Monizmi e indoktrinimi shkruejnë:
“Shantazhet dhe presionet që iu bënë këtij mësuesi të popullit nuk arritën ta ndanin nga misioni i tij fisnik, përkundrazi, ai punoi edhe më me ngulm për sendërtimin e qellimeve të tija... Po ai u shkishërua së bashku me gruan e tij, sepse, siç thoshin ata, kishte zhvilluar veprimtari patriotike. Edhe pse Logoreci nuk e gëzonte mbështetjen e kishës, ai për këtë nuk çante kokën fort, sepse në anën e tij qëndronte mbarë populli i Kosovës...shumë veprimtarë shpallen heretik dhe shkishërohen. Kështu u veprua edhe me mësuesin Logoreci. (Lexo në veprën “100 vjetori i shkollës shqipe të vashave në Prizren”, 1993, f.83-89).
“Per qëndrimin e papërkulur të Mati Logorecit, kisha katolike e mallkoi atë bashkë me të shoqën”. (“Historia e Arsimit dhe e Mendimit Pedagogjik Shqiptar”(perpilue nga akademikë, prof. dr.etj. F.161).
Pro. Dr. Musa Kraja, njohësi ma i thelluem i Mati Logorecit, na sqaron:
“Mati Logoreci perjashtohej nga kisha dhe mallkohej si i padisiplinuar”. Dhe na jep edhe variante tjera të mallkimit në veprën e vet per Mati Logorecin f.39, si ma poshtë:
Studiuesi Halim Shpuza, tue u mbështetë te i biri Kolë Logoreci, jep këtë variant: “Mallkimi lidhej me refuzimin nga Matia të një pagese prej 100 napolonash. Prandej largohet nga Prizreni”.
“Në një letër të P. Guerinit derguar një kleriku tjetër në Prizren ku shkruhet per veprimtarinë e M.Logorecit, sqarohet se ai me gruan e tij janë mallkuar... se ka bërë veprimtari patriotike si mësues”(D.99, sipas prof. dr.M.Krajës në Monografinë per Mati Logorecin).
Cfarë shkruen vetë Logoreci:
Leter e Mati Logorecit drejtue Kryeipeshkvit të Shkodrës, Imzot Guerinit.
“Unë jam pushue prej sherbimit per mungesë të qëndrimit korrekt per sa i takon dëshiplinës kishtare, kështu tingëllon dëshmia e sherbimit që kam kërkue per 9 vjetët e gjysmë.Asht ironi apor e kanë seriozisht, nuk mundem me e kuptue. Mendimi im asht me ndejë këtu, të paktën nuk do të jem i detyruem me lypë, se do të më mbajnë vëllaznit e mi.
Guerini i shkruen kryeipeshkvit të Shkupit:
Shenim i arkivistit: “ Ordinari i Shkodres P. Guerini i shkruan priftit lokal te Prizrenit. Bën fjalë për mallkimin e Mati Logorecit dhe të gruas së tij që u bë në bashkëpunim me arqipeshkvin e Shkupit të marri fund. Pastaj flet per veprimtarinë patriotike të Logorecit si mësues.
Letra ka shkrim të keq, prandej pelqyem shenimin e arkivistit per dokumentin. (F.65, D.50).
Prizren, 2 janar 99”.
Me prelatët e Kishës Katolike Logoreci pati marrëdhanie të shpeshta e të ngushta bashkëveprimi, (me Guerinin, Serreqin,madje me Imzot. Logorecin, Imzot Mjeden e Thacin vec marredhanieve të mira kishte edhe marrëdhanie farefisnore).
Lidhun me shkollën:
Me datën 9 janar 1898 M. Logoreci i shkruen kryeipeshkvit të Shkodrës, Guerinit të kujdeset per shkollat: “Kam ndigjue se Austria ka hapë shumë shkolla aty dhe në Shqipninë e Mesme dhe i kam shkrue konsullit Ipen një letër në të cilën jam perpjekë me ia mbushë mendjen të hapë shkolla krejt në gjuhën shqipe. E në qoftë se nuk do të flasë me Shkelqesen tuej per këto, Ju lutem me u interesue, sepse tashti asht koha të lëvizim pak e i vetmi mjet me zhvillue ndjenjen kombtare asht mësimi.
I kam shkrue gjithashtu se kemi gati një abetare shumë të mirë pregatitë prej Lazer Lumëzit e që Ministria do të ngarkoheshe me andje me e botue, nëse shkollat e Shkodrës do ta pranojshin. Nderkaq, Shkelqesi, të perpiqemi me shqiptarët e vertete në tanë botën të bahemi të gjallë, atëherë i hueji nuk ka me muejtë me na shkelë.
Prurësi i kësaj letre do t’ju dorëzojë një paku të ardhun me postë.
Me ndjenjat ma të thella cmimi e nderimi, tue ju puthë unazën e tue ju kerkue bekimin, pohohem i Shkelqeses suej shumë të ndritun e shumë të nderuem biri i juej shumë i devocmi e i pervujtuni
Logoreci
Fort i Nderti Zotni,
Falemi nderës per leter plot me urime që m’i dergoi per ditë t’emnit: urime që me zemer ja kthej, sikur mund t’besoin, pse kahë dit e mot m’njef e din se sa fort e kam per zemer e e nderoj.
