Nga kjo e hënë e 2 shkurtit nis zyrtarisht procesi i Maturës Shtetërore 2026. Të paktën 26 mijë maturantë e këtij viti shkollor do të kenë mundësi të plotësojnë formularin e lëndëve me zgjedhje, mes 8 lëndëve të ofruara, ndërsa afati i fundit është 9 shkurti.

“Lënda me zgjedhje zgjidhet në funksion edhe të universitetit që ata do të zgjedhin më vonë për të marrë pikë të larta dhe për t'i bërë ata fitues në degët që ata do të duan. Ai mund të plotësohet nga çdo pajisje elektronike, qoftë edhe nga shtëpia, por shkollat janë të detyruara të japin asistencë për të gjithë maturantët të cilët kanë nevojë për t'u orientuar në atë moment që në fakt është vendimtar për vendosjen e lëndës me zgjedhje",- thotë zëvendësministrja e Arsimit, Oriana Osmani.

Zv. ministrja e Arsimit, Oriana Osmani, e cila drejton edhe Komitetin e Maturës Shtetërore, sqaron se për këtë vit masat e kontrollit do të jenë më të forta, duke shtuar gjithashtu edhe përgjegjësitë për të gjithë administratorët.  Moszbatimi i rregullores, e miratuar nga Ministria e Arsimit, si nga ana e stafit ashtu edhe nga maturantët, do të ndëshkohet.

“Rritja e përgjegjësisë për çdo aktorë që merr pjesë në maturën shtetërore që nga përgjegjësi i administrimit, sekretuesi, administratorët, përgjegjësit e kateve dhe sigurisht edhe të gjithë ne që e monitorojmë maturën shtetërore. Është shumë e rëndësishme për të kuptuar edhe vetë nxënësit se duhet të zbatojnë këtë rregulloren duke filluar që nga mosmarrja e celularit. Do të ketë penalizime për maturantët dhe në fakt ka pasur edhe në vitet e mëhershme. Kemi patur penalitete edhe për përgjegjësit e administrimit të cilët në fakt nuk kanë zbatuar rreptësishtë rregulloren, pra deri në tre penalitete",- thotë Osmani.

Rastet e viteve të kaluar të publikimit të tezave në rrjetet sociale sapo provimi ka nisur për zv. ministren nuk ndikojnë integritetin e procesit.

“Dalja e tezës dhe sigurisht është një orar diku 10:20 nuk e cenon absolutisht procesin e maturës. sepse do të ishte problematike patjetër nëse ky test do të dilte përpara fillimit të  maturës shtetërore, por në atë moment janë marrë të gjitha masat. Sigurisht edhe ata nxënës të cilët kanë tentuar të kryejnë këtë veprim patjetër që janë penalizuar gjatë të katër provimeve të maturës shtetërore 2025",- thotë Osmani.

Ndryshime në Maturën Shtetërore të këtij viti priten edhe në përmbajtjen e testeve, ndërsa Qendra e Shërbimeve Arsimore ka nisur tashmë punën për hartimin e tezave të reja.

Osmani sqaron edhe procesin e hartimit të listës përfundimtare të maturantëve, e cila këtë herë do të publikohet më herët se në vitet e kaluara. Nxënësit që kanë mbetur në disa lëndë përjashtohen.

“Atëherë në rast se ata mbeten në një ose në dy lëndë ata kanë të drejtën t'i japin këtë pra ose një ose dy lëndë në sezonin e vjeshtës dhe këta kanë mundësi nëse rezultojnë kalues të futen në sezonin e dytë të vjeshtës të maturës shtetërore. Në rast se maturanti nuk i ka kaluar pra tri lëndë atëherë ai është mbetës në vitin shkollor",- thotë Osmani.

Provimet e Maturës Shtetërore do të zhvillohen në muajin qershor, duke filluar me atë të gjuhës së huaj në datë 2, me 9 qershor gjuha shqipe, provimi i matematikës një javë më vonë më 16 qershor, për ta mbyllur më 23 qershor me provimin e lëndës me zgjedhje.