Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në Gjykatë çështjen e mashtrimit me skemën e rimbursimit të ilaçeve në të cilën u përfshinë 9 persona, ndër të cilët zyrtarë të Fondit Rajonal të Kujdesit Shëndetësor Tiranë dhe drejtues farmacish, nga e cila i është shkaktuar shtetit dëm rreth 56 milionë lekë të reja.
 
Nga hetimet e Prokurorisë rezulton se në krye të kësaj skeme qëndronte Hysni Roçi, pronar i disa farmacive në kryeqytet, si edhe ish-drejtori rajonal i Fondit, Pjerin Xhuvani.
 
Ata kanë përfshirë në veprimtari të paligjshme edhe shtatë persona të tjerë, përkatësisht 4 drejtues teknik farmacish dhe 3 punonjës të Fondit rajonal të Tiranës.
 
Prokuroria e Tiranës ka ngritur akuza për Hysni Roçi, akuzohet për veprën penale “Mashtrimi”
Pjerin Xhuvani, ish-drejtor i Fondit Rajonal të Kujdesit Shëndetësor, akuzuar për “Shpërdorim të detyrës”, Edlira Mara, Frida Lamçe dhe Fatbardh Budo zyrtarë të Fondit Rajonal të Kujdesit Shëndetësor, Mimoza Tufi, Nikollaq Thanasi, Adelina Manaj dhe Arens Spahiu, drejtues teknikë të farmacive private të përfshira në këtë skemë.
 
Skema ka funksionuar në dy plane, të cilat lidhen me njëra-tjetrën, me qëllimin final përfitimin e paligjshëm të shumave të parave nga rimbursimi i ilaçeve. Madje, rezulton se kanë deklaruar si të shitura ilaçe, të cilat nuk i kanë pasur asnjëherë në dispozicion.
 
 
 
 Redaksia online
(F.T/shqiptarja.com)