TIRANE- Në ditët kur të gjithë maturantët janë duke plotësuar formularët A1, por edhe kandidatët formularët A1Z, drejtori i Agjencisë Kombëtare të Provimeve Arben Fagu, jep këshillat që duhet të kenë parasysh maturantët. Nëse për lëndët me detyrim kjo është një praktikë e njëjtë, për të e rëndësishme është që nxënësi të ketë kujdes me llojin e shkollës në momentin që plotëson formularin. Më pas, për plotësimin e lëndëve me zgjedhje, maturantët duhet të kenë parasysh të zgjedhin lëndën ku ndihen më të sigurtë, sesa koeficientin më të lartë.

“Ajo që është e rëndësishme dhe vlen të theksohet është se maturanti duhet të zgjedhë atë lëndë ku ai ndihet i sigurtë, atë lëndë që ai ka njohuri të mira dhe shumë të mira. Pra nuk duhet të nisen nga koeficienti i lartë, pasi një notë e lartë është shumë më e vlefshme se një koeficient i lartë”, thekson Arben Fagu, drejtor i AKP-së. Në këto kushte, maturantët duhet të heqin dorë nga dëshira, se edhe me rezultate të ulëta mund të konkurrojnë për të fituar degët që janë mbipopulluar, e që krijojnë pak alternativa punësimi, siç mund të jenë degët e Mjekësisë, Ekonomikut, Shkencave Sociale, Drejtësisë, etj.

Ndaj, maturantët nuk duhet të shohin vetëm lëndët që kanë koeficientet më të lartë dhe ta përfshijnë atë në listën e provimeve me zgjedhje. Ky do të ishte një hap i gabuar që mund t’i përjashtojë ata nga mundësia për të fituar universitetin. Nuk duhet të mendohet se një lëndë që ka koeficientin e lartë i bën detyrimisht fitues në degën që duan. “Maturanti këshillohet, që nëse nuk është i fortë me njohuritë në atë lëndë që zgjedh, më mirë të ketë një ulje të vogël të koeficientit për të zgjedhur një lëndë tjetër, që mund ta ketë jo 1.4 koeficientin, por 1.3, pasi ka mundësi të marrë më shumë pikë, edhe pse koeficienti është 0.1 më i vogël.

Kjo, pasi me ndryshimet e bëra këtë vit ka më shumë rëndësi nota e provimit, sikundër i janë shtuar pikët notës mesatare” thekson Fagu. E rëndësishme është që të përzgjidhen edhe ato lëndë, të cilat janë të ngjashme me profilin e shkollës që maturanti ka kryer, teksa janë të ngjashme edhe me llojin e degës që maturanti kërkon të ndjekë. Të rinjve këtë vit, do t’u duhet t’i kushtojnë më shumë rëndësi mesatares dhe do t’u duhet të përllogarisin me shumë kujdes koeficientet të cilët kanë ndryshuar sërish, sipas propozimeve që kanë ardhur nga universitetet publike.

Mesatarja nga 20 për qind që ishte vjet, tashmë vlerësohet me 26 për qind, pra është rritur me 6 për qind pesha e mesatares. Ky 6 përqindësh është ulur 3 për qind për provimin e parë me zgjedhje, dhe 3 për qind për provimet e tjera me zgjedhje. Gjatë plotësimit të formularit, maturantëve u këshillohet të konsultohen edhe me mbikëqyrësin e shkollës në mënyrë që të mos gabojnë në zgjedhjen e tyre.

Shkrimi u publikua sot (21.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)