TIRANË- Olsi Ibro, bashkëshorti i pronares së Micro Credit Albania, një nga shoqëritë e mikrokrediteve të hetuara nga prokuroria e Tiranës për skemën mashtruese me qëllim vjedhjen dhe zhvatjen e qytetarëve, i ka dhënë fund jetës mëngjesin e sotëm (20 korrik 2024) duke u vetëhedhur nga një pallat në ndërtim në rrugën 'Ramaza Shijaku' në Tiranë. 

45 vjeçari përflitej se ishte përfshirë në skandalin me mashtrimin me mikrokreditë, megjithëse ndaj tij nuk kishte një akuzë ndërsa bashkëshortja Elda Ibro, pronare e Micro Credit Albania është në arrest shtëpie.

Mësohet se Ibro është hedhur nga tarraca e pallatit dhe trupi i tij i pajetë është gjetur mëngjesin e sotëm nga roja kur ka ardhur në punë. Në vendin e ngjarjes hetuesit kanë gjetur disa kokrra fostoksinë, çka dyshohet se mund të ketë pirë dhe para hedhjes nga tarraca. Por, nëse ka gëlltitur apo jo do e përcaktoj ekspertiza në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Micro Credit Albania është një institucion financiar jobankë i licencuar në vitin 2016 që drejtohej nga çifti Olsi dhe Elda Ibro, kjo e fundit shërbente edhe si administratore e shoqërisë. MCA bashkë dhe “Final”, bashkëpunonin me ADCA dhe me disa shoqëri të tjera përmbarimore.

Sipas prokurorisë, shoqëritë dhe personat nën hetim, në mënyrë abuzive kanë përdorur të dhënat personale të siguruara në mënyrë të paligjshme të individëve debitorë pa asnjë mundësi për përballimin e jetesës së përditshme. Ata, përmes presionit psikologjik dhe përndiqnin debitorët dhe familjarët e tyre përmes telefonatave të vazhdueshme me qëllim nënshkrimin e marrëveshjeve të reja të kredive.

“Si rrjedhojë shoqëritë MCA dhe Final kanë përfituar të ardhura dhe pasuri të paligjshme, të cilat ua kanë vjedhur dhe zhvatur qytetarëve, që përllogariten në 10-tra milion Euro sipas mënyrës së sipërcituar, para  dhe prona të cilat i kanë investuar apo përdorur në aktivitete të tjera”, thuhet ne njoftim.

Dosja
Deri tani për mashtrimin me mikrokreditë, gjykata në maj 2024 ka lënë në masën e sigurisë "arrest shtëpie": Elda Ibro, Jorsida Dervishi, Alketa Tanushi e Kejda Seferi, ndërsa në burg janë: Arben Meskuti, Aldo Daka, Albert Gega dhe Edmond Mato, në kërkim ende Alban Kote. Në 30 maj 2024 Prokuroria e Tiranës sekuestroi afro 10 milionë euro në llogaritë bankare të dy shoqërive të mikrokreditit dhe të nëntë personave, administratorë dhe përmbaruesë nga institucione të mikrokrediti dhe disa shoqërive të përmbarimit. Tashmë çështja është në SPAK dhe gjithçka pritet të dalë në shesh. Më 30 maj 2024 Prokuroria e Tiranës ka shpallur moskompetencë dhe dërgoi në SPAK për hetime të mëtejshme guvernatorin Gent Sejko, i cili dyshohet për shpërdorim detyre.

Pal Trashaj ishte një tjetër viktimë që u vetflijua pas skandalit për mikrokreditë. Historiani i dha fund jetë duke pirë fostoksinë para ambienteve të SPAK, pasi pretendonte se përmbarimi i kishte bllokuar pronat, pavarësisht se e kishte shlyer kredinë që kishte marrë.