TIRANË- Qeveria ka miratuar Aktin Normativ për ndryshimin e buxhetit të vitit 2023. Ndryshimi, sipas ministrit të Ekonomisë dhe Financave Ervin Mete është bërë nisur nga performanca e mirë e të ardhurave që parashikon rritje të planit vjetor të të ardhurave me 7.5 miliardë lekë.

Sipas ministrit, nga akti normativ do të rishpërndahen rreth 46 miliardë lekë, me synim përshpejtimin e projekteve me performancë pozitive dhe nxitjen e rritjes ekonomike.

‘Sot, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, kemi miratuar Aktin Normativ për ndryshime të Buxhetit të vitit 2023. Ky akt normativ, nisur edhe nga performanca e mirë e të ardhurave, parashikon rritje të planit vjetor të të ardhurave me 7.5 miliardë lekë. Nëpërmjet këtij akti normativ rishpërndahen rreth 46 miliardë lekë, me synim përshpejtimin e projekteve me performancë pozitive dhe nxitjen e rritjes ekonomike. Kjo bëhet e mundur edhe falë një ecurie pozitive të sektorit energjetik, i cili nuk ka pasur nevojë për mbështetjen buxhetore të parashikuar në fillim të vitit.

Afro 12 miliardë lekë do të shkojnë për të mbështetur procesin e rindërtimit me synim avancimin dhe përmbylljen sa më të shpejtë të këtij procesi. Sipas ministrit gjithashtu do të alokohen rreth 1.8 miliardë lekë për skemën e naftës dhe skemat e mbështetjes së fermerëve, për të cilat Ministria e Bujqësisë do të sigurohet për disbursimin e tyre deri në fund të vitit.

'Nëpërmjet aktit normativ mbështetet procesi i rindërtimit me afro 12 miliardë lekë, me synim avancimin dhe përmbylljen sa më të shpejtë të këtij procesi.Gjithashtu, alokohen rreth 1.8 miliardë lekë për skemën e naftës dhe skemat e mbështetjes së fermerëve, për të cilat Ministria e Bujqësisë do të sigurohet për disbursimin e tyre deri në fund të vitit.'- u shpreh ministri.

Po ashtu parashikohet një shtesë për fondin e ish-të përndjekurve politikë, me synim përshpejtimin e pagesave për këtë kategori përfituesish.  Akti normativ mbështet gjithashtu projektet në infrastrukturë, kryesisht në rrugë, ujësjellësa dhe kanalizime.

'Parashikohet një shtesë për fondin e ish-të përndjekurve politikë, me synim përshpejtimin e pagesave për këtë kategori përfituesish.   Akti normativ mbështet gjithashtu projektet në infrastrukturë, kryesisht në rrugë, ujësjellësa dhe kanalizime. Ndërkohë, parametrat makro-fiskalë vazhdojnë të synojnë uljen e borxhit publik, duke mbajtur të pandryshuar defiçitin buxhetor.’- tha ministri.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:52
Sigurimi i shtëpive nga tërmeti, Mete: S'është taksë! Do krijohet një fond që transferon riskun te kompanitë e mëdha të risigurimit botëror

1697622495_mete.jpg

Ministri i Ekonomisë dhe Financave Ervin Mete u pyet në lidhje me draftligjin e propozuar nga qeveria, që të gjitha shtëpitë të sigurohen nga fatkeqësitë natyrore si tërmetet. Mete tha se ky ligj po diskutohet me Bankën Botërore dhe po shihen shembuj nga vende ku funksionojnë skema të tilla.

“Nuk është taksë. Është një prim bazik sigurimi që do të mundësojë mbrojtje nga tërmetet. Do të jetë i përballueshëm. Për ata shtresa që mbështeten nga qeveria, do të rishikohet në ligj që edhe primi të mbështetet nga qeveria dhe nga buxheti i shtetit. Po e diskutojmë ngushtësisht me Bankën Botërore. Në konferencën që unë përmenda kishim përfaqësues nga një sërë vendesh ku funksionojnë skema të tilla.

Thelbi është që të krijohet një fond që nëpërmjet risigurimit transferon riskun nga vendi te kompanitë më të mëdha të risigurimit botëror. Në këtë mënyrë, në rast të një ngjarjeje që konsiderohet katastrofë, do të kemi ndërhyrje të shpejtë nga modelet e sigurimit dhe risigurimit, që janë praktikat më të mira botërore. Buxheti i shtetit ka financuar deri më tani 890 mln euro për rindërtimin dhe bonuset e qirasë. Në momentin që ngrihen skema të tilla që të jenë të përballueshme, krijohet mundësia që të transferohet risku dhe të veprohet shpejt në rast të një ngjarjeje katastrofike.’- tha Mete.

Por sa do t’i kushtojë ky prim xhepave tanë? Mete tha se ende nuk ka një shifër: “Vlera do të përllogaritet, në mënyrë që ti përgjigjet edhe natyrës së rrezikut që merret përsipër”.

Ora 12:19
Heqje dorë nga amnistia fiskale për të nxjerrë Shqipërinë nga lista gri? Përgjigjet ministri i Ekonomisë

1697621910_mete.jpg

Pas mbledhjes së qeverisë, ministri i Ekonomisë dhe Financave Ervin Mete është pyetur nëse është hequr dorë nga amnistia fiskale si një kriter për të nxjerrë Shqipërinë nga lista gri e pastrimit të parave. Mete tha se puna për ta nxjerrë Shqipërinë nga lista gri po vazhdon dhe sipas tij është detyrim për të realizuar këtë gjë, e kur të arrihet do të jetë lajm i mirë. Sa i përket heqjes dorë nga amnistia fiskale, ministri shtoi se kjo do të diskutohet me ndërkombëtarët dhe deri më tani sa i përket kësaj nuk ka asnjë zhvillim.

“Puna për ta nxjerrë Shqipërinë nga zona gri po vazhdon, nuk është lajm që po punohet për këtë. Është detyrimi ynë dhe ka pasur një angazhim ndërinstitucional serioz për të arritur këtë dhe kur të arrihet do të jetë një lajm i mirë për të gjithë.  Amnistia fiskale ka qenë një iniciativë që siç është thënë edhe më parë do të diskutohet me partnerët. Nuk do të merren veprime që mund të bien ndesh me praktika të ngjashme që mund të jenë marrë në vende të tjera dhe unë nuk mund të them asgjë me tepër nga ajo çfarë është thënë më parë” tha ministri.