MIRDITË- Rruga hyrëse për në qytetin e Rrëshenit është krejtësisht e amortizuar. Prej vitesh nuk mbushen as gropat..

Nga vëzhgimi i Report TV në qytetin verilindor konstatohet lehtësisht rrënimi i infrastrukturës nga qendra në periferi.

Ndërsa këto janë pamjet e unazës e qytetit, pranë shkollës 9-vjeçare.

Siç tregojnë banorët gjatë 8 viteve të fundit është investuar vetëm për sheshin e qytetit, projekt i Rilindjes Urbane me vlerë 1.400.243 € (euro) po kështu është rikonstruktuar dhe konvikti i shkollës së mesme me vlerë 442.626 €.  Për infrastrukturën zero investime.

"Kanë investuar vetëm në qendër të qytetit kurse jashtë  qendrës  rrugët janë copë-copë me gropa. Pushteti vendor ka 6 muaj  e fundit që nuk investon fare”.

“Kanë bërë vetëm sheshin se ka qenë fond i madh,  dhe kanë vjedh fondet, ndërsa jashtë qytetit rrugët janë copë-copë dhe trotuaret pa pllaka".

Rrësheni me afro 8 mijë banorë është qendra e Bashkisë Mirditë. Kryebashkiaku Ndrec Dedaj, i kontaktuar në telefon nga Report Tv justifikohet me mungesën e fondeve, duke shtuar se pret financime nga qeveria për të asfaltuar rrugët e qytetit.