Importet e materialeve të ndërtimit në vlerë pësuan ulje këtë vit, por në sasi ato u rriten për shkak se çmimet e tyre në tregjet ndërkombëtare ishin më të ulëta.

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT sasia e materialeve të importuara është rritur lehtë në rreth 1.26 milionë tonë në 11-mujor ose rreth 1.3% më shumë . Kjo tregon se volumi fizik i materialeve ka qenë disi më i lartë.

Në të kundërt, vlera totale ka shënuar rënie të ndjeshme. Ajo ka zbritur nga rreth 111.2 miliardë lekë më 11 mujorin 2024 në 103.3 miliardë lekë këtë vit, me një tkurrje prej afro 7.9 miliardë lekësh, ose 7.1%.

Për rrjedhojë ecuria e çmimit për kilogram, ka pësuar ulje me 8 për qind për periudhën në krahasim. Një kg materiale ndërtimi nga importi në 80.96 lekë këtë 11 mujor nga 88.3 lekë për kilogram që ishte çmimi në 2024.

Ulja prej rreth 7.3 lekësh për njësi, ose 8.3%, tregon një presion të fortë rënës mbi çmimet e materialeve të ndërtimit në tregjet ndërkombëtare.

Kjo ulje e çmimeve të importit nuk u reflektua në tregun e brendshëm pasi të dhënat mbi kostot e ndërtimit tregun se në tremujorin e tretë çmimet e materialeve të ndërtimit në pikat e pakicës ishin ulur vetëm 0.1%.

Çmimet në tregjet ndërkombëtare të lëndëve të para janë normalizuar pas rritjeve të forta të viteve 2021–2023. Materiale si çeliku, çimentoja, alumini apo produktet e tjera bazë të ndërtimit kanë pësuar ulje çmimesh në tregjet ndërkombëtare, duke u reflektuar drejtpërdrejt edhe në çmimet e importit në Shqipëri. Kjo ka bërë që, edhe me volume më të larta, vlera totale të jetë më e ulët.

Nga anën tjetër duket se ka ndryshuar edhe struktura e kërkesës, e cila është zhvendosur drejt materialeve më bazike dhe më pak të kushtueshme. Operatorët e tregut pohojnë se ka rritje të importit të hekurit nga kina, që më parë nuk ishte burim kryesor furnizimi.

Forcimi i lekut ndaj euros gjatë vitit 2025 ka ndikuar në uljen e vlerës në lekë të importeve, edhe kur çmimet në valutë ose sasitë nuk kanë ndryshuar ndjeshëm. Ky efekt i kursit të këmbimit reflektohet drejtpërdrejt në statistikat e tregtisë së jashtme.

Gjithashtu vërehet një ngadalësim i rritjes së kërkesës për materiale për shkak të ritmit më të moderuar të projekteve të reja./Monitor