Kritikat e forta publike të Elisa Spiropalit, që shkojnë deri në kufijtë e akuzave për deformim strukturor të partisë, nuk kanë zënë ende vend në diskutimet e grupit parlamentar të PS-së.
I pyetur pas mbledhjes me deputetët socialistë, ku ish-ministrja nuk ishte e pranishme, kryetari i Grupit Taulant Balla thotë shqetësime të tilla nuk janë formalizuar as në strukturat e partisë e as të grupit.
“Kemi pasur shumë debate për çështje të disa ligjeve, koleg të cilët kanë propozuar ndryshime, amendime për disa ligje që janë objekt pune javore të Kuvendit. Është normale që deputet në mbledhjen e grupit parlamentar të kenë propozime, kritika. Këto pastaj në korridore, në rrjete sociale nuk i ndjek unë”, tha Balla.
Performanca e saj tashmë si deputete e thjeshtë, pasi kapi majat më të larta të pushtetit si kryetare kuvendi dhe kryediplomate, Balla thotë se do të vlerësohet sipas një praktike tashmë të konsoliduar.
“Ne kemi një rregull që në çdo fund sesioni bëjmë një analizë të performancës të punës së çdo deputeti. Kryesia i paraqet grupit një raport. Pastaj kërkohet përmirësim i punës apo çështje të tjera. Do të bëhet vlerësim njësoj si për çdo deputet tjetër”, tha Balla.
Ndërsa për dy nisma të rëndësishme që presin të marrin dritën jeshile në parlament, siç është amnistia penale dhe ndryshimet e propozuara prej socialistëve në kodin e procedurës penale, për të kufizuar masën e pezullimit nga detyra, të ministrave, zv/kryeministrit, apo kryeministrit, thotë se janë ende në proces.
“Amnistia kërkon edhe pak kohë. Janë procese të rëndësishme që kërkon edhe pak kohë. Ndryshimet në kodin e procedurës penale? Edhe kjo do të shqyrtohet në kohën e duhur”, tha Balla.
Për projektligjin e amnistisë penale, të miratuar në qeveri prej 2 muajsh, parlamenti shqiptar është në pritje të një vlerësimi nga Komisioni Evropian, përpara se të nisë shqyrtimin.
Komente











