TIRANË- Në GJKKO po zhvillohet seanca e radhës për aferën Partizani, ku dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha ka paraqitur parashtrimet e tij. Në seancë pati debate, për shkak të sulmeve që dhëndri Jamarbër Malltezi ka adresuar ndaj prokurorëve të çështjes, duke i quajtur prokurorë politikë. Gjykata ndërhyri për termin e përdorur nga Malltezi, duke kërkuar t’iu drejtohet vetëm me “prokuror”
Malltezi: Po si tu them prokuror, ata janë prokuror politik që ngritën një akuzë politike.
Gjykata ndërhyn sërish: Jo këtë gjuhë ndaj përfaqësuesve të akuzës, ata janë prokuror.
Malltezi: Prokurorët politik e kam artikuluar edhe më parë pse qenka sakrilegj. Po deshët shtoni një akuzë të re për agjitacion e propagandë, se kemi të pushkatuar më parë
Malltezi sulmoi prokurorin Kraja duke e quajtur “hetues të komunizmit”, ndërsa tha se prokurorja Enkeleda Millonai është katapultuar në SPAK nga Taulant Balla.
“Kërkoj t’i tërhiqet vërejtje të pandehurit, pasi të pandehur nuk janë prokurorët në këtë proces. Nëse ka pretendime, t’iu drejtohet organeve përkatëse. Të qëndrojë brenda atyre elementëve që përmban akuza”, tha prokurorja Minollai.
Dosja për aferën Partizani kaloi për gjykim më 19 maj. Berisha do të gjykohet për akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë pasi akuzohet se, në cilësinë e kryeministrit, ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, ku përfitues ishte edhe dhëndri i tij.
Edhe Jamarbër Malltezi është nën akuzë për korrupsion por edhe për pastrim parash. Sipas SPAK, ai ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.
Ortaku i Malltezit, Fatmir Bektashi akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash, ndërsa trashëgimtari i tokës Xhimi Begeja dhe financierja Andia Pustina, që merrej me punët financiare dhe ligjore të kompanisë “Homeplan”, akuzohen për pastrim parash. Po ashtu, në gjyq për pastrim parash janë edhe tre kompanitë “Kontakt”, “Homeplan” dhe “Studio Pustina”.
Komente












