Marrëveshja për mbështetje buxhetore për shkollat Shqipe në diasporë e nënshkruar nga qeveria shqiptare dhe ajo e Kosovës në 2014, ka mbetur vetëm në letër. Në një intervistë për “Report TV”, Adriana Bejko, e cila mban titullin “Ambasadore e Kombit”, tha se mësuesit e gjuhës shqipe në Diasporë janë modeli më i mirë i mbrojtjes së identitetit kombëtar, por edhe pse kanë kaluar 8 vite, nuk është mundur të krijohet ende një buxhet i përbashkët.
“Ajo që mungon është fakti se në tetë mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive, është një nen që premton se do krijohet një buxhet i përbashkët i dy qeverive për të mbështetur financiarisht shkollat shqipe në diasporë. Ky diskutim ka nisur në vitin 2014 dhe sot jemi në vitin 2022 dhe akoma s’ka bërë asnjë hap për zbatimin e vendimit. Mësuesit e diasporës janë modeli më i bukur ndaj përkushtimit për mësimin e gjuhës shqipe pasi punojnë në mënyrë vullnetare. Isha në Belgjikë dhe atje u njoha me një mësuese që kishte 11 vite që punonte mësuese e gjuhës shqipe me fëmijët e brezitë të dytë apo të tretë. S’besoj se ka shumë mësues në Shqipëri që duan të punojnë 11 vite në mënyrë vullnetare”, tha Bejko.
Megjithatë, Bejko e cilëson arritje të madhe kurrikulën dhe abetaren e përbashkët.
“Aspekti administrativ është vënë në terezi. Me Ministrinë e Arsimit të Kosovës kemi arritur të ndërtojmë kurrikulën e përbashkët, por dhe abetaren e përbashkët. Merita i takon më së shumti qendrës së botimeve për diasporën, që edhe gjatë pandemisë ka qenë një mbështetje e jashtëzakonshme për mësimin e gjuhës shqipe dhe ruajtjen e identitetit”, vijon Bejko.
Abetarja e përbashkët Shqipëri-Kosovë hyri në fuqi këtë vit shkollor dhe ekspertët e kanë cilësuar si një ndër botimet më të mira për nxnësit e klasave të para.