Një skandal i përmasave të mëdha financiare përfshin kompaninë më të madhe të prodhimit të hekurit në Shqipëri, “Kurum International SHA’, pjesë e ‘Kurum Demir’, kompanisë më të madhe të hekurit në Turqi. ‘Kurum’ në Shqipëri ka mashtruar me bilance të rreme 5 banka të nivelit të dytë në vendin tonë, duke u marrë 210.3 milionë euro kredi, në një kohë kur kishte nisur procedurat e falimentimit. Skandali raportohet nga media turke ‘SABAH’. Mashtrimi në Shqipëri është pjesë e një mashtrimi të madh ndërkombëtar, me bazë në Turqi. Sipas ‘SABAH’, ‘Kurum Demir’ dhe degët e saj u kanë marrë kredi me bilance të falsifikuara 33 bankave në Shqipëri, Turqi dhe Angli.

Media turke shkruan se ky është skandali më i madh financiar në Turqi gjatë dekadës së fundi. Përfaqësuesit e kompanisë tashmë po përballen me drejtësisë turke, pasi akuzohen nga autoritetet turke për vepra të rënda penale si mashtrimi dhe pastrimi i parave. Drejtuesit e Kurum janë kallëzuar nga 14 banka turke, të cilat kanë rënë pre e skemës së mashtrimit. Ndërkaq, në Shqipëri skandali vijon të mbahet në heshtje.

Sipas raportimeve, ‘Kurum’ u ka marrë bankave në Turqi 191 milionë euro kredi përmes bilanceve fiktive, në një kohë që ishte duke falimentuar. E njëjta skemë është aplikuar edhe në Shqipëri. “Të njëjtën skemë mashtrimi kompania turke e ka ndjekur edhe në Shqipëri përmes “Kürüm International SHA” ku ka marrë 210.3 milion euro kredi nga 5 bankat shqiptare, edhe pse me bilance negative”, shkruan ‘SABAH’.

Kompania “Kurum Demir” i përket biznesmenit të njohur turk Hasmet Bedii Kurum. Dega në Shqipëri ka si administrator Erdal Demir, ndërsa aksionere rezultojnë shtetaset truke Melis Kurum me 50 % të aksioneve dhe Selin Kurum me 50 % të aksioneve. Që të dyja banojnë në Stamboll. Më parë, administratore e kompanisë ‘Kurum’ në Shqipëri ishte Lindita Kikino, biznesemene. “Kurum Demir” ishte një ndër kompanitë më të mëdha të prodhimit të hekurit në Turqi deri në vitin 2013.

Dega në Shqipëri është regjistruar në korrik të vitit 2000. Gjithçka ndryshoi pas vitit 2013, kur kompanive iu duhej që ta nxirrnin hekurin përmes përpunimit të pasurive nëntokësore dhe jo përmes mbledhjes së skrapit. Kjo rriti kostot nga njëra anë duke ulur fitimin e kompanive, ndërkohë që nevojiteshin investime të mëdha për të qenë konkurrent në treg.

“Ky ishte momenti kur kompania filloi të përballej me humbje, por drejtuesit e saj përdorën bilance fiktive për ta treguar kompaninë me fitime. Përmes këtyre bilanceve dhe përdorimit të kompanive fantazmë për të treguar në mënyrë të rreme se kishte porosi të shumta, “Kürüm Demir” mashtroi bankat duke vijuar të merrte kredi edhe pse ishte në prag të falimentimit”, shkruan ‘Sabah’.

Më pas kompania aplikoi tek autoritetet e taksave dhe tatimeve për të shtyrë falimentin, ndërsa shiti pronat e saj tek kompanitë e tjera të hapura nën emrin e të afërmve të Hasmet Bedii Kurum. Synimi ishte që kur kompania të falimentonte, pronat të ruheshin dhe bankat të mos kishin se çfarë të sekuestronin.

Ndërkaq, sipas mediave turke, kompania mëmë “Kurum” ia faturonte një pjesë të humbjeve të sa atje, filialit në Shqipëri “Kurum International SHA”.Për të mbuluar këto humbje, “Kurum International SHA” në Shqipëri aplikoi përmes bilanceve fiktive për kredi tek pesë banka shqiptare duke marrë prej tyre diçka më shumë se 210 milion euro kredi prej tyre. 

Mashtrimi i "Kurum" në Shqipëri edhe në mediat Turke

( Kliko këtu për të lexuar Ekstraktin historik i degës së ‘Kurum’ në Shqipëri )