Mbahet takimi i komitetit PE-Shqipëri, Bardhi: Qeveria ushtron presion për mediat! Balla: Jemi tërhequr nga ligji anti-shpifje

Brukseli miraton rezoluten me 15 pika për Shqipërinë, në të cilën u përfshinë dhe 11 amendamente të Partisë Demokratike. Rezoluta mori dritën jeshile dy ditëve të fundit, ku u diskutua lufta ndaj korrupsionit, siguria kibernetike, si dhe ruajtja e të dhënave personale.  Ndërsa opozita shprehu shqetësimin e saj për sa i përket ‘pasaportave të arta’ e ‘amnistisë fiskale’ për mazhorancën arritjet kanë qenë në përputhje me kërkesat e Bashkimit Evropiane.

"Pas portit te Durresit fshihen pasaportat e arta dhe amnistia fiskale. Kjo është shqetësuese", tha Enkelejd Alibeaj.

"Thuhet që është hequr ligji anti shpifje, sot po goditet një media në Shqipëri", tha Gazment Bardhi

‘Qeveria e ka tërhequr ligjin anti shpifje. Tërheqja e ligjit i është komunikuar konferencës së kryetarëve dhe është pranuar, ashtu si edhe gjatë seancës plenare. Kjo verifikohet lehtësisht.’- tha Taulant Balla.

Përtej diskutimeve, në rezolutë përshëndetet roli i Shqipërisë në rajon dhe qëndrimi i saj për zhvillimet globale. Euro-deputetët inkurajojnë kultivimin e bashkëpunimit rajonal dhe rolin aktiv në nismat rajonale, duke nënvizuar rëndësinë e gjithëpërfshirjes së tyre. Një pikë e rezolutës është dhe heqja e tarifave roaming ndërmjet gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në fund të punimeve, Komiteti Parlamentar i Stabilizim-Asocimit miratoi rekomandimet për Shqipërinë dhe u dakordësua që takimi i radhës të mbahet në shkurt të vitit të ardhshëm, në Tiranë. Takimi i zhvilluar në Bruksel vjen pak ditë para se në Tiranë të zhvillohet samiti mes Bashkimit Evropiane dhe Ballkanit Perëndimor.    

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:45
Përfundon takimi i komitetit PE-Shqipëri, krerët e delegacioneve Balla dhe Kefalogiannis: Mbështesim integrimin e Shqipërisë në BE

Ka përfunduar takimi i Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asocimit BE-Shqipëri, ndërsa bashkëkryetarët Manolis Kefalogiannis dhe Taulant Balla dolën me një deklaratë të përbashkët.

Në deklaratë nënvizohet se ky takim është një shenjë e qartë se dy parlamentet kanë si qëllim integrimin e Shqipërisë në BE.

“Në datat 1 dhe 2 dhjetor 2022, Komiteti Parlamentar i Stabilizim Asocimit BE-Shqipëri zhvilloi takimin e tij të 15-të. Ky ishte takimi i dytë për vitin 2022, pas takimit të suksesshëm në Tiranë, në muajin shkurt. Këto takime janë një shenjë e qartë se të dy parlamentet kanë një interes të madh për të pasur një dialog dinamik dhe për të mbështetur në mënyrë pro aktive procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, i cili ka marrë një shtysë të fortë me mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare në muajin korrik, dhe me nisjen e ardhshme të ushtrimit screening. 

Kemi pasur shkëmbime të sinqerta dhe produktive për të gjitha çështjet që kishte agjenda. Jemi krenarë që qasja jonë e përbashkët, e orientuar drejt konsensusit, na mundësoi dhe një herë ta mbyllim takimin tonë duke miratuar një set tjetër rekomandimesh të plota që pasqyrojnë qëndrimet tona të përbashkëta për një numër të madh çështjesh, përfshi vlerësimet gjeo-politike dhe solidaritetin tonë të palëkundur me Ukrainën dhe dënimin e agresionit rus, arritjet dhe sfidat në procesin e reformave, mbrojtjen e të drejtave themelore, përfshi të drejtat e pakicave dhe lirinë e medias, si dhe perspektivën për përjashtimin e tarifave roaming midis Shqipërisë e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, dhe vendeve anëtare të BE-së.”

Balla është shprehur se ky takim ishte tepër produktiv, ku u miratua një set rekomandimesh të plota që pasqyrojnë qëndrimet e të përbashkëta për një numër të madh çështjesh të rëndësishme dhe aktuale. 

 “Jemi krenarë që qasja jonë e përbashkët, e orientuar drejt konsensusit, na mundësoi dhe një herë ta mbyllim takimin tonë duke miratuar një set tjetër rekomandimesh të plota që pasqyrojnë qëndrimet tona të përbashkëta për një numër të madh çështjesh, përfshi vlerësimet gjeo-politike dhe solidaritetin tonë të palëkundur me Ukrainën dhe dënimin e agresionit rus, arritjet dhe sfidat në procesin e reformave, mbrojtjen e të drejtave themelore, përfshi të drejtat e pakicave dhe lirinë e medias, si dhe perspektivën për përjashtimin e tarifave roaming midis Shqipërisë e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, dhe vendeve anëtare të BE-së”. 

Ky ishte takimi i dytë për vitin 2022, pas takimit që u mbajt në Tiranë, në muajin shkurt.

Ora 12:47
Balla nga Brukseli: Samiti i 6 Dhjetorit BE-Ballkani Perëndimor ka një rëndësie të veçantë 

1669981679_balla.jpg

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla ka theksuar se Samiti i 6 Dhjetorit BE-Ballkani Perëndimor që do të mbahet në Tiranë është e një rëndësie të veçantë si dhe ka theksuar se elementë që kanë të bëjnë me çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes, luftën ndaj fenomenit të dezinformimit dhe përmirësimin e sigurisë kolektive kibernetike janë thelbësore për t’u diskutuar. 

“Samiti i 6 Dhjetorit BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë do të jetë një mundësi për të diskutuar veprimet e koordinuara për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes, të cilat janë bërë edhe më të rëndësishme në kontekstin e agresionit rus kundër Ukrainës. Kjo përfshin gjithashtu luftimin e fenomenit të dezinformimit dhe përmirësimin e sigurisë kolektive kibernetike”, shprehet Balla. 

Gjithashtu Balla ka nënvizuar se dezinformimi po minon demokracinë kudo në botë përmes lajmeve të rreme të cilat vihen më tepër në dukje në fushata zgjedhore përmes financimit të partive politike. 

“Demokracia është e kërcënuar kudo në Europë, edhe në Shqipëri, nga dezinformimi dhe lajmet e rreme, të cilat amplifikohen edhe më shumë kur afrohen proceset zgjedhore. Ndërhyrjet e huaja në zgjedhje mund të marrin forma të ndryshme përfshirë fushatat e dezinformimit në mediat sociale për të ndikuar opinionin publik, sulmet kibernetike që synojnë infrastrukturën kritike në lidhje me shërbimet publike, mbështetjen e drejtpërdrejtë dhe jo të drejtpërdrejtë financiare të aktorëve politikë.

Rusia është e përfshirë prej kohësh në sulmet ndaj demokracisë në shumë vende përmes financimit të partive politike, sikurse edhe në financimin mediave apo llogarive të caktuara në rrjetet sociale, të përfshira në përhapjen e lajmeve të rreme dhe fushata dezinformimi. Kujtoj se Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar në dhjetor 2019 një Rezolutë “Për ndërhyrjet e huaja në proceset zgjedhore dhe dezinformimin në proceset demokratike kombëtare”, duke iu referuar pikërisht këtyre kërcënimeve dhe duke u kërkuar institucioneve marrjen e të gjitha masave mbrojtëse dhe parandaluese. 

Duhet ta adresojmë sa më shpejt këtë sfidë të madhe për demokracinë”, thekson Balla.

M.Q./SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Austri/ Orteku vret 2 skiatorë në alpet e Tirolit, kërkime dhe për një të tretë

Austri/ Orteku vret 2 skiatorë në alpet e Tirolit, kërkime dhe për një të tretë