TIRANE-Ministria e Brendshme ka sqaruar për herë të parë planin e masave me 5 mijë efektiv policie e gardistë përgjatë 48 orëve të festimit të Pashkëve.

Ky dikaster kërkoi sot që klasa politike të shmangë konfliktet pasi kjo situatë mund t'ua lehtësojë personave me ndikim dhe nga jashtë vëndit të krijojnë destabilitet në vend.

Është me shumë rëndësi të kuptohet nga të gjithë se situatat e konfliktit politik në një vend si Shqipëria, edhe në kontekstin e zhvillimeve rajonale, mundet të shfrytëzohen lehtësisht nga elementë të caktuar për të kryer akte kriminale, destabiliteti deri edhe terroriste. Ndaj inkurajojmë fort çdo qytetar të ndershëm që për hir të interesit të tyre dhe të familjeve të tyre të raportojnë çdo fakt apo të dhënë që ngjall dyshime në lidhje me rendin dhe sigurinë publike”, shprehet MB në një komunikatë për shtyp.

"SHISH e partnerë dhanë info për akte terroriste"
Sipas Ministrisë, masat shtetsë të sigurisë me 5 mijë efektivë të policisë e gardistë përgjatë kremtimit të Pashkëve janë ndërrmar nga ministria e brëndshme pas informacioneve të shërbimeve inteligjnte në vend dhe partnerëve ndërkombëtar për parandalimin e sulmeve terroriste.

Pas përfundimit të këtyre kremtimeve përgjatë të cilave nuk u shënua asnjë incident, ministria e Brendshme ka reaguar duke bërë publik dhe faktin se ka pasur informacione për akte të tilla.

Në reagimin e saj ministria e brendshmë sqaron se “Festimet me rastin e ditës së Pashkëve, si rrallë herë u shoqëruan nga një angazhim i posaçëm I forcave të Policisë së Shtetit dhe të Gardës së Republikës. Ky angazhim i madh në numër dhe i specializuar në lloj i Policisë dhe i Gardës ishte në përgjigje të informacioneve të shërbimeve inteligjente vendase dhe të atyre partnere mbi mundësinë e kryerjes së akteve që cënojnë rëndë rendin dhe sigurinë publike deri dhe në akte të karakterit terrorist”.

Në përfundim të deklaratës së saj Ministria e Brendshme sqaron se pavarësisht angazhimit me Shërbimin Informative dhe partnerët ndërkombëtar për sigurinë publike ajo s’do të ndalet në asnjë çast për luftën ndaj kanabisit apo çdo lloj droge, duke penalizuar këdo qofshin këta dhe efektivë policie që tolerojnë apo janë pjesë e grupeve kriminale të narko-trafikut.

Kultivimi dhe trafikimi i kanabisit, apo edhe i çdo lloj tjetër droge, jo vetëm që nuk sjell mirëqënie ekonomike, por përkundrazi kriminalizon ekonominë, kërcënon rëndë sigurinë publike, moralin shoqëror dhe nxit kaos e destabilitet politik. Ndaj duke kuptuar shumë mire këtë, jemi të vendosur për të vazhduar pa hezitim luftën kundër këtij fenomeni. Shprehim mirënjohje dhe falenderim për të gjithë ata punonjës të ndershëm të policisë së shtetit që janë të angazhuar në këtë luftë”.

(d.b/Shqiptarja.com)