MAT - Një sasi e lëndë plasëse e llojit tritol është vendosur mbrëmjen e djeshme në automjetin e ish-kreut të Komunës Baz në Mat, Fatmir Kurti. Lënda plasëse ishte e lidhur më një fitil zjarrëpërcjellës dhe ishte vendosur poshtë makinës.

Mjeti ishte parkuar përpara pallatit në lagjen “Drita” në Burrel, ndërsa ka qenë vetë Kurti i cili mëngjesin e sotëm ka konstatuar sasinë e lëndës plasëse.

Burime pranë policisë së Burrelit thanë për Shqiptarja.com se fitili ishte i djegur, por ende nuk dihet se përse lënda plasëse nuk ka shpërthyer.

Grupi hetimor ka mbërritur në vendngjarje së bashku me forca xheniere të ardhura nga Tirana.

Fatmir Kurti dha dëshminë e tij ë policinë e Burrelit. Një vit më parë makina e Kurtit është qëlluar me armë zjarri në afërsi të fshatit Baz, por fatmirësisht ngjarja u mbyll pa të lënduar.

Fatmir Kurti ka qenë kryetar i komunës Baz për 2 mandate nën siglën e Partisë Demokratike, ndërsa dyshohet se ai ka pasur konflikte me disa banorë mirditorë të kësaj zonë.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)