Eksperti i Bujqësisë, Ilir Pilku, ka bërë një përllogaritje të dëmit të shkaktuar nga përmbytjet e ditëve të fundit në vend, duke dalë në konkluzionin se ky dëm shkon në mbi 150 milionë euro.
Komentet Pilku i bëri në emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’ në Report TV, ku tha se sot bujqësia ka nevojë për një ristrukturim të plotë, ku të zhvillohet edhe strategjia e riskut klimaterik.
Ai po ashtu renditi disa problematika që e kanë dëmtuar mjedisin, si ndërtimet pa kriter, apo mos-pastrimi i kanaleve kulluese, që sipas Pilkut çon në rritjen e dëmeve nga përmbytjet.
“Unë e kam thënë që bujqësia kërkon një ristrukturim të plotë, 360 gradë. Dhe një nga ato ndryshime apo strategji që ne duhet të kishim zhvilluar, është menaxhimi i riskut klimaterik. Dhe kjo për hir të së vërtetës, akoma nuk ka marrë vëmendjen e duhur, pavarësisht se ne çdo vit kemi nga 100 milionë dhe më shumë euro humbje nga bujqësia, por edhe në zonat urbane relativisht fatura është e lartë. Situata është shumë komplekse.
Është komplekse vetë bujqësia dhe menaxhimi i këtij sektori, por ashtu siç janë edhe vetë zonat urbane, ndërtimet pa kriter e studime. Ne shpesh herë kemi komplekse turistike që pas investimit nuk përmbushin nevojat për ujë dhe shkarkim të kanaleve dhe pastaj krijojnë problematika të tjera. Në vit Shqipëria duhet të pastrojë nga kanalet kulluese rreth 5-6 milionë metër kub llum dhe papastërti. Dhe kjo nuk mund të bëhet me 50 eskavatorë të dhuruar para 8 vitesh nga Banka Botërore. Situata është tejet e rëndë.
Duke gjykuar në sipërfaqet përkatëse, pasi ne kemi rreth 31 mijë hektarë të mbjellë me perime dhe sipërfaqja prej 58 mijë hektarë të mbjella me grurë, duke përllogaritur 2200 hektarë me sera dhe një sipërfaqe të lartë me ushqim për blegtorinë, unë përllogaris që dëmi në bujqësi duke përllogaritur edhe një sasi që ka kaluar në treg muajt e fundit (jo e gjitha e dëmtuar), është rreth 150 milionë euro. Kjo pa përllogaritur edhe dëme të tjera në vreshtari. Jemi në një katastrofë shumë të madhe”, tha mes të tjerash Pilku.
Lajmi kryesor:
‘Natyra po hakmerret’, eksperti Qirko zbulon shkaqet e përmbytjeve në vend: Janë shtuar sedimentet në lumenj e kanale! Pilku: 150 milionë euro dëm









