Rezoluta kundër dekretit merr 100 vota (edhe opozitën e re) /EMRAT e 7 deputetëve që votuan kundër

Mazhoranca kalon testin politik. 94 votat që nevojiten për të shkarkuar presidentin Ilir Meta janë të sigurta. Këtë të enjte, pas 5 orëve mocion debati në Kuvendin e Shqipërisë, 100 deputetë votuan pro rezolutës së Partisë Socialiste ku radhiteshin argumentet pse dekreti i kreut të shtetit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit ishte antikushtetues, dhe ku shprehej bindja se zgjedhjet do të mbahen në këtë datë.

Në përfundim të votimit, 100 vota ishin pro rezolutës, 7 kundër, 2 abstenim, ndërsa një deputet nuk mori pjesë në votim. Kundër votuan 4 nga deputetët e ardhur nga listat e PD-së dhe 3 nga të LSI-së, që tashmë kanë grupin parlamentar të pavarur. Fatjona Dhimtri, Lefter Maliqi, Artur Roshi dhe Besnik Toplini nga PD, dhe Elda Hoti, Klajdi Qama dhe Vasil Sterjovski, nga listat e LSI. 

Kujtim Gjuzi  dhe Enada Kapllani, që mori mandatin nga LSI, abstenuan.

Ndërkohë, nuk morën pjesë në votim edhe pse ishin të pranishëm më herët gjatë seancës, Rudina Hajdari, kryetare e grupit parlamentar demokrat. Ralf Gjoni, deputet i grupit parlamentar të pavarur, ish-këshilltar i Metës i cili e deklario publikisht se nuk do të votonte shkarkimin e presidentit Meta, edhe pse rezoluta është thjesht një qëndrim politik. Po ashtu, munguan Adriatik Alimadhi. Amra Borova, Tom Doshi. Edlira Hyseni, Erion Piciri, Suzana Topi dhe Fatmir Velaj.

Në mbyllje, kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi njoftoi se seanca e radhës do të mbahet ditën e hënën në orën 10:00 ku do të diskutohen pikat e rendit të ditës parashikuar për seancën e sotme, që u zëvendësuan nga mocion debati prej 5 orësh për rezolutën e PS.

Mazhoranca ka 79 deputetë, si rrjedhim 21 deputetë nga opozita e re kanë votuar pro rezolutës këshilluese për Presidentin Ilir Meta. 

Procedura e shkarkimit të tij është një tjetër proces, që do të kërkojë kohë. Nga mbledhja e 35 firmave të deputetëve për të nisur procedurat e shkarkimit, në ngritjen e një komisioni hetimor, dhe më tej në votimin në Kuvend të raportit të Komisionit Hetimor, i cili kërkon 2/3 e votave në Kuvend, pra 94 vota. Deri atëherë do të duhen muaj. Vendimi i Kuvendit kalon më tej në Gjykatën Kushtetuese, e cila deri atëherë me gjasë mund të jetë plotësuar me anëtarë, pasi Këshilli i Emërimeve në Drejtësi që i bën propozimet Kuvendit, Presidentit dhe Gjykatës së Lartë, i ka gati listat e para.

KUNDËR

Fatjona Dhimtri – Grupi Demokrat

Elda Hoti – Pa grup parlamentar, doli nga Listat e LSI

Lefter Maliqi – Pa grup parlamentar, doli nga Listat e PD

Klajdi Qama – Pa grup parlamentar, doli nga Listat e LSI

Artur Roshi – Pa grup parlamentar, doli nga Listat e PD

Vasil Sterjovski – Pa grup parlamentar, doli nga Listat e LSI

Besnik Toplini – Pa grup parlamentar, doli nga Listat e PD

ABSTENIM

Kujtim Gjuzi - Pa Grup Parlamentar, doli nga listat e PD

Enada Kapllani – Grupi i pavarur, doli nga Listat e LSI

MUNGUAN

Adriatik Alimadhi – Pa Grup Parlamentar

Amra Borova – Grupi i pavarur, doli nga Listat e LSI

Tom Doshi – Pa Grup Parlamentar

Ralf Gjoni – Grupi i pavarur, doli nga Listat e LSI

Rudina Hajdari – Grupi Demokrat

Edlira Hyseni – Grupi i pavarur, doli nga Listat e LSI

Erion Piciri – Grupi Demokrat

Suzana Topi – Grupi i pavarur, doli nga Listat e LSI

Fatmir Velaj – Deputet i PS


Lajmi kryesor:

Mazhoranca kalon 94-shen që do i duhej për shkarkimin e Metës/ Rezoluta kundër dekretit merr 100 vota (edhe opozitën e re) - VIDEO


G.M./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë