Kryetari socialist Edi Rama ka zgjedhur të mos përfshihet në polemikat direkte me Erion Veliajn dhe akuzat e ngritura prej tij. Por ndërsa beteja për kryeqytetin në garën e 9 majit, është sfida kryesore për partinë socialiste dhe sprova direkte e saj, Rama qartazi e bëri të ditur nga Asambleja e PS se nuk do të lejojë që nga burgu, kryebashkiaku dhe vendimet e marra prej tij të bëhen pengesë.

“Një njeriu që nuk është i lirë i falet t'i lexojë gabim situatat, t'i gjykojë gabim gjërat, të fantazojë duke folur gabim dhe të porosis gabimisht punë të të gabuara. Po askujt që ka lirinë të marrë vendime në një funksion politik apo që ka detyrën ta vendosë veten në shërbim të të tjerëve, nuk i falet të bëjë të njëjtat gabime dhe lëre pastaj të zbatojë porosi që e bëjnë bashkëfajtor ndaj të tjerëve”, tha Rama.

Sipas Ramës, me porosi nga larg po goditen për motive të pajustifikueshme njerëz që janë në krye të detyrës, dhe se një gjë e tillë nuk do të falet

“Si mund të largohet nga puna arbitrarisht një grua që e ka mbajtur me dinjitet uniformën e kryepolicit bashkiak të kryeqytetit ashtu si dhe të tjera e të tjerë drejtues dhe punonjës në hierarkinë e bashkisë së Tiranës. Pse nuk u bëjnë 'like' e 'share' doorëshkrimeve të 'Lalit' nga burgu imagjinar politik apo pse nuk gëzojnë mbështetjen e e avokatit të tij”, vijoi ai.

Një koment e pati edhe për avokatin e tij Plarent Ndreca, tashmë i përjashtuar nga PS. 

“I adresohet shkresërisht Bashkisë së Tiranës duke firmosur si drejtues politik, ndërkohë që është një nga dy të përjashtuarit e ditëve të fundit nga kjo shtëpi, ku s’do të tolerohet më askush që sillet me popullin si e ëma e Zeqos në majë të thanës”, theksoi Rama. 

Kryeministri tha se Veliaj është në gabim në raport me të dhe me Partinë Socialiste dhe se nuk do të tolerojë ata që zbatojnë porositë e tij.

“Unë nuk e gjykoj dot Erjonin për çfarë ai thotë dhe çfarë ai bën, po vetëm uroj me gjithë zemër që ai të kuptojë se është në gabim ditë e natë në raport me mua dhe në raport me Partinë Socialiste të Shqipërisë, por ne do ta gjykojmë me ashpërsinë më të madhe politike. këdo në bashkinë e Tiranës që do ta zbatojë këtë kuturisje qorre kundër njerëzve të bashkisë”, vijoi Rama.

Situatën e krijuar me një bashki të mbetur pa drejtim që prej shkurtit të vitit të kaluar, kur Veliaj u arrestua, Rama tha se “do ta zgjidhim vetëm në 9 maj fitoren e Tiranës në ditën e madhe të Europës.”

Sigurinë në fitore, ai e sheh dhe te dobësitë e kundërshtarëve dhe alternativave përballë partisë socialiste “janë seriozisht të rrezikshme për të nesërmen e vendit, pasi pas çdonjërës prej tyre vjen kaosi, vjen konfuzioni, vjen paqëndrueshmëria që e kërcën e kërcënon sot Shqipërinë si një hije që tanimë është e dukshme për këdo që ka sy të shikojë”.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:26
Rama u kërkon ‘Besën’ socialistëve të Tiranës: Duhet një parti që nuk lë të kalojë asnjë moment që cenon marrëdhënien me qytetarin (VIDEO)

 

Organizimi i ri i Tiranës duhet të bazohet te ‘Besa’, koncepti që Rama prezantoi disa muaj më parë. Kryesocialisti u kërkoi anëtarëve të PS Tiranë një marrëdhënie besimi me njerëzit, empati për të parë përmes syve të tyre, shërbim ndaj qytetarit dhe angazhim në zgjidhje.

“Besnike jo ndaj interesit të pushtetit, por për të qenë gatitu ndaj qytetarëve. Jo për votën, por për besimin e njerëzve të këtij vendi të cilëve u duhet PS sepse është e vetmja që i kupton dhe që i do. Besnike sepse një qytetar që ka një hall të cilin ne mund të mos ia zgjidhim dot mund të na kuptojë, por një njeri i zakonshëm që as nuk do të na dëgjojë, hall ka vetëm pse nuk na ndëshkon. Nëse s’e kuptojmë këtë, mund të mos kemi dot atë për të cilën ne të gjithë së bashku rrimë në një çati dhe gjithë të tjerat bëhen zero, besimin e njerëzve. Besa e lindur nga reflektimi mbi bulevardin e flamingove është besim, empati, shërbim dhe angazhim. Është besim jo si një e drejtë që na takon, por si marrëdhënie që duhet ta ndërtojmë dhe rindërtojmë çdo ditë me atë që bëjmë dhe si sillemi me njerëzit. Empati si aftësi për ta parë realitetin me sytë e atij që nuk jeton, mendon si ne dhe mund të mos votojë fare për ne. Shërbimi si arsyeja e vetme për të cilën qytetari na ka besuar pushtetin. Angazhim si përgjegjësi që nuk fillon me zgjedhjet, por merr kuptim vetëm për zgjidhjet që duhet t’u japim njerëzve. Kjo është BESA e organizimit tonë të ri. Nuk na duhet një parti që shqetësohet vetëm për të numëruar votat, por për të mos lënë të kalojë asnjë moment që e cenon lidhjen me qytetarin”, tha Rama.

Ora 12:18
Riorganizimi/ Rama në Asamblenë e PS-së: Tirana që do të fitojmë më 9 maj kërkon fuqi të madhe qeverisëse më 10 maj (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama tha në Asamblenë e PS-së se Tirana që socialistët synojnë të fitojnë më 9 maj do të kërkojë “fuqi të madhe qeverisëse më 10 maj”. Ai kërkoi që oferta e PS-së për kryeqytetin të shkojë përtej projekteve të nisura, me më shumë mundësi strehimi, rrugë më të sigurta dhe cilësi më të mirë jete në çdo lagje.

“S’po ndërtojmë një organizim të ri për të fituar Tiranën më 9 maj, por organizohemi ndryshe se Tirana që do të fitojmë më 9 maj kërkon fuqi të madhe qeverisëse më 10 maj. Një Tiranë ku oferta jonë nuk mund të jetë vazhdimi i projekteve të nisura. Jo më shumë ndërtime, por mundësi strehimi. Jo më shumë rrugë, por rrugë ku njerëzit lëvizin më mirë dhe më të sigurt. Jo më shumë gjelbërim, por ajër, hije dhe cilësi jete në çdo lagje. Jo më shumë turistë, por më shumë vlerë e shtuar në ekonomi, jetë kulturore dhe më shumë mundësi për sipërmarrjen e punësimin. Jo një qytet që bëhet më i madh, por një kryeqytet që bëhet gjithnjë e më i mirë.

Tirana na kërkonte ta nxirrnim nga humnera. Tirana që kemi sot na kërkon ta ngremë në një nivel tjetër pritshmërie. Kërkon të njëjtën forcë transformuese, PS-në, por jo të njëjtat përgjigje nga forca jonë. Dikur duhej të bindnim njerëzit se Tirana edhe mund të ndryshonte. Sot duhet t’i bindim se Tirana mund të bëhet aq e mirë sa qytetet e Europës.

Shqipëria, njësoj si Tirana, nuk krahasohet me Shqipërinë që ishte, por me Europën ku kërkon të bëhet pjesë. Kjo është fitore e madhe historike e ndryshimit që kemi udhëhequr, por edhe detyrimi ynë, edhe sfida më e jashtëzakonshme për të vazhduar të udhëheqim Shqipërinë. Kemi bërë shumë, por ajo që kemi bërë duhet të na vlejë më shumë për atë që duhet të bëjmë.

Besnikëria ndaj PS-së provohet jo duke i fërkuar shpatullat njëri-tjetrit, por duke mos ua kthyer shpinën kurrë atyre që janë jashtë këtyre mureve. Riorganizimi i PS-së në Tiranë do të jetë shumë më tepër se përgatitje për një fitore tjetër elektorale. Duhet të jetë rifillimi i një marrëdhënieje besimi në një nivel tjetër, mbi të cilën pastaj do ta kemi jo shumë të vështirë të ndërtojmë Tiranën 2030, në Shqipërinë 2030 në BE", tha Rama. 

Ora 12:15
‘Dera e Europës s’mbyllet pa hyrë ne brenda’, Rama: Më 9 maj do të fitojmë për Tiranën dhe Shqipërinë! Me trëndafilin në dorë dhe kurajën në zemër, asgjë s’na ndal (VIDEO)

 

Dera e Europës nuk mbyllet pa hyrë Shqipëria në të, tha Rama në Asamblenë e PS Tiranë. Ai tha me bindje se në zgjedhjet e 9 majit, fitorja do të jetë e Partisë Socialiste sepse Tirana duhet t’u kthehet qytetarëve.

Në fund, e mbylli me një mesazh se me trëndafilin e PS, kurajë e kthjelltësi, asgjë e askush nuk i ndal.

“Të tjerët presin të vijnë zgjedhjet për të filluar të organizohen. Ne organizohemi sapo zgjedhet mbarojnë. Ne e dimë që fitorja nuk na pret ne. Fitorja duhet marrë me punë, përgjegjësi, avantazh mbi kundërshtarët, ndaj kundërshtarëve. Kur sot, dera e Europës është më e hapur dhe më pranë se kurrë, jemi këtu për të siguruar Shqipërinë dhe shqiptarët se ajo derë nuk do të mbyllet pa hyrë ne, Shqipëria, në të! Në 9 maj nuk kemi një palë zgjedhje për të fituar, por kemi kryeqytetin për t’ua kthyer qytetarëve të tij duke vënë në lëvizje gjithë forcën tonë udhëheqëse. Në 9 maj, Ditën e Europës, asgjë nuk është rastësi, flamuri i Skënderbeut dhe Ismail Qemalit do të valëvitet krah për krah, fitimtar me flamurin e Europës. Jo sepse do të fitojmë ne zgjedhjet, por sepse ne do të fitojmë për Tiranën dhe Shqipërinë dhe Tirana dhe PS fitojnë vetëm me PS në drejtimin e tyre. Faleminderit shumë dhe me trëndafilin në dorë, kurajën në zemër dhe kthjelltësinë në mendje, askush, asgjë, asnjëherë ne nuk na ndal”, tha Rama.

Ora 12:14
Asambleja e PS Tiranë, Rama: Kemi bërë gabime, por nuk e humbasim aftësinë për t’u ngritur (VIDEO)

 

Nga Asambleja e PS Tiranë, Rama pranoi gabimet e dobësitë e partisë, por edhe aftësinë e saj për t’u ringritur.

“Kemi bërë gabime, kemi pasur dobësi, kemi bërë dhe faje për të cilat jemi ndëshkuar padiksutim. Por ne kemi pasur diçka që na ka dalluar nga të gjithë dhe që ne nuk duhet ta humbim kurrë, aftësinë për të nxjerrë mësim, për t’u ngritur dhe vazhduar para.  Kemi dalë më të fortë nga tërmeti, nga pandemia, nga krizat e duart e mbrapshta, por edhe ata që kemi shkaktuar vetë. Dolëm më të fortë se nuk u dorëzuam asnjëherë, edhe përballë situatave ku mbase të gjithë menduan se ishte fundi ynë. Jemi përpjekur të kuptojmë çfarë duhet të bëjmë më mirë edhe pasi kemi fituar”, tha Rama.

Ora 12:06
Rama në Asamblenë e PS Tiranë: Garë brenda PS nga çdo anëtar (VIDEO)

 

Gara brenda Partisë Socialiste për këshilltarët bashkiakë do të zhvillohet në çdo lagje e komunitet të Tiranës, tha Edi Rama.

“Për këshilltarët bashkiakë, do të hapim një fushatë të posaçme gare në PS. Do e bëjë çdo anëtar, në çdo lagje e komunitet për t’i dhënë organizimit tonë pamjen më njerëzore. S’po ndërtojmë një organizim të ri për të fituar Tiranën më 9 maj. Po organizohemi ndryshe sepse Tirana kërkon një qeverisje ndryshe”, u shpreh ai.

Ora 12:01
Rama në Asamblenë e PS-së: Riorganizimi për 10 vitet e ardhshme! Të jemi në çdo lagje, sidomos aty ku kemi humbur besimin (VIDEO)

 

Kryeministri Edi Rama tha se riorganizimi i PS-së në Tiranë synon të përgatisë partinë për 10 vitet e ardhshme, përtej zgjedhjeve të radhës. Ai u kërkoi socialistëve të jenë të pranishëm në lagje e në shkallët e pallateve dhe të dëgjojnë sidomos qytetarët që kanë humbur besimin te PS-ja, për të kuptuar ku kanë gabuar dhe çfarë duhet të bëjnë ndryshe.

“Prandaj organizimi që ne nisim sot nuk mund të jetë organizim për të fituar zgjedhjet, por për të garantuar Tiranën dhe Shqipërinë për atë që vjen, jo në një mandat tjetër, por në 10 vitet e ardhshme.

Nuk jemi për të bërë rishpërndarje detyrash apo marrje detyrash nga të tjerë drejtues apo deputetë që banojnë në Tiranë, por shërbejnë në territore të tjera. As për regjistrim të ri anëtarësh dhe mbështetësish, as për të rivënë në punë një makineri që di të marrë shumë vota.

Ne nuk jemi këtu për një mënyrë më efikase që të mbrojmë atë që kemi fituar, por për të merituar atë që kërkojmë të fitojmë përsëri. Kemi nevojë për një PS më të organizuar, ndërsa Tirana për një parti më të pranishme në lagje, në shkallët e pallateve, në jetën e përditshme të njerëzve të të gjitha moshave dhe grupeve të interesit.

Jo vetëm aty ku kemi mbështetje, por sidomos aty ku kemi humbur besimin. Jo vetëm për të shpjeguar çfarë kemi bërë, por edhe për të kuptuar ne vetë se çfarë nuk kemi bërë, çfarë nuk kemi bërë mirë, çfarë kemi bërë gabim dhe çfarë duhet të bëjmë ndryshe. Një parti e shtrirë në të gjitha ditët e javës, në frymën e pranisë besnike", tha Rama. 

Ora 12:00
Protestat/ Rama ironi me opozitën: Shikoni Rrugën e Durrësit, ashtu ishte Tirana që morëm ne! Kur patën mundësi ta ndryshonin, e lanë të lëngojë (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama ironizoi opozitën në Asamblenë e PS-së, duke u kërkuar qytetarëve të shohin semaforët e shkatërruar, trotuaret dhe kangjellat e shkulura nga protestuesit në Rrugën e Durrësit për të kuptuar se si ishte dikur e gjithë Tirana. 

“Tirana 2030 do të jetë realiteti i shumëkujt që sot këto që thashë i kërkon se i sheh të parealizuara. Tirana 2030, ku shtëpi të vjetra në rrezik nuk bëhen pallate, po muze. Janë bërë muze, sepse është një rrjet i tërë që ka nisur të shkojë në atë drejtim, ku bashkia nuk sillet me qytetarin si një taksambledhës që shpik çdo vit e çdo muaj tarifa të reja. Kjo nuk është kritikë për Bashkinë e Tiranës, por autokritikë për të gjitha bashkitë.

Në fund dua t’ju ftoj ta shikoni pak Rrugën e Durrësit, semaforët e shkatërruar, trotuaret e shkulura, kangjellat e shkulura dhe të zhdukura, gjurmët e dhunës mbi trupin e rrugës. Ajo ishte Tirana që morëm ne. Ajo ishte tamam ashtu, jo vetëm në Rrugën e Durrësit, por në të gjithë hapësirën e saj.

Rruga e Durrësit sot është mundësi për të gjithë ata që nuk e kanë njohur atë Tiranë, për t’u kthyer në një kohë si në film, për të ecur në të, për të hequr pemët nga pamja, se edhe ato i kemi mbjellë ne, dhe për të parë se çfarë ndryshimi i madh ka ndodhur me Tiranën.

Atë rikthim në kohë e kanë mundësuar ata që e lanë Tiranën ashtu atëherë. Ata që kanë bërë gjithmonë të njëjtën gjë. Kur e kanë pasur mundësinë ta ndryshojnë Tiranën, e kanë lënë të lëngojë. Kur ne jemi përpjekur ta ndryshojmë, nuk kanë lënë gjë pa bërë që ta pengojnë”, tha Rama.

Ora 11:54
Rama: Nga PS kalon rruga e Tiranës 2030 në Shqipërinë 2030 në BE! Kryeqytetit i ndryshuam pritshmëritë, tani duhet të vrapojmë me to (VIDEO)

 

Pozita e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare ndryshoi vetëm falë Partisë Socialiste, tha Rama në Asamblenë e PS. Duke përsëritur se PS është e vetmja rrugë për anëtarësimin, tha se prej saj kalon “rruga e Tiranës 2030 në Shqipërinë 2030 në BE”.

Rama u ndal edhe te transformimi i Tiranës dhe pritshmëritë e rritura të qytetarëve të saj.

“Shqipëria ishte një vend që lutej për t’u dëgjuar dhe ndahej nga tryezat me ndjesinë e njjë shpërfilljeje ofenduese. Dikur Shqipëria ishte e detyruar të shpjegonte pse ishte aq larg Europës. Dikur Shqipëria ulej formalisht në tryeza, por zërin e saj e dëgjonin si mizë në qyp. Sot Shqipëria negocion kushtet për t’u bërë pjesë e BE, pasi ka hapur gjithë kapitujt, ka mbyllur disa dhe ka synimin për t’i mbyllur brenda vitit të ardhshëm dhe hapjen e rrugës së anëtarësimit brenda këtij mandati që nuk është mandat i dokujtdo, por i PS. Nga kjo parti kalon rruga e Tiranës 2030 në Shqipërinë 2030 në BE. E dinë të gjithë, por ne duhet t’ua tregojmë atyre që edhe mund të mos ta dinë, se nga çfarë humnere e nxorrëm Tiranën. Sot qytetarët e krahasojnë Tiranën jo me atë që ishte, por me qytetet e Europës. Kjo është fitorja më e madhe, por edhe sfida jonë më e madhe sepse jemi ne që ia kemi ndryshuar horizontin e pritshmërive dhe tani nuk na presin dot ne, por duhet të vrapojmë me pritshmëritë e tyre. Sot qytetari i Tiranës nuk jeton dot me fotografitë e arritjeve tona, por me rrugën ku del në mëngjes, autobusin që pret, çerdhen që e ka larg për fëmijën apo s’e ka fare, trotuarin, pallatin ku banon. Ne Tiranën e transformuam nga vendi i mbijetesës në vendin ku kërkohet orë e çast cilësi më e mirë jete”, tha Rama.

Ora 11:51
Rama socialistëve të Tiranës: Deri në 2030 ambicie të dorëzojmë 55 mijë çelësa! S’kemi ndërtuar aq kulla sa për të menduar për pasoja (VIDEO)

 

10 mijë familje do të marrin çelësat e shtëpisë në 2027 me programin e strehimit, tha Rama në Asamblenë e PS. Deri në 2030, ambicia është që të sigurohet strehimi për 55 mijë familje.

Rama u ndal edhe te akuzat për ndërtimin e kullave duke u shprehur se së pari, s’janë në numër të lartë dhe së dyti, sigurojnë të ardhura për bashkinë.

“Me buxhetin e ri dhe sistemin e ri të strehimit, 10 mijë të parët, familje të reja, do të kenë shansin të marrin çelësin e shtëpisë duke filluar nga viti i ardhshëm.

Ne kemi ambicien që deri në 2030, e kemi të shkruar në programin e 2025, të dorëzojmë 55 mijë çelësa, ku shteti u gjendet pranë të gjithëve atyre që meritojnë një mbështetje për të pasur çatinë e tyre. Një qytet që ndërton gjithnjë e më shumë si Tirana, por ku gjithnjë e më pak të rinj kanë mundësinë ta shikojnë një shtëpi e më pak ta kenë, ka një problem që nuk zgjidhet duke ndërtuar edhe më shumë, por duke e parë rritjen e Tiranës si një burim mundësish për të përfshirë edhe më shumë njerëz në shpërndarjen e kësaj pasurie të patundshme. Këtu kam një pikë që dua ta ndaj. Ne nuk kemi ende faktikisht ndërtuar në Tiranë aq shumë kulla sa të ketë një pasojë, por nga ato pak kulla, të ardhurat në buxhetin e bashkisë, janë domethënëse. Të gjithë kur shohin një kullë apo pallat të ri që ndërtohet, aty janë 3% për strehimin social, kontribut i kujtdo që ndërton një kullë apo pallat, ndërkohë që janë 8% taksë për kryeqytetin. Nëse bashkisë Tiranë i heq taksat dhe kontributet, buxheti i bashkisë, bëhet një buxhet që nuk përballon dot nga nevojat që ka qyteti e me radhë”, tha Rama.

Ora 11:41
'Drejtësia e la Tiranën dy vite me kokë të prerë’, Rama: Haraçin e paguan qytetarët, nisim organizimin e ri të PS-së së kryeqytetit (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama njoftoi në Asamblenë e PS-së nisjen e riorganizimit të partisë në Tiranë.

“Sot nisim organizimin e ri të PS-së për Tiranën. Ky organizim duhet të jetë gjithëpërfshirës, partiak në kuptimin e angazhimit të posaçëm të çdo anëtari, qytetar në kuptimin e aktivizimit të çdo shtrese, komunitar. Ky organizim do ta marrë forcën e vet nga arritjet e mëdha të PS-së për Shqipërinë dhe shqiptarët, pasqyra e plotë e të cilave është buxheti i vitit 2027.

Njëkohësisht, në forcë bindëse do të duhet të kthejmë edhe deficitet që ka krijuar për Tiranën humbja e drejtpeshimit të drejtësisë së re, nga njëra anë me paraburgimin e kryetarit të zgjedhur të bashkisë së qytetit dhe, nga ana tjetër, me vendimin absurd të Kushtetueses për ta lënë në detyrë, edhe pse në mungesë. Ky absurditet është i pashoq në historinë e Europës demokratike.

Por as nuk ishte në dorën tonë ta ndalnim, as nuk është në dorën tonë ta zhbëjmë, pavarësisht se haraçin e kripur dhe krejt të pamerituar të këtij absurditeti e paguajnë çdo ditë qytetarët e Tiranës. Në dorën tonë është t’u tregojmë atyre jashtë këtyre mureve, qytetarëve, se si do ta rifitojmë kohën që humbi Tirana në këto dy vite, si do ta mbyllim plagën ende të hapur të rindërtimit”, tha Rama.

Ora 11:37
Asambleja e PS Tiranë, Rama: Vit pas viti do të dyfishojmë rritjen e pensioneve (VIDEO)

 

Pensionet do të vijojnë me rritje të dyfishuar vit pas viti, tha Rama nga Asambleja e PS në Tiranë.

“Nga 1 janari, e thotë tanimë buxheti, bonusi i tyre do të rritet dhe rritja do të jetë dyfishi i vitit të shkuar, ndërsa indeksimi i pensioneve do të afrohet në muajin prill. Askush të mos mendojë nga pensionistët se unë mendoj që këto mjaftojnë. Por mendoj se ka një ndryshim mes një pensioni që nuk rritet dhe një pensioni që rritet çdo vit. Vitin e ardhshëm, pas këtij, do të dyfishohet sërish rritja dhe vitin e fundit të këtij mandati do të dyfishohet rritja e një viti më parë”, tha kryeministri.

Ora 11:30
Asambleja, Rama: PS do ta fitojë sërish Tiranën dhe Shqipërinë, rruga nga kalon bashkimi me Europën (VIDEO)

 

Partia Socialiste do ta fitojë sërish Tiranën dhe Shqipërinë, tha kryeministri Edi Rama, duke e cilësuar këtë forcë si të vetmen nga kalon rruga e bashkimit me BE.

“Partia Socialiste nuk mbetet thjesht alternativa më e mirë relative në një hapësirë politike ku aleternativat e tjera janë jo vetëm shumë më të dobëta, por seriozisht të rrezikshme për të nesërmen e vendit. Pas çdonjërës prej tyre vjen kaosi, konfuzioni, paqëndrueshmëria që kërcënon Shqipërinë që është e dukshme për këdo që ka sy të shikojë. PS është partia që do ta fitojë Tiranën dhe Shqipërinë sepse është rruga nga kalon bashkimi me Europën për këtë kohë kaq të ndërlikuar, Shqipëria jonë e vogël pikërisht se është bërë e madhe është bërë dhe arenë e luftës hibride kundër BE, kundër përparimit, kundër reputacionit tonë të rritur ndërkombëtar. Pse kalon nga kjo parti rruga e fuqizimit ekonomik të Shqipërisë? Këtë e tregon më së miri pasqyra e buxhetit 2027. Ai buxhet nuk ra nga qielli, nuk e prodhuan as dëshirat tona që i kemi pasur të mëdha që në krye të herës, por s’kemi pasur mundësinë t’i kthejmë në buxhete sepse nuk na e ka lejuar ekonomia e tkurrur, por e ka bërë pikërisht ekonomia shqiptare që është më e fortë”, tha Rama.

Ora 11:30
Rama për Veliajn: Uroj ta kuptojë se është në gabim në raport me mua dhe PS-në! Do ta gjykojmë ashpër këdo që zbaton këtë ‘kuturisje qorre’ në bashki! Më 9 maj do ta fitojmë përsëri Tiranën (VIDEO)

Nga Asambleja e PS, Edi Rama foli edhe për akuzat e Veliajt, duke i thënë se e ka gabim në raport me të dhe PS. 

"S’e gjykoj dot Erjonin për çfarë thotë e çfarë ai bën, uroj me gjithë zemër të kuptojë se është në gabim ditë e natë në raport me mua dhe në raport me PS. Por ne do ta gjykojmë me ashpërsinë më të madhe politike këdo në Bashkinë e Tiranës që do zbatojë këtë kuturisje qorre kundër njerëzve të bashkisë , qofshin qytetarë, apo si Erjona Lalaj ( Kreu i policisë bashkiake ), apo demokratë që punojnë në radhët e mijëra njerëzve në bashkinë e Tiranës

Mungesën e kryebashkiakut, ne do ta zgjidhim më 9 maj, me fitoren e Tiranës në ditën e madhe të Evropës dhe ne do ta fitojmë përsëri Tiranën sepse pavarësisht dhe përtej të metave, dobësive, gabimeve, apo edhe fajeve tona, në gjatësinë e një të përpjete të vështirë, sa 13 vjet përpjekje të mundimshme, PS nuk mbetet thjesht alternativa më e mirë relative, ku alternativat e tjera janë shumë më të dobëta, të rrezikshme për të nesërmen e vendit, pas çdo njërës prej tyre, vjen kaosi konfuzioni paqëndrueshmëria që e kërcënon sot Shqipërinë si një hije e dukshme për këdo ka sy të shikojë", tha Rama. 

Ora 11:28
Rama: Si mund të largohet nga puna kryepolicja e Tiranës pse nuk u bën ‘like’ e ‘share’ dorëshkrimeve të Lalit nga burgu imagjinar politik? Kritika edhe Ndrecës (VIDEO)

Nga asambleja e PS, kryeministri Edi Rama akuzoi Erion Veliajn se po largon nga puna ata që nuk po e mbështesin, në “kuturisjen qorre”, siç ai e cilësoi. Sipas Ramës, kryepolicja e Tiranës është larguar nga puna vetëm se nuk ka bërë like e share postimet e Erion Veliajt. Kritika pati edhe për avokatin e tij Plarent Ndreca, i cili tashmë është përjashtuar nga PS.

“Prej vitesh s’u kërkon askush llogari për kë votojnë, jo më t’i largojnë nga puna pse nuk paraqiten me uniformën e partisë. Si mund të largohet një grua që e ka mbajtur me dinjitet uniformën e kryepolicit bashkiak të kryeqytetit, ashtu si të tjerë drejtues dhe punonjës, pse nuk u bëjnë ‘like’ e ‘share’ dorëshkrimeve të Lali-t nga burgu imagjinar politik, apo pse nuk gëzojnë mbështetjen e avokatit të tij?

Ky i fundit i adresohet shkresërisht Bashkisë së Tiranës duke firmosur si drejtues politik, ndërkohë që është një nga dy të përjashtuarit e ditëve të fundit nga kjo shtëpi, ku s’do të tolerohet më askush që sillet me popullin si e ëma e Zeqos në majë të thanës.

Ora 11:22
Asambleja e PS, Rama: Kush do të sillet si e ëma e Zeqos në majë të thanës, s’ka vend në këtë familje politike (VIDEO)

 

Asnjë tolerim për këdo socialist që flet si “e ëma e Zeqos në majë të thanës” nuk do të ketë vend në PS, tha kreu i familjes socialiste, Edi Rama.

“Partneritet i ri strategjik me operatorë të mëdhenj europianë pa harruar taksat dhe tarifat vendore për të cilat PS duhet të ketë një kontratë unike, të qartë dhe detyruese për të gjithë kandidatët e saj në rang kombëtar. Nuk bën më sens që qeveria ta ketë 0 taksën për biznesin e vogël, kurse bashkitë ta ngarkojnë me soj-soj tarifash. Për soj-soj arsyesh, Tirana është një sintezë e Shqipërisë, ku kërkesa dhe oferta duhet të jenë të një niveli tjetër.

Mbajeni mirë parasysh faktin që në Tiranën që e kemi fituar 6 herë në 7 në 26 vitet e fundit, kemi qenë një ofertë gjithnjë e një niveli tjetër. Mbajeni edhe më mirë parasysh këtë herë se atë herë që nuk e mbajtëm dot fitoren, na mundi vjedhja me vulë gjykate e zgjedhjeve, por na la në baltë edhe organizimi i bërë me mendjelehtësinë e skuadrës që hyn në fushë e bindur se e ka fitoren në xhep. Nuk besoj se ne rrezikohemi sot nga ajo lloj mendjelehtësie. Dua ta bëj shumë të qartë për të gjithë se kush do të sillet si e ëma e Zeqos në majë të thanës me detyrat e familjes sonë politike, nuk do të ketë më vend në këtë shtëpi të madhe politike, ku të gjithë janë të nevojshëm, por askush nu është i domosdoshëm”, tha Rama.

Ora 10:58
Asambleja e PS Tiranë, të pranishëm edhe ministrat e deputetët! Mbërrin edhe Balluku (VIDEO)

 

Socialistët kanë nisur të mbërrijnë në Akademinë e Arteve ku do të mbahet Asambleja e PS Tiranë. Në mbledhje do të jenë edhe ministrat e deputetët.

Toni Gogu, Niko Peleshi, Ervin Demo, Ogerta Manastirliu, Albana Koçiu e Belinda Balluku tashmë kanë mbërritur.

Ora 07:23
Pas takimit me ministrat e drejtuesit politikë, Rama mbledh sot Asamblenë e PS Tiranë! Fokusi te zgjedhjet vendore

Kryeministri Edi Rama mbledh sot Asamblenë e Partisë Socialiste në Tiranë, me fokus përgatitjet për zgjedhjet vendore të 9 majit 2027, ku beteja kryesore pritet të zhvillohet për Bashkinë e kryeqytetit.

Mbledhja do të mbahet në orën 11:00, te Akademia e Arteve. Pritet që zhvillimi i saj të jetë me dyer të mbyllura, por ende s’ka një njoftim zyrtar.

Të premten, Rama mblodhi ministrat dhe drejtuesit politikë të qarqeve në një takim në godinën e Kryeministrisë.

Në fokus të takimit kanë qenë përgatitjet për zgjedhjet lokale të 9 majit 2027, ku janë diskutuar edhe hapur për organizimin elektoral të socialistëve. Prioritetet e PS-së mbeten intensifikimi i punës organizative për zgjedhjet lokale dhe forcimi i komunikimit me qytetarët.

Në fokus të diskutimit ka qenë edhe Prania Besnike. Gjatë takimit, Rama ka kërkuar mobilizimin e strukturave socialiste, duke theksuar rëndësinë e vijimit të takimeve me qytetarët. Kreu i qeverisë u ka kërkuar përfaqësuesve të PS-së që të mos e humbin vëmendjen nga komunikimi i drejtpërdrejtë me qytetarët dhe adresimi i shqetësimeve të tyre.

Të shtunën e kaluar, më 14 nëntor, kreu i PS mblodhi Asamblenë e Përgjithshme në Gjirin e Lalzit, ku socialistët diskutuan organizimin e strukturave të partisë dhe përgatitjet për fushatën zgjedhore, me vëmendje të veçantë te Tirana.

Gjatë asaj mbledhjeje, Rama shkarkoi Erion Veliajn nga PS-ja e Tiranës dhe kërkoi mobilizimin e strukturave socialiste për zgjedhjet vendore. 

Ndërkohë, Ervin Demo dhe Albana Koçiu u caktuan në drejtimin organizativ të socialistëve të Tiranës.

Sa e vlerësoni këtë artikull?
★ ★ ★ ★ ★
5.0 / 5 (7 vlerësime)

Komente

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Yrvjijv: 21/11/2026 17:48

    Urime per"drejtesine e re te Argites" qe bete Duket si qeveria qe ecen me kembet te lidhura me zinxhir.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 21 Nëntor, 17:11

    Cila mendoni se është rruga për zgjidhjen e kërkesave të studentëve?