Mbledhja e qeverisë, ngrihet 
Shërbimi Kombëtar për Rininë

Mbledhja e qeverisë, ngrihet <br />Shërbimi Kombëtar për Rininë
TIRANE - Qeveria në mbledhjen e radhës ka marrë disa vendime të rëndësishme, si krijimi i Shërbimit Kombëtar për Rininë, një strukturë e re që do të jenë në varësi të ministrit përgjegjës për politikat dhe çështjet rinore.

Misioni i saj do të jetë të garantojë mbështetjen dhe përfshirjen e rinisë në të gjitha fushat e veprimtarisë sociale e publike. Ndër funksionet do të jenë zbatimi i politikave dhe programeve të hartuara për çështjet rinore si dhe bashkërendimi i veprimtarisë së qendrave rajonale rinore.

Më poshtë vendimi i plotë i qeverisë:

VENDIM PËR KRIJIMIN DHE MËNYRËN E ORGANIZIMIT E TË FUNKSIONIMIT TË SHËRBIMIT KOMBËTAR PËR RININË
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 4 e 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
 
VENDOSI:
 
I. SHËRBIMI KOMBËTAR PËR RININË
 
1. Krijimin e Shërbimit Kombëtar për Rininë (në vijim “SHKR”), si person juridik publik, buxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për politikat dhe çështjet rinore.
 
2. SHKR-ja ka për mision të garantojë mbështetjen dhe përfshirjen e rinisë në të gjitha fushat e veprimtarisë sociale e publike.
 
3. Funksionet e SHKR-së janë: 
 
a) zbatimi i politikave dhe programeve të hartuara e të miratuara nga ministria përgjegjëse për politikat dhe çështjet rinore;
b) monitorimi dhe bashkërendimi i veprimtarisë së qendrave rajonale rinore.
 
II. ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I SHKR-së
 
1. SHKR-ja organizohet dhe funksionon në nivel qendror nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të SHKR-së.
 
2. Qendrat rajonale rinore krijohen si njësi të drejtpërdrejta të ofrimit të shërbimeve për të rinjtë, në varësi të SHKR-së.
 
3. Drejtoria e Përgjithshme e SHKR-së ka këto përgjegjësi:
 
a) zbaton politikat dhe programet për rininë, të hartuara nga ministria përgjegjëse për politikat dhe çështjet rinore; 
b) bashkëpunon me institucionet përgjegjëse për hartimin, bashkërendimin dhe zbatimin e projekteve dhe aktiviteteve për rininë;
c) nxit bashkëpunimin me organizma, institucione, donatorë dhe aktorë të tjerë, ndërkombëtarë apo vendas, për realizimin e veprimtarive që synojnë realizimin e politikave dhe programeve për rininë; 
ç) bashkërendon dhe monitoron punën për administrimin e qendrave rajonale rinore;
d) miraton planet e propozuara të aktiviteteve dhe veprimtarive të qendrave rajonale rinore, mbështetur në strategjitë dhe programet e miratuara për rininë; 
dh) monitoron respektimin e kritereve ligjore për kryerjen e veprimtarive rinore, të cilat zhvillohen në qendrat rajonale rinore; 
e) kontribuon në informimin, konsultimin dhe aksesin e publikut gjatë hartimit dhe zbatimit të politikave e strategjive në fushën e rinisë; 
ë) menaxhon burimet njerëzore, çështjet ligjore, teknologjinë e informacionit, mirëmbajtjen dhe shërbimet e tjera mbështetëse, përfshirë qendrat rajonale rinore;
f) zbaton dhe administron buxhetin, mban kontabilitetin dhe kryen auditin e brendshëm, përfshirë qendrat rajonale rinore.
 
4. SHKR-ja drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm, i cili është titullari i institucionit dhe ushtron këto detyra:
 
a) përfaqëson SHKR-në në marrëdhënie me të tretët dhe është përgjegjës për organizimin, koordinimin, funksionimin dhe performancën e veprimtarisë së SHKR-së;
b) zbaton dhe administron buxhetin e miratuar të SHKR-së, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe përgatit projektbuxhetin për vitin e ardhshëm, të cilin ia përcjell ministrit përgjegjës; 
c) bashkërendon veprimtarinë e SHKR-së me organet qendrore dhe organet e tjera shtetërore që veprojnë e ndërmarrin nisma në fushën e çështjeve rinore;
ç) siguron kontakte me organe homologe dhe organizata të ndryshme, vendase e të huaja, për zgjidhjen efektive të problemeve në fushën e politikave dhe çështjeve rinore, si dhe veprimtari të tjera për plotësimin e detyrave të përcaktuara nga ministria përgjegjëse dhe legjislacioni në fuqi;
d) siguron zbatimin dhe kontrollin e zbatimit të akteve ligjore e nënligjore që rregullojnë veprimtarinë e  SHKR-së.
 
