Partia Demokratike i ka cilësuar si mashtrime dhe të pabaza pretendimet e zëdhënësve të Policisë, se janë plagosur 12 efektivë të Policisë gjatë protestës së sotme të opozitës.
Përmes një njoftimi, PD bën të ditur se sipas informacioneve që ata kanë grumbulluar, asnjë efektiv policie nuk është paraqitur në spital për të marrë ndihmën e parë.
Reagimi i PD:
Partia Demokratike i konsideron mashtrime dhe të pabaza pretendimet e zëdhënësve të narkopolicisë se janë plagosur 12 efektivë policie.
Sipas informacioneve tona të grumbulluara në mënyrë operative në të gjitha spitalet e kryeqytetit, asnjë efektiv policie nuk është paraqitur për ndihmë të parë.
Përpjekja për të ngjyrosur me dhunë një protestë masive kundër narkoregjimit, nuk është gjë tjetër veçse frika e Ramës dhe shërbëtorëve të tij se zhvillimet politike në Shqipëri kanë arritur në ‘kilometrin e fundit’.
Partia Demokratike thekson se, jo vetëm nuk ka policë të plagosur, por ka dhjetëra protestues të lënduar dhe dhjetra të tjerë të arrestuar, shpesh në mënyrë të paligjshme nga patronazhistë të qeverisë, njerëz pa uniformë dhe pa simbolet e policisë.
Çdo tejkalim i ligjit do të merret shënim dhe çdo abuzues do të mbajë përgjegjësi të plota.
Partia Demokratike falenderon edhe njëherë të gjithë mbështetësit dhe protestuesit, dhe siguron të ndaluarit dhe familjarët e tyre, se ata do të marrin çdo ndihmë ligjore dhe mbështetje.
Ky është fillimi i fundit për narkoregjimin dhe narkopolicinë.
Tërbimi i demonstruar sonte me përdorim gazrash helmuese dhe dhune të shpërpjestuar është dëshmi e kësaj.
Lajmi kryesor:
PD 3 orë protestë, breshëri molotovësh drejt Kryeministrisë, militantët përplasje e gurë drejt policëve te Kuvendi! 11 efektivë të lënduar! PAMJE me dron










