Mbështetësit e Veliajt gjatë seancës/ GJKKO e SPAK: Garda kërkoi ndihmë nga policia, por s'reagoi! Ministria të vendosë para përgjegjësisë ata që s'morën masa, u cenua siguria

TIRANË- Gjykata e Posaçme dhe SPAK i kërkojnë ‘llogari’ Policisë së Shtetit se përse nuk iu përgjigjën kërkesës së Gardës për të marrë masa për situatën e krijuar para GJKKO ku u mblodhën mbështetës të kryebashkiakut Erion Veliaj gjatë seancës së 12 shkurtit për verifikimin e masës së sigurisë. Të dy institucionet e drejtësisë iu janë drejtuar me shkresa të veçanta Ministrisë së Brendshme, Policisë së Shtetit, AMP-së, dhe kërkojnë sqarime se pse nuk u morën masat.

GJKKO thotë se Garda e Republikës ka kërkuar ndihmë nga Policia e Shtetit për të garantuar perimetrin jashtë të Gjykatave të Posaçme dhe SPAK, por nuk ka pasur asnjë reagim. Kjo situatë sipas GJKKO ka krijuar vështirësi në lëvizjen e gjyqtarëve qoftë gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore, por është cenuar edhe siguria për jetën dhe shëndetin e tyre. Shkresat u janë dërguar për dijeni edhe KLGJ dhe delegacionit të BE.

“Punonjësit e Gardës së Republikës kanë informuar Gjykatën se, në vazhdimësi është kërkuar prej tyre ndihmë nga Policia e Shtetit për të garantuar perimetrin jashtë të Gjykatave të Posaçme dhe SPAK, duke vendosur kordonin e sigurisë me punonjës policie me uniformë, sikurse është vepruar në raste të tjera të ngjashme në protestat e datave 6.12.2024 dhe 06.01.2025.

Gjithashtu, informacioni i cili i është përcjellë institucionalisht Policisë së Shtetit nga Garda e Republikës ku i është bërë e ditur rreth grumbullimit të një numri të konsiderueshëm protestuesish përballë Gjykatave të Posaçme është mbuluar gjithashtu pothuajse nga të gjitha mediat, edhe në lidhje direkte”, thuhet në reagimin për mediat.

GJKKO dhe SPAK kërkojnë nga Ministria e Brendshme që të marrin masat e duhura për vënien përpara përgjegjësisë administrative apo ligjore, të gjithë personat përgjegjës të Policisë së Shtetit, të cilët nuk kanë marrë masat e duhura, për të shmangur apo monitoruar këtë situatë.

“Nëpërmjet shkresës më sipër, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, i është drejtuar Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, që të marrin masat e duhura për vënien përpara përgjegjësisë administrative apo ligjore, të gjithë personat përgjegjës të Policisë së Shtetit, të cilët nuk kanë marrë masat e duhura, në zbatim të ligjit, për të shmangur apo monitoruar këtë situatë të paprecedentë”, thuhet në reagimin e GJKKO.

"SPAK ka kërkuar përmes shkresës zyrtare me nr. protokolli 5458, dt. 14.02.2025: Marrjen e masave nga Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për të vënë përpara përgjegjësisë personat përgjegjës për mungesën e reagimit", thuhet në reagimin e SPAK. 

GJKKO sjell edhe shembujt e dy protestave që janë mbajtur nga Partia e Lirisë më 6 dhjetor 2024 dhe protestës së Sali Berishës më 6 janar 2025, duke kërkuar që të informohen mbi masat që janë marrë në këto dy raste dhe pse nuk veprua në mënyrë të njëjtë edhe në rastin kur para GJKKO u mblodhën mbështetësit e Veliajt.  

Një ditë më parë, teksa po hynte në ambientet e Kuvendit për seancë plenare, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha e argumentoi mungesën e policisë me faktin se ai ishte një grumbullim i paparalajmëruar mbështetësish dhe jo protestë. Ministri gjithashtu evidentoi se pasi grumbullimi u bë më i madh pati masa të shtuara.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:16
Mbështetësit e Veliajt gjatë seancës/ SPAK: Policia nuk mori masa, shkelje flagrante e ligjit e cënim serioz i pavarësisë së institucioneve të drejtësisë

1739344778_veliaj.jpg

Edhe SPAK i është drejtuar me një shkresë zyrtare Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit duke shprehur shqetësimin mbi mungesën e reagimit në garantimin e sigurisë dhe rendit publik, përpara dhe  gjatë seancës gjyqësore për masën e sigurisë ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj. SPAK thotë se mbështetësit kanë penguar lëvizjen e prokurorëve, gjyqtarëve dhe personelit duke sulmuar automjetet dhe kanë përdorur fyerje dhe kërcënime ndaj tyre.

