Zv. kryeministri Erion Braçe është shprehur i indinjuar për mënyrën se si një pakicë në vend shkelur hapur masat anti COVID, duke i rrezikuar të gjithë. Përmes një postimi në rrjetet sociale ai shprehet i revoltuar për atë që kanë bërë njerëzit gjatë festave të fundvitit.
"Asgjë nuk ka mbaruar, jemi të rrezikuar po aq sa më parë nga koronavirus! Egoizmi idiot dhe toleranca kriminale për një çik festa jashtë shtëpie, një cikë Korçë, një cik borë, do na godasë serish! Rreziku është po me ne, me gjyshërit, prindërit e fëmijët! Nuk iku me vitin 2020! Boll u sollëm sikur nuk ka ndodhur asgjë!
1199 ndër ta, ndër ne që u shuan prej koronavirusit, janë dëshmia më e fortë se asgjë nuk ka mbaruar e se jemi ne problemi! Egoizmi ynë deri në papërgjegjshmëri ekstreme. Ajo që kemi bërë në ndërrim të viteve e në ditët e para të Vitit të Ri, shpërfill poshtërsisht sakrificat e çdo shqiptari që dëgjon e respekton rregullat, bindet e sillet me përgjegjshmëri, sakrificat e çdo mjeku, infermieri, laboranti e farmacisti që çdo ditë e kalon prej 10 muajsh më të infektuar e mes infeksionit duke rrezikuar jetën e tij e të familjes.
Sakrificën e të gjithëve, kujtdo që po sakrifikon ekonominë e tij, paratë e tij në një situatë ku hapja vlen për punën, asfarë për qefin! Britania u mbyll dje plotësisht, plotësisht, për herë të tretë; Gjermania qëndron e mbyllur; Italia ishte e mbyllur plotësisht dhe mezi po merr frymë duke kombinuar masa me ngjyra etj etj! Ne qëndruam hapur thuajse-mbeti jashtë veç jeta e natës, veç festat e natës!
Por e gjitha shfrytëzohet keq, për qejf për shumë, për para për shumë të tjerë! Ndërkohë që kishte e ka një prioritet: hapur për punë e punën, shkollat! Mbyllur për festat por sfiduar keq nga paligjshmëria e papërgjegjshmëria e një pakice që i ka dhënë statusin vetes të bëjë si i teket dhe tekat t'i kthejë në qejf.
Një pjesë edhe prej administratës publike, e cila duhet të ishte shembulli në respektin ndaj rregullave e ligjit. Dua shumë që sot të mos jenë lëshuar nëpër zyra siç virusi nëpër festat e tyre private! Vështirësia e tre javëve që sapo nisën vjen prej tyre! S'ua kishte kurrkush borxh pasojën e mërzisë nga jeta pa festa një Vit të Ri. Egoizëm neveritës", shkruan Braçe.