TIRANË- Marrëveshja me emigrantët për Italinë pritet që të miratohet në seancën e plenare të kësaj të enjtje, pra më datë 14 dhjetor. Ky është vendimi i grupit parlamentar i Partisë Socialiste i cili u mblodh paraditen e sotme me dyer të mbyllura dhe vendosi që ta afrojë me një miratimin, pasi ishte parashikuar që të miratohej më 22 dhjetor. Në lidhje me marrëveshjen me Italinë, PD dhe grupimi i Rithemelimit kanë depozituar 2 padi në Gjykatën Kushtetuese.

Kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni nënshkruan më 6 nëntor 2023 në Romë marrëveshjen për ndërtimin në Shqipëri të dy qendrave për strehimin e emigrantëve. Sipas marrëveshjes porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre. Kapaciteti maksimal pritës është 3 mijë shtretër.

Ndërkohë më 14 dhjetor pritet po ashtu që të miratohet rregullorja e re e Kuvendit, ndryshimet e të cilës konsistojnë në përjashtimin me 2 muaj të deputetëve nga Kuvend, nisur nga kaosi i krijuar javët e fundit nga deputetët të Rithemelimit dhe deputetë grupimit të Bardhit.

Seancën e datës 7 dhjetor, mazhoranca propozoi futjen me procedurë të përshpejtuar për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit, në të cilën parashikon ashpërsimin e masave për deputetët të cilët bllokojnë punimet e Kuvendit. Sipas rregullores aktuale dënimi për deputetët parashikohet 10 ditë, ndërsa sipas kërkesës së Partisë Socialiste pritet të ndryshohet dhe ky dënim të bëhet deri në 60 ditë.

Në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, kryesocialisti Edi Rama kritikoi deputetët për mungesën e tyre në seancat plenare në Kuvend. Rama u ka kërkuar që të jenë të angazhuar jo vetëm në seanca plenare por edhe në komisionet parlamentare.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:40
Marrëveshja me Italinë miratohet të enjten, Bardhi: Kushtetuesja të shqyrtojë menjëherë padinë, ta pezullojë votimin

Vetëm pak orë pasi PS vendosi ta kalojë seancën e kësaj të enjteje marrëveshjen me Italinë, Gazment Bardhi i kërkon Gjykatës Kushtetuese të flasë në mënyrë urgjente për paditë e dorëzuara nga opozita. Në një shkresë drejtuar gjykatës, Bardhi thotë se Kushtetuesja duhet të shqyrtojë sa më parë kërkesën, e në mos një vendim final për ta anuluar, të pezullojë votimin e marrëveshjes në parlament.

"Sot kam ripërsëritur për herë të tretë kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e procedurës parlamentare për ratifikimin e marrëveshjes. Gjykata Kushtetuese duhet të sillet si e tillë dhe jo i shtojcë pa vlerë e Qeverisë së Edi Ramës. Marrja në shqyrtim paraprak menjëherë e kërkesës së opozitës është detyrim që buron nga Kushtetuta dhe Ligji për Gjykatën Kushtetuese! E kundërta është atentat ndaj shtetit ligjor dhe minon përfundimisht besimit tek Gjykata Kushtetuese" shkruan Bardhi.

Ora 12:21
Mbledhja e grupit të PS-së, Rama i pakënaqur me deputetët, u kërkon më shumë angazhim

1702016117_edirama.jpg

Në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, kryesocialisti Edi Rama ka kritikuar deputetët për mungesën e tyre në seancat plenare në Kuvend. Rama u ka kërkuar që të jenë të angazhuar jo vetëm në seanca plenare por edhe në komisionet parlamentare.