e naftës,  nga data 19 mars, qeveria riktheu Bordin të Transparencës që do të përcaktojë çmimet e naftës, gazit dhe benzinës. duke marrë në konsideratë bursën, vlerën në zhdoganim, koston e transportit dhe fitimin e kompanive, që do të jetë 3 lekë për shumicën dhe 12 lekë për litër për pakicën.

Të gjithë ata që nuk i respektojnë do të ndëshkohen, me gjoba e deri tek pezullim i licencave të tyre.