M’erdh keq që kenka lodhë e paska hupë shpresën n’ Shqypni e n’shqyptarë. Unë edhe pse tue u plakë, jam gjithnji optimist; gjithnji besoj se shqyptari mund të bahet njeri e ndoshta shum ma i mirë e i vjefshem se tjerë fqij të Ballkanit por duhet me i ardhë rreth me mësime e me kujdese, e per këto Zotnija yte ka në dorë nji vegel, që nder mjete të qytetnimit asht nder ma të fuqishmet, due me thanë,Vjershësin. Me ndihmë t’ksaj prekë e thekë nder zemra t’ona, tuej perftue ndiesi mirsiet, trimniet e burrnijet: me rrebtësii t’ vjershavet shtjen n’mëni kundra punësh t’liga sikur se me shpotii e qestii mund t’hjekun e t’shporrin prej popullit doket e marra.
Per n’kjoftë se sot në Shkoder shifet nji fije dashuni per atdhe do t’ja dimë per nder Zotnis s’ate me vjersha që ka botue deri m’sot, nuk po ja tham per me e levdue ndersy per me Ju miklue, por pse asht kundra natyrës seme, por po ja tham per me diftue t’drejten. Thaçë nji fije dashunii per atdhe pse mjerisht n’popull t’onë këndohen fort pak vjershat e Zotniis s’ate, pse anmiqtë e zhdrivillimit t’onë janë mundue që mos të perhapen tuej perdorue gjithfarë mjetesh, që ktu nuk po i permendim per mos dalë perjashta kufinit të ksaj letre.
Pra mos t’hupim shpresën në permirsim e n’perparim t’kombit t’onë, por t’punoim.
Me shpresë që t’a shof Zotniin tande ma shpejt ktu po mbaroj tui Ju lutun që t’mi falesh nderës edhe Pater Ambrozit per dorë që kishte pasë vu në leter.
Me t’madh perunjisi shenjohem
Sherbtuer i pervujtë
M. Logoreci
T’më falin per leter mbi t’cillën po i shkruej, pse s’patsh tjeter, jemi vorfnue e mjerue me gjithcka.
Logoreci – Imzot Lazer Mjeda
Po nxjerrim vetem një fragment, mos të randojme artikullin.
“Shkelqesi, Ju sot kini në dorë zemrën e popullit, kini nderimin e të gjithë shqyptarëve, kini në dorë nji fuqi morale shumë t madhe që ju a ep feja e n’anë tjetër burrnija, ditunija e karakteri bashkë me energji që kini diftue deri më sot”. (Leter e M.Logorecit drejtue Imzot Mjedës, datë21 fruer 1922).
“Më ka ardhë shumë mirë që paskini kthye mirë mbas nji operacioni dalun mirë. Emzot, qëndroni pse nuk jini të vjetër e kemi nevojë të punojmë, pse anmiqtë jan terbue e donë me na perpimun...
ndër këto ditë kam shtypun nji liber leximesh per klasët e para të shkollave të mjesme, por janë shtypë vetem 500 copë... Ju puthi unazën shejte e Ju lypi bekimin mbi vedi e mbi familje teme”
(AQSH, F.M.L., D.49, v.1934).
Logoreci e Fishta
Fishten e Logorecin i ka lidhë një bashkëveprim atdhetar e arsimor. Shpesh, me atë humorin e tij zbavitës Fishta u drejtohej Justinit, Gurakuqit e Logorecit me fjalët: “Ju gjuhëtarët po na prishni gjuhën”.
Bashkë qenë në Kongresin e Monastirit, 1908, e bashkë firmosen telegramin e mirëpritun dergue jezuitëve të Shkodrës mbi perfundimet e Komisionit per abenë.
Fishta paraqet gjeometrinë e perkthyer të M. Logorecit.
“... edhe unë sot kam kënaqësinë të paraqes librin e parë shkollor në gjuhën shqipe per klasat gjimnaziale të ulta, një gjeometri të perkthye nga një tekst që perdoret në monarkinë austro-hungareze. Vështirësia u kapercye nga njohunia kompetente e gjuhës shqipe e Mati Logorecit që asht autori...”. (nga një leter, datë 22 dhetor 1910 e Fishtës. Shif: K.C, “Nëper gjurmët e Fishtës” f.42).
Fishta e zgjodhi Mati Logorecin anëtar të redaksisë së gazetës “Posta e Shqypnisë” 1916-1918 e Logoreci protestoi per mbylljen e gazetës. Po, me 1916-1918 Fishta e Logoreci morën pjesë gjallërisht në Komisinë Letrare Shqipe, të dy me zellin patriotik e me vrullin energjik që i karakterizonte.
Figurën e Mati Logorecit, Fishta e ka trajtuar tek vepra “Gomari i Babatasit”, (botue e plotë me 1994), tue na paraqitë Logorecin si luftar per ceshtjen kombtare e shoqnore, per zhvillim e perparim te vertetë e prendimor, kunder fanatizmit e hipokrizisë, reklamës e publicitetit fals, kunder plagjiatëve të idesë kombtare.
Gjithmonë i gatshem, i pafrikë e energjik me u hjedhë nder veprime konkrete, patriotike, shoqnore e sidomos arsimore e gjuhësore.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com versioni (print) 24 shtator 2014
Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)