SPAK kërkon marrjen e masave nga Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për të vënë përpara përgjegjësisë personat përgjegjës për mungesën e reagimit. SPAK e konsideron qëndrimin e Policisë së Shtetit një shkelje flagrante të detyrimeve ligjore dhe një cenim serioz të pavarësisë së institucioneve të drejtësisë.

“Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), përmes një shkresë zyrtare me nr. protokolli 5458, dt. 14.02.2025, i është drejtuar Ministrisë së Brendshme, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit duke i shprehur shqetësimin mbi mungesën e reagimit në garantimin e sigurisë dhe rendit publik, përpara dhe  gjatë seancës gjyqësore më datë 12.02.2025 ora 08:30, përpara ambienteve të SPAK dhe Gjykatave të Posaçme.

Seanca gjyqësore zhvillohej për marrjen në pyetje të personave nën hetim E.V, A.X, E.A, G.S, M.P, F.B, dhe Sh.F për verifikimin e kushteve dhe kritereve të caktimit të masës dhe nevojat e sigurimit.

Gjatë protestës së zhvilluar më 12.02.2025, protestuesit kanë penguar lëvizjen e prokurorëve, gjyqtarëve dhe personelit duke sulmuar automjetet dhe kanë përdorur fyerje dhe kërcënime ndaj tyre.

Bazuar në legjislacionin dhe aktet nënligjore në fuqi, objektet ku ushtrojnë veprimtarinë e tyre SPAK dhe Gjykata e Posaçme mbrohen nga Garda e Republikës. Po ashtu në nenin 7, pika 1, gërma “l” e ligjit nr. 33/2021 “Për gardën e Republikës së Shqipërisë”, parashikon  bashkëpunimin e Gardës së Republikës me Policinë e Shtetit për garantimin e sigurisë, veçanërisht në raste të situatave të jashtëzakonshme.

Duke u mbështetur tek raportimet e punonjësve të Gardës së Republikës janë kryer kërkesa të përsëritura për ndihmë drejtuar Policia e Shtetit për të garantuar perimetrin e jashtëm të SPAK dhe Gjykatave të Posaçme, duke vendosur një kordon sigurie të forcave policore. Kjo praktikë është ndjekur edhe më parë në protestat e zhvilluara, pranë ambienteve të SPAK dhe Gjykatave të Posaçme.

SPAK ka kërkuar përmes shkresës zyrtare me nr. protokolli 5458, dt. 14.02.2025: Marrjen e masave nga Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për të vënë përpara përgjegjësisë personat përgjegjës për mungesën e reagimit.

Një shpjegim të argumentuar për mungesën e masave si në rastet e ngjashme në incidentin e datës 12.02.2025.

Gjithashtu e konsideron qëndrimin e Policisë së Shtetit një shkelje flagrante të detyrimeve ligjore dhe një cenim serioz të pavarësisë së institucioneve të drejtësisë. Mosveprimi për të garantuar sigurinë e prokurorëve dhe gjyqtarëve si dhe institucioneve të drejtësisë bie ndesh edhe me standardet ndërkombëtare si dhe ato që lidhen me kushtet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian për mbrojtjen e sundimit të ligjit.

Shkresa i është drejtuar veç Ministrisë së Brendshme, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, edhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore si edhe për dijeni Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri", thotë SPAK. 

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • lavdosh: 14/02/2025 21:53

    Fakti qe SPAK dhe GJKKO po reagojne me deklarata do te thote shume gjera: 1) U zbuluan qe kane bere loje politike 2) Duan te mbulojne mutin me shurre ku ashiqare duket qe kane shkelur ligjin dhe kane cenuar integritetin e drejtesise. Nje gje eshte e qarte nqs bazohesh ne eksperiencat me te mira te drejtesise: Veliaj to shpallet i pafajshem jo sepse eshte i ndershem apo se nuk ka bere korrupsion (pasiv ose aktive) por vetem per faktin se jane shkelur procedurat ligjore dhe qe haptasi Prokurori eshte ne konflikt interesi dhe eshte frymezuar politikisht qe ka cuuar ne shkelje flagrante te ligjit dhe te prezumimit te pafajesise. SPAK/GJKKO/KLP/KLGJ nuk kane bere ze per te gjitha protestat disa edhe brenda salles te gjyqit nga mbeshtetes te PD/PL

    Përgjigju
  • Kalariu: 14/02/2025 17:13

    Hajdutat e Rilindjes mendojne se do frikesojne njeri!!! Nari Lundres bente si diligent para GJKKO!!!! DO TA HASH nari bashke me patronazhistat e Rilindjes!!! Edhe Policia qe nuk erdhi per te zbatuar detyren kushtetuese!!!! Do ju vije Haku sipas kokes mos kini merak!!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 30 Mars, 00:06

    Programi i PS, a ju duken të realizueshme objektivat ekonomikë?



×

Lajmi i fundit

Skënder Minxhozi: Të gjuash me gur Evropën që të dëgjojë 'sherifi'

Skënder Minxhozi: Të gjuash me gur Evropën që të dëgjojë 'sherifi'