5. Procedura   e  emërimit,  lirimit  dhe  shkarkimit   nga  detyra  e  drejtorit  të 
    Përgjithshëm të SHKR-së bëhet sipas parashikimeve të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”. 
 
6. Rregullorja e brendshme organizative e Shërbimit Kombëtar për Rininë miratohet nga ministri përgjegjës për politikat dhe çështjet e rinisë, me propozim të drejtorit të Përgjithshëm.
 
7. Drejtori i Përgjithshëm i SHKR-së i raporton drejtpërdrejt ministrit përgjegjës, përveçse kur ministri ka përcaktuar shprehimisht, me urdhër, një njësi tjetër raportimi në aparatin e ministrisë përgjegjëse për politikat dhe çështjet rinore.
8. Qendrat rajonale rinore ushtrojnë veprimtarinë e tyre në rajonin përkatës dhe janë përgjegjëse për:
a) zhvillimin e veprimtarive rinore, kulturore, artistike, letrare e sportive, në zbatim të politikave dhe programeve të miratuara nga ministria përgjegjëse për politikat dhe çështjet rinore; 
b) organizimin e takimeve, konferencave, fushatave sensibilizuese e kurseve trajnuese për përfshirjen e rinisë në jetën sociale, punësim e vendimmarrje.
9. Qendrat rajonale rinore drejtohen nga drejtuesi i qendrës, i cili e përfaqëson atë në marrëdhënie me të tretët dhe është përgjegjës për organizimin dhe koordinimin e funksionimit, si dhe për cilësinë dhe efektivitetin e veprimtarive.
10. Drejtuesi i Qendrës Rajonale Rinore është përgjegjës për:
a) drejtimin dhe administrimin e Qendrës Rajonale Rinore; 
b) zbatimin e programeve të miratuara nga Drejtoria e Përgjithshme e SHKR-së.
11. Drejtuesi i Qendrës Rajonale Rinore i raporton dhe i jep llogari drejtpërdrejt drejtorit të Përgjithshëm të SHKR-së, përveçse kur ky i fundit ka përcaktuar shprehimisht, me urdhër, një njësi tjetër raportimi pranë SHKR-së.
III. STEMA DHE VULA ZYRTARE E SHKR-SË
1. SHKR-ja identifikohet me stemën dhe vulën zyrtare.
2. Stema e SHKR-së përbëhet nga stema e Republikës dhe shënimet: “Republika e Shqipërisë, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Shërbimi Kombëtar për Rininë”.
3. Vula e SHKR-së ka formën dhe elementet e përcaktuara në pikën 2, të  vendimit nr.390, datë 6.8.1993, të Këshillit të Ministrave, “Për rregullat e prodhimit, administrimit, kontrollit dhe ruajtjes së vulave zyrtare”, të ndryshuar. Vula e SHKR-së në nivel qendror përmban dhe shënimin identifikues “Shërbimi Kombëtar për Rininë”, ndërsa vulat e qendrave rajonale rinore përmbajnë dhe shënimin identifikues “Shërbimi Kombëtar për Rininë - Qendra Rajonale Rinore (emri përkatës i qendrës rajonale)”.
4. Vula e SHKR-së dhe vulat e qendrave rajonale rinore prodhohen, administrohen dhe ruhen në përputhje me vendimin nr.390 datë 6.8.1993, të Këshillit të Ministrave, “Për rregullat e prodhimit administrimit, kontrollit dhe ruajtjen e vulave zyrtare”, dhe në përputhje me vendimin nr.474,                   datë 10.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës, si dhe raportin e përmasave të saj”, të ndryshuar.
 
IV. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
 
1. Ngarkohet ministri përgjegjës për politikat dhe çështjet rinore që, brenda 1 (një) muaji nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, të marrë masat për përgatitjen e strukturës e të organikës së SHKR-së dhe të qendrave rajonale rinore, sipas legjislacionit në fuqi.
2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i shtetit, miratuar për Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.
 
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
 
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
 
NIKO PELESHI



Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç