Kanadaja ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në provincën e Kolumbisë Britanike, pasi zjarret pyjore janë përhapur me shpejtësi, duke detyruar mbi 20 mijë persona të largohen nga shtëpitë e tyre.
Një nga vatrat kryesore u zgjerua në rreth 50 kilometra katrorë brenda vetëm pak orësh, duke shkatërruar banesa dhe duke bllokuar disa banorë, të cilët u nxorën nga ekipet e shpëtimit.
Sipas autoriteteve, në të gjithë provincën janë aktive më shumë se 100 vatra zjarre pyjore, ndërsa pothuajse gjysma e tyre janë jashtë kontrollit për shkak të temperaturave të larta, erës së fortë dhe thatësirës së zgjatur.
Evakuimi përfshiu qytetin Samerlend dhe zonat përreth, ndërsa autoritetet ende nuk kanë një bilanc të saktë për numrin e banesave të shkatërruara.
Kryeministri i Kolumbisë Britanike, Dejvid Ebi, tha se disa banorë mbetën të bllokuar nga flakët dhe u shpëtuan nga ekipet e emergjencës, ndërsa kërkimet vijojnë për të verifikuar nëse ka persona të tjerë në zonat e prekura.
Autoritetet paralajmërojnë se kushtet mbeten shumë të favorshme për përhapjen e zjarreve dhe se edhe zona të tjera mund të përballen me situata të ngjashme në ditët në vijim.










Komente
Komento