Mbi 351 mijë të punësuar në vend me pagë minimale! Rrogat e ulta apo të padeklaruara? Eksperti: Ka evazion

Paga mesatare në vend në fund të vitit 2023 arriti në 75 mijë lekë, duke u rritur me 9 mijë lekë në krahasim me vitin 2022.

Rritje me 13,414 lekë shënuan rrogat e administratës, ndërsa biznesi privat rrogat e punonjësve i rriti mesatarisht 7.202 lekë. Pra rritja e rrogave në shtet ishte afro 53% më e lartë se në privat.

Por sa po paguhen realisht shqiptarët?

Bazuar në statistikat e INSTAT, në fund të vitit  të shkuar në vend ishin mbi 1.3 milionë të punësuar, por nga këto afro 351 mijë të punësuar në vend, paguheshin me pagë minimale nga bizneset, 40 mijë lekë.

Më pas janë 28.9% që marrin rroga deri në 60 mijë lekë. Konkretisht referuar shifrave 19.8% e të punësuarve ose mbi 262 mijë paguhen nga mbi 40 mijë lekë deri në 50 mijë lekë dhe 120 mijë të tjerë paguhen nga mbi 50 deri në 60 mijë lekë. Pra nga këto shifra rezulton se afro 55.4% (733,924 punonjës) e të punësuarve nuk arrijnë rrogën mesatare që ka vendi.

Teksa ekonomisë prej vitesh po i ushtrohet presion për të rritur pagat për të mbajtur punonjësit, shifrat tregojnë një reagim të ulët, dhe i ndikuar kryesisht prej rritjes së pagës minimale.

Kjo panoramë ku rreth 734 mijë shqiptar paguhen deri në 60 mijë lekë ngre dyshime të mëdha, mbi deklarimin real të rrogave, një fenomen negativ ku një pjesë e pagës jepet në dorë e një pjesë në bankë.

“Këto veprime nuk janë të reja, por është krijuar një traditë tashmë. Nuk janë mbyllur shtigjet në luftën kundër informalitetit, dhe gjendet terreni ende i hapur”, shprehet eksperti i ekonomisë Eduart Gjokutaj.

Fenomenin negativ të mos deklarimit real të pagave, me pasoja të rënda edhe për pensionin e së ardhmes, Report TV e ka trajtuar në një investigim të zgjeruar, e që pritet të vijohet më tej.

Pjesa tjetër afro 44.6% e të punësuarve paguhen mbi 60 mijë lekë, ku sipas INSTAT, janë afro 348 mijë qytetarë që paguhen nga 60 deri në 90 mijë lekë, ndjekur nga 7.7% që marrin mbi 90 mijë deri në 120 mijë lekë dhe pjesa tjetër 10.7% e të punësuarve në vend që marrin mbi 120 mijë lekë.

Gjatë vitit të kaluar është vënë re një rritje e rrogave për profesionet elementare në fushat ku nuk kërkohen profesionistë të kualifikuar. Konkretisht vjet u rritën rrogat për sektorin e tregtisë dhe të shërbimeve ku bëjnë pjesë kamerier, banakierë e persona të tjerë në hotele e turizëm me 7,601 lekë. Po kaq janë rritur rrogat edhe në bujqësi dhe industri, edhe pse këto sektor mbeten me nivelin më të ulët të rrogave në vend.

“Sektori privat ka një rritje të vazhdueshme dhe vjetore të pagave, i detyruar jo vetëm nga rritja e pagave, por edhe nga mbajtja e ngarkesave për shkak se bizneset i kanë rritur volumet. Por duhet të merren masa që rritja të jetë më e prekshme. Mund të ndërhyhet sa me pjesën e arsimit profesional që është i mangët dhe përputhet me tregun si në sasi edhe në cilësi. Por edhe me politika të ndryshme subvencionuese të cilat duhet të jenë politika rezervë për bizneset që nuk performojnë mirë”, thotë eksperti.

Aktualisht biznesi kërkon më shumë se 5600 punonjës të profesioneve të ndryshme, me ose pa kualifikim arsimor.

PAGA MESATARE BRUTO

Shtet      87.864 lekë            +13,414 lekë

Privat     69.400 lekë              +7.202 lekë

Diferenca shtet-privat              6,212 lekë

SA PAGUHEN SHQIPTARËT?

40 mijë lekë                        351 mijë punonjës

40.001-50 mijë lekë            262 mijë punonjës

50.001- 60 mijë lekë           120 mijë punonjës

60.001-90 mijë lekë            348 mijë punonjës

90.001- 120 mijë lekë         102 mijë punonjës

Mbi 120 mijë lekë               141 mijë punonjës

B.K/E.H/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Miratohet Buxheti i Bashkisë së Elbasanit, Opozita voton kundër! Debate mes palëve, kalon edhe paketa fiskale për vitin 2025

Miratohet Buxheti i Bashkisë së Elbasanit, Opozita voton kundër! Debate mes palëve, kalon edhe paketa fiskale për vitin